Sot është 74-vjetori i martirizimit për mbrojtjen e traditës së besimit bektashian, i Klerikut të njohur, Dede Hilmi Abaz, (13 mars 1887-18 mars 1947), ish-Kryegjyshi Botëror Bektashian.
Dede Hilmi Abaz, deri në vetëmartirizimin e tij më 18 mars 1947, ashtu si klerikët bektashian ndër dekada, ishte dhe mbeti një shembull i klerikut të devotshëm dhe atdhetarit, duke qëndruar i palëkundur në realitetin e këtij besimi të paqtë, “Pa atdhe, nuk ka fe!”…
Dihet, se pas ardhjes në pushtet të regjimit monist në Shqipëri pas çlirimit të vendit në nëntor të vitit 1944, i cili vendosi t’i dobësonte gradualisht institucionet fetare, t’ua nënshtronte ato shtetit, t’i përdorte për sa kohë mbështetin programin e qeverisë, u krijuan dhe situata të vështira dhe në komunitetin bektashian në Shqipëri. Kjo solli dhe ngjarjen tragjike të 18 marsit 1947.
Deri tek jo tragjedi, perceptimi i situatës hap pas hapi. …Krijimi i Grupit “Përparimtar” për reformë në çështjen e martesës dhe veshjes, nga Baba Faja dhe baba Fejzo, në të cilin ishte edhe ndikim i pushtetit, u kundërshtua me forcë të madhe nga Dede Abazi e disa klerikë të tjerë. Kjo çoi ne vrasjen e baba Fajës e baba Fejzos nga Dede Abazi dhe, ky i fundit u vetëvra, po në mjediset e Selisë së Shenjtë Bektashiane. Kjo është drama tragjike e 18 marsit të vitit 1947.
Referuar dokumenteve arkivore të kohës, konstatohet se shteti i kohës, u përpoq të minimizonte shkaqet e tragjedisë, e cila la gjurmë jo vetëm në komunitetin bektashian, por shumë më gjerë. Kështu, në një qarkore ‘Tepër sekret”, udhëheqja e kohës jepte porosi në bazë, për këtë qëllim. Në ‘të, mes të tjerave, thuhet: “ …..të mos dalim që dede Abazi mbrojtës i fesë dhe baba Faja e baba Fejzo se donin të prishnin fenë, të shitur te qeveria…..” (ASHV, Durrës: F.1, V. 1947. D. 52, fl. 2). Për këtë ngjarje, Papa i Romës ngriti flamurin gjysmë shtizë, në mirënjohje të Kryegjyshit Botëror Bektashian, Dede Hilmi Abazit.
Vlerësim i Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj:
…Dede Abaz Hilmiu, i përket plejadës së shkëlqyer të baballarëve bektashianë, të cilët nuk i ndanë kurrë, Zotin në qiell dhe Atdheun në tokë. I mëkuar qysh në fëmijërinë dhe më pas në rininë e tij, me dashurinë e Frashëllinjve për trevat shqiptare, ndonëse jetoi për disa vite ne Egjipt, ai do të vinte si pëllumb i Haxhi Bektashit në viset e bukura të Shqipërisë së Jugut. Në Prishtë, në Sukë, në Frashër, ai do të hynte në zemrat e mijëra besimtarëve bektashianë, duke ndriçuar ato, me dritën hyjnore të mirësisë dhe urtësisë sonë tradicionale. Në mënyrë të veçantë, devotshmëria e këtij kleriku të shquar, do të shquhej në vitet 1920-1940, në Shqipërinë e mbushur plot turbullira politike. …Dede Abaz Hilmiu dhe në kohën e qëndrimit të tij në postin e udhëheqësit të Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës botërore Bektashiane, u dallua për dashurinë e thellë të tij ndaj besimtarëve shqiptarë, të çdo besimi. Ai eci në gjurmët e të parëve të tij, duke e konsideruar bektashizmin si një urtësi dhe besim për besimtarët në të gjitha trevat shqiptare, në Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni dhe deri në vise të Çamërisë. Ai mbeti besnik deri në fund parimeve dhe kodeve zakonorë bektashianë..!”
Përgatitën: Nuri ÇUNI;
Kujtim BORIÇI