Sot, 72 vjet nga zgjedhja e dede AhmetMyftarit, Kryegjysh Botëror Bektashian

Kryegjyshi Botëror Bektashian Haxhi Dede Edmond Brahimaj: Dede Ahmeti ka qenë e mbetet një gurë i rëndë në themelet e bektashizmit shqiptar dhe atij botëror

Nga Kujtim BORIÇI

Sot mbushen plot 72 vjet kur Dede Ahmet Myftari, zgjidhet Kryegjysh Botëror i Bektashizmit, detyrë të cilën e kreu me përkushtim dhe besim të patundur në Zot për një dekadë,  duke lënë një pasuri të çmuar në historinë 800 vjeçare të bektashizmit. Njëkohësisht, Dede Ahmeti, është shembulli më i mirë i aksiomës së njohur bektashiane “Pa atdhe, nuk ka fe”, pasi në vitet e vështira të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, ai jo vetëm dënoi publikisht pushtimin e vendit, por ishte në ballë të lëvizjes popullore për nevojën e çlirimit me armë në dorë. “Dede Ahmeti ka dhënë një kontribut të çmuar për bektashizmin, gjë e cila do vlerësohet e do shërbej ndër breza.  Ai ishte një klerik i përkushtuar që ndjente lodhje në Udhën e Hakut, dinte të falte mirësi, dashuri e besim në Zot, kontribuoi maksimalisht për përhapjen e besimit bektashian dhe ngritjen e institucioneve si dhe nuk kurseu mbështetjen dhe kontributin konkret për çlirimin e  vendit nga pushtuesit. ”- pohon për gazetën “Telegraf”, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.

Kush ishte Dede Ahmet Myftari
Dede Ahmet Myftari u lind më 22 shkurt të vitit 1916, në fshatin Brataj të Vlorës dhe ndërroi jetë në vitin 1980. Mësimet e para i mori në shkollën e fshatit ndërsa të tjerat, në qytetin e Vlorës. Ai, trashëgoi prej prindërve, dashurinë për dije dhe për atdhe. Pasi mbaroi shkollën qytetase në vitet 1924-1929 në Vlorë, në vitin 1936, u dërgua të kryej shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Dibër. Këtu u njoh me baba Zenel Dumen, ndjeu së brendshmi dashurinë dhe besimin te i Madhi Zot, mori njohuri për bektashizmin dhe islamin në përgjithësi. Mori dorë në teqenë e Bllacës në vitet 1937-1939 dhe u konsakrua dervish në po këtë teqe, nga baba Zeneli.  Ishte vetëm 22 vjeç kur vishet dervish dhe bën betimin e shenjtë, për t’i shërbyer rrugës së Hakut, deri në ditën e ndarjes nga jeta. Në qershorin e vitit 1939, ashtu sikundër dhjetëra klerikë të tjerë bektashianë, u rreshtua në krahun e luftëtarëve të lirisë, në aksione konkrete  kundër pushtuesve italianë. Në Vlorë dhe Kurvelesh, në Tepelenë dhe Elbasan, fjala e dervishit bektashian zinte vend në zemrat e luftëtarëve. Veprimtaria atdhetare e dervish Ahmet Myftarit, bie në sy të autoriteteve italianë. E thërrasin dhe i thonë duhet të heshtë, duhet shkoj në teqe dhe të kujdeset për besimtarët. Ky i dëgjon dhe në heshtjen e thellë u përgjigjet: “Si mund të kujdesem për besimtarë me vatan të shkelur. Vatani njëherë, ai të jetë i lirë, pastaj vjen besimi!” Në fillim të majit të vitit 1943 e arrestojnë dhe e dërgojnë në kampin famëkeq të Porto-Romanos. Edhe këtu shpirti i lirë i tij, nuk gjen prehje. Fjala e ngrohtë e tij, bind komunist dhe nacionalistë se përpara çdo lloj bindjeje partiake është  atdheu. Atij do  t’i falemi në çdo kohë, me çdo mjet, në çdo  situatë. Me kapitullimin e forcave italiane e lë kampin e Porto-Romanos dhe sërish, me pushkë në krah, renditet në radhët e luftëtarëve të lirisë.  Pranvera e vitit 1945, e gjen në detyrën e komandantit të qarkut në Martanesh dhe përpara tij çelen dyert e karrierës ushtarake. Provat i kish dhënë, aty në vijën e parë, në zjarrin e betejave. Madje në një prej këtyre betejave u plagos rëndë. Shokët e morën në supe e dërguan në spital, duke i rikthyer jetën. Gjithsesi brenda zëmrës së Ahmet Myftarit, gjallonte ëndrra e dervishit, besa që pat dhënë dikur, në mejdan të teqesë së Bllacës. Me shkrimin e tij të bukur, falënderon komandën e lartë për besimin që i kish dhënë dhe në maj 1945, paraqitet në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore, duke mbajtur plot dashuri në supe harkanë e dervishit bektashi.

