Sot, më 28 nëntor 2022, mbushen 81 vite nga vrasja e ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, Sali Niazi Dedei, “Dëshmor i Atdheut” dhe “Nderi i Kombit”. Në këtë ditë, që përkon dhe me përvjetorin e ditës së madhe të Shpalljes së Pavarësisë, kujtimi e vlerësimi i këtij kleriku e atdhetari të njohur, është vlerësim për figurën dhe personalitetin e Tij, por dhe të armatës së klerikëve bektashian, që kanë përmbushur e vazhdojnë të përmbushin devizën e besimit tonë të paqtë bektashian, ‘Pa atdhe, nuk ka fe!”
Sali Niazi Dedei, përkujtohet sot me ritet dhe aktivitete të shumta në Selinë e Shenjtë Bektashiane dhe në të gjitha institucionet bektashiane në Shqipëri e jashtë saj.
…Salih Niazi, u lind në Starje të Kolonjës, më 5 mars të vitit 1876, kohë në të cilën (kapërcyell i shekujve 19 dhe 20), bektashizmi në Shqipëri kishte ardhur duke u zhvilluar së tepërmi. Madje jo vetëm në trevat shqiptare, por edhe në vende të tjerë ballkanikë, fqinj me ne, doktrina bektashiane po gjente përhapje gjithnjë e më të gjerë. Kjo, sa për shkak të përshtatjes të këtij besimi me realitetet ballkanikë, aq edhe për frymën tolerante që përcillte. … Ka qenë pikërisht ndikimi i teqesë së famshme të Starjes, por edhe ato të Leskovikut, të Qesarakës dhe Kreshovës, që lanë gjurmë të thella në fëmijërinë e Salih Niaziut të vogël. Me imazhin e pastër dhe real të këtij bektashizmi, Salih Niazi, në moshën 8-vjeçare, u gjend në Stamboll me familjen e tij, në kërkim të një jete më të mirë. Për trembëdhjetë vjet, ai ndoqi mësimet në Stamboll dhe Haxhi Bektash, së bashku me qindra nxënës të tjerë nga vise të Anadollit, Azisë e deri nga Irani dhe Iraku. Falë asaj trashëgimie shpirtërore shqiptare që kishte, në vitin 1897, vendosi të futet në rrugën plot mