Sot, 74 vjetori i ndarja nga jeta i ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian Xhaferr Sadik Dede

Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj: Xhaferr Sadik Dede mbetet shembull i përkushtimit për bektashizmin dhe do të nderohet e respektohet nga miliona besimtarë në gjithë botën

Dita e sotme shënon një eveniment të rëndësishëm  për miliona besimtarë bektashinj në mbarë botën, përvjetorin e  ndarjes nga jeta të klerikut të njohur të këtij besimi, ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian Xhaferr Sadik Dede. Xhaferr Sadik Dede është ndarë nga jeta më 8 gusht të vitit 1945. “Në historinë mbi tetëqindvjeçare të bektashizmit, mes klerikëve të shumtë që kanë dhënë kontribut për mbrojtjen dhe përhapjen e këtij besimi, një vend të rëndësishëm ka dhe Xhaferr Sadik Dede, që për një kohë ka qenë dhe Kryegjysh Botëror i Bektashizmit. Ish-Kryegjyshi Botëror i Bektashizmit, Xhaferr Sadik Dede mbetet një shembull i përkushtimit e punës së palodhur për këtë besim dhe nderohet e respektohet nga miliona besimtarë në gjithë botën”- pohon Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Po sot, nën përkujdesjen e Hirësisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, në mjediset e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë, ka pritje në nderim të personalitetit të këtij kleriku të njohur.
Xhafer Sadik Dede
Ish-Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Xhafer Sadik Dede me origjin nga qyeti i Gjirokastrës ka lindur në vitin 1874, në familjen fisnike Baboçi, me tradita të njohura bektashiane. Prindërit e tij e mëkuan me dashurinë ndaj Zotit dhe atdheut dhe i dhanë dashurinë dhe mirësinë duke i lartësuar shpirtin. Që në fëmijëri prindërit e merrnin në vizita dhe pelegrinazhe në teqetë e Gjirokastrës si në atë të Zallit, Hajdarie, Melani etj. Pasi bëri shkollën në vendlindje, me dëshirën e prindërve, mori njohuri fetare në teqenë e Zallit, ku u bë dhe myhib e u vesh dervish. Reth viteve 1902 shkon në Haxhi Bektash  në kryeqendrën e bektashizmit Turqi. Aty përgatitet në shkollën e kësaj qendre. Kreu vizita në vendet e shenjta të Lindjes si Irak, Iran, Siri, Egjipt. Më pas vjen në Përmet dhe shërben në teqen e vjetër të këtij qyteti. Ai përkrahu gjithë patriotët në çështjen e çlirimit kombëtar në vitet 1908-1912. Teqeja e tij priste dhe përcillte luftëtarët e lirisë. Bashkëpunonte ngushtë me teqenë e Alipostivani me baba Hajdarin, baba Abedinin e Frashërit etj…  Merr pjesë aktivisht në mitingjet e abec-së në Përmet me klerikët e shquar baba Abedini i teqesë së Frashërit dhe baba Abdullai i teqesë së Alipostivanit. Teqenë e Përmetit e zgjeroi dhe rriti pronat e afroi shumë njerëz dhe intelektual, duke u bë i njohur në Përmet dhe gjithë zonën e Jugut. Kontributi i tij në Rilindjen Kombëtare është i madh jo vetëm në  Përmet,  por edhe Tepelenë, Gjirokastër ku ai ishte i pranishëm në çdo event të luftës për liri dhe pavarësi.  Për kontributin e tij si klerik i shquar, për  çështjen kombëtare, për punën e palodhur dhe përkushtimin ndaj bektashizmit Këshilli klerikal e zgjodhi Kryegjysh Botëror  të Bektashinjve në 25 . IV. 1945. Ai punoi si  Kryegjysh për katër muaj duke dhënë kontribut brenda dhe jashtë vendit deri në 8 gusht 1945 kur ndërroi jetë. Ai organizoi dhe drejtoi Selinë e Shenjtë në të gjitha veprimtaritë e saj kombëtare dhe ndërkombëtare me përkushtim si një klerik i përgatitur. Por fatkeqësisht i ndodhin aksidenti fatal në rrugën Tiranë-Elbasan, ku ishte me një shërbim në Gjyshatën bektashiane  të Elbasanit. Ai u aksidentua rëndë  dhe ndërroi jetë në spitalin e Tiranës. Eshtrat e tij prehen në tyrbet e dedelerëve në kryegjyshatën Botërore Bektashiane. Mbas vdekjes është dekoruar nga Presidenti i Republikë së Shqipërisë në vitin 1993 me Urdhrin për “Veprimtari Patriotike të Klasit I-rë”.  Ai mbetet një klerik i shquar i bektashizmit për kontributin fetar dhe atdhetar e përkujtojmë sot me nderim dhe respekt të veçantë nga gjithë besimtarët bektashian dhe shumë më gjerë.
Teqeja e Baba Xhaferrit
Për përkushtimin e tij në Udhën e Haxhi Bektash Veliut dhe kontributin që ka dhënë për bektashizmin, Xhaferr Sadik Dede është vlerësuar e do të vlerësohet vazhdimisht. Një teqe në Përmet thirret  “Teqeja e Baba Xhaferrit”, për shkak të drejtimit të gjatë nga ky klerik dhe emrit të mirë që ka lënë.  Kjo teqe është themeluar më 1861 nga Bektash Babai, i ndihmuar nga Ali Haqi Babai i Gjirokastrës. Baba Xhemali dha kontribute në Shpalljen e Pavarësisë. Baba Abedini i Frashërit dhe Baba Xhemali i Përmetit organizuan mbledhjen e jashtëzakonshme më 28 nëntor 1912 në Përmet, e cila mandatoi Mit’hat Abdyl Frashërin si delegat të Përmetit në Kuvendin Historik të Vlorës . Më vonë në krye të Teqenë e Përmetit vjen Xhafer Sadik Baba nga Gjirokastra. Ai u bë edhe Dede, Kryegjysh Botëror i Bektashinjve, i cili drejtoi punimet e Kongresit IV Bektashian. Në janar të vitit 1930, Sali Njazi Dedeja, i cili u largua nga Turqia dhe erdhi në Shqipëri, për të ngritur Qendrën e Kryegjyshatës Botërore të Bektashizmit, u prit në Sarandë edhe nga Baba Xhaferi i Teqesë së Përmetit, i cili bashkë me 17 të tjerë e shoqëroi në rrugën Sarandë-Tepelenë-Përmet-Leskovik-Ersekë-Korçë.  Sali Njazi Dedeja, Kryegjyshi Dëshmor i Atdheut, (vrarë në Tiranë nga pushtuesit fashist italian më 28.11.1941), qëndroi një natë në Sukë dhe disa orë në Përmet. Teqeja e Përmetit është drejtuar edhe nga Baba Sabriu, Baba Barjami dhe Baba Zeneli. Teqeja u mbyll nga monizmi më 1967 dhe u rihap nga demokracia më 11.10.1991, që është edhe dita e parë e rihapjes së bektashizmit në Përmet.
SOM
Kur ishte titullar i teqesë në Përmet, Xhafer Sadik Dede, i cili ka lozur një rol të rëndësishëm në përhapjen dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe në krahinën e Përmetit. Ka përkrahur çetat për liri dhe pavarësi të Shqipërisë, ka bashkëpunuar ngushtë me Mihal Gramenon, Çerçiz Topullin, Hajredin Tremishtii. Ai u përpoq me gjithë shpirt të ndihmoj luftën kundër otomanëve, andartëve grekë etj. Ka qenë aktiv në luftën e Vlorës të vitit 1920 që drejtohej nga Selam Musai. Roli i tij është i madh në punën e vyer për bektashizmin, duke afruar gjithë besimtarët bektashian dhe intelektualët, të cilët kishin admirim të veçantë ndaj tij”.

Përgatitën: Kujtim Boriçi, Nuri Çuni