Emërimi Kryegjysh Botëror Bektashian
Referuar dokumenteve që gjenden në Arkivin e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë, Ahmet Myftari merr titullin ‘Baba’, ku në tri vitet në vazhdim, punon me përkushtim si klerik në teqenë e ‘Baba Hamitit’ në Elbasan dhe më pas në teqenë e ‘Kuzum Babait’ në Vlorë. Në 2 qershor 1948, me vendim të Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Bektashian, vendoset në funksionin më të lartë, atë të Kryegjyshit Botëror Bektashian. Për dhjetë vite me radhë, në krye të Selisë së Shenjtë dede Ahmet Myftari përveç ruajtjes të pastër të doktrinës bektashiane, mundësoi arsimin fetar duke bërë me dije edhe dervishin e teqesë më të largët. Në këto  vite i dha hov bektashizmit dhe  u  bë faktor i harmonisë  fetare midis komuniteteve fetarë tradicional në Shqipëri. Organizoi një varg lidhjesh të komunitetit bektashian shqiptar me bektashinjtë e tjerë në gjithë botën. Vitet e qëndrimit të dede Ahmet Myftarit, në këtë post të rëndësishëm, janë vite të gjallërimit të mëtejshëm të besimit bektashian, vite të respektimit të tri erqanëve tradicional, duke larguar njëherë e përgjithmonë këtë besim të mrekullueshëm, nga kurthet dhe prapësitë e thurura prej partisë-shtet. Në këto vite, portat e teqeve u çelën për mijëra dashamirës dhe myhib, u institucionalizua arësimi fetar, u nxuarën prej arkivave dhjetëra libra për bektashizmin dhe u përkthyen këta në gjuhën shqipe duke ndriçuar mistikën e thellë të këtij besimi.

Dede Reshat Bardhi e Dede Edmond Brahimaj
Ish-Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Reshat Bardhi dhe Kryegjyshi aktual, Hirësia e Tij, Haxhi Baba Edmond Brahimaj, e kanë vlerësuar vazhdimisht  me konsiderate të larta, rolin e Dede Ahmet Myftarit si atdhetar e si klerik, duke organizuar dhe sesione e aktivitete të shumta për këtë klerik të njohur.  Dede Reshat Bardhi thotë për myrshidin e tij, Dede Ahmetin:  “E njoha Dede Ahmetin kur isha 17 vjeç. Ai hyri në jetën time dhe do të mbetet aty, deri në frymën time të fundit. Ai më mori për dore dhe më futi në rrugën e ndritur të bektashizmit, në rrugën e ndriçuar prej Pirit tonë Haxhi Bektash Veliu. Me urtësinë e tij, me zgjuarsinë e tij, me guximin e tij, Dede Ahmeti për dhjetë vjet rresht, mbajti mbi shpatulla një varg problemesh me të cilat përballej bektashizmi ynë i kulluar. Ai kurrë nuk u qa, kurrë nuk u ankua, kurrë nuk e lëshoi veten edhe në situatat më të vështira.  Në mënyrë të veçantë, kurajo dhe   guximi i tij, shkëlqyen në vitet e vështira të  internimit, në fshatin Drizar të Mallakastrës. Aty u shfaq si rrallë herë qëndresa e tij. Teqeja e vogël e Drizarit, ai vend i humbur mes përrallesh, u bë Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Tek kjo teqe kanë ardhur me mijra besimtarë, nga e gjithë Shqipëria. Vinin të rraskapitur, vinin të trishtuar, vinin si nata. Po iknin të çlodhur, iknin të gëzuar, iknin si mëngjesi i bukur. Dede Ahmeti u jepte shpirt dhe dritë nga shpirti dhe drita e tij”. Vlerësim për dede Ahmetin ka bërë dhe Kryegjyshi Botëror aktual, dede Edmond Brahimaj: “Dede Ahmeti ka dhënë një kontribut të çmuar për bektashizmin, gjë e cila do vlerësohet e do shërbej ndër breza.  Ai ishte një klerik i përkushtuar që ndjente lodhje në Udhën e Hakut, dinte të falte mirësi, dashuri e besim në Zot, kontribuoi maksimalisht për përhapjen e besimit bektashian dhe ngritjen e institucioneve si dhe nuk kurseu mbështetjen dhe kontributin konkret për çlirimin e  vendit nga pushtuesit ”- pohon Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.