Më 28 nëntor 2020, mbushen 79 vjet nga ndarja nga jeta (u vra nga pushtuesit italianë se nuk pranoi të firmosë dokumentin e pushtimit të Shqipërisë), Sali Niazi Dede ,ish-Kryegjyshi Botëror Bektashian.
Sali Niazi Dede, u lind në Starje të Kolonjës në qershor të vitit 1876. Mjedisi familjar, shoqëror i trevës së Kolonjës ku gjallonin teqetë e Starjes, por edhe ato të Leskovikut, të Qesarakës, Kreshovës, lanë gjurmë të thella në fëmijërinë e tij. Mësimet fillore i kreu në vendlindje. Emigroi që i ri me familjen në Stamboll. Këtu vazhdoi shkollat e kohës dhe falë asaj trashëgimie shpirtërore shqiptare të besimit bektashianë, shkonte përherë të vizitonte teqenë e Haxhi Bektashit dhe vendosi të futet me vullnet të plot në rrugën ekëtij besimit. Në vitin 1896, ai ndodhet në Nevshehir, në teqenë e famshme të Haxhi Bektash Veliut dhe regjistrohet në shkollën e teqesë, së bashku me qindra nxënës të tjerë nga vise të Anadollit, Azisë e deri nga Irani dhe Iraku. Në shkollën e teqesë përqafon menjëherë jo vetëm mësimet e Kuranit, hadithet e Profetit Muhamed, por edhe çelsat e diturisë mistike, duke lexuar libra të autorëve si, Fazaliu, Suhreverdiu, Muhijdin Arabiu, Omer Ibni Faridhi, Ibni Sebini, Mevlana Xhelaledin Rumiu. Në vitin 1897, nga myhib, ai bëhet dervish. Në vitin 1901 merr gradën ‘baba’ dhe në vitin, 1913 gjysh. Ish-Kryegjyshi i kohës, Fejzi Dede, e dërgon në vitin 1908 me mision në Shqipëri për të mbledhur ndihma e nevojshme për Kryegjyshatën Botërore në Turqi. Këtë mision, Sali Niazi Dedei e kreu me sukses dhe u kthye në Haxhi Bektash. Për meritat e tij e punës në këto vite shërbimi si klerik, hyri në Këshillin e Lartë Klerikal Botëror. Në 15 vjet të një jetë të pasur shpirtërore, klerikale si edhe adhurime të pafund ndaj Krijuesit, i dhanë rezultatet e veta të përgatitjes së tij, organizator, udhëheqës shpirtëror e ndihmues edhe në vende të tjera të botës. Me largimin nga kjo jetë e ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Fejzi Dedei, në vitin 1914, Këshilli i Lartë Gjyshnor, e cakton Sali Niazin në postin e lartë të Kryegjyshit Botëror, udhëheqësit të këtij besimi. Dijet dhe përkushtimi në Udhën e Hakut, bëri që ai të fitoj besimin e besimtarëve të shumtë dhe t’i besohen detyra të rëndësishme. Falë nivelit intelektual e fetar, përkushtimit maksimal në udhën e Hakut, shumë shpejt u bë i njohur në rrethin klerikal të Turqisë, Sirisë, Iranit, Irakut, Egjiptit, Rumanisë, Bullgarisë, Hungarisë, Greqisë, Jugosllavisë, Shqipërisë etj. Misioni i ngarkuar i dha një përvojë të pasur si klerik, organizator dhe drejtues i aftë i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve.
Drejtimi i bektashizmit nga Shqipëria i Sali Niazi Dedeit, është një periudhë e vështirë, por tejet e suksesshme. Kështu deri në vitin 1941 kur vritet nga pushtuesit italianë në Selinë e Shenjtë. Nata e 28 nëntorit e vitit 1941 kur u vra Sali Niazi Dede, është parapri me një ditë debatesh të ashpra mes tij dhe përfaqësuesit të mbretit italian në Shqipëri, për të pranuar pushtimin e italianëve si liri, nëpërmjet një shkrimi që ai ta botonte të nesërmen (ditën e 28 nëntorit) në gazetë. Ja si vjen kjo ngjarje në dokumentet e dëshmitë e kohës: “…Sali Niazi Dede ftohet nga përfaqësuesi i mbretit italian i cili i tha: ‘…Edhe drejtuesit e tjerë shpirtërorë, kanë thurur lavde për italianët dhe mbretërinë, po ju nuk do të shkruani!’. Sali Niazi Dede iu përgjigj: ‘Unë jam udhëheqës shpirtëror i bektashinjve, nuk jam drejtues i një partie politike, nuk merrem me punë politike’. Pas debatesh të ashpra, refuzimit të Sali Dede, funksionari i lartë italian i tha:’…Lëreni,
mos flisni, do e shohësh këtë…!’”. Po çfarë ndodhi pak orë më vonë? Pa u afruar mesnata, Sali Dede qe banonte në Selinë e Kryegjyshatës, pasi ka qëndruar deri vonë me dervishët e punonjësit, ka shkuar si zakonisht të flejë gjumë në dhomën e tij. Ndërkohë, sipas një skenari të parapërgatitur, disa persona futen në dhomën e tij dhe e ekzekutojnë, bashkë dhe me një dervish që dëgjoi zhurmë e vajti në ndihmë. Pastaj largohen. Vrasja e Kryegjyshit Botëror Bektashian, bëri bujë të madhe. Menjëherë u arrestuan 17 persona, e zyrtarisht u tha se ‘vrasja ndodhi nga një grup vjedhësish që donin të merrnin një orë shumë të shtrenjtë të Njazi Dede”. Por në fakt, kjo ishte alibi, pasi ora, më vonë u gjet.
Sali Niazi Dede, përveç urdhrave e medaljeve si klerik e atdhetar që i janë pas ndarjes nga jeta, është shpallur dhe “Dëshmor i Atdheut!”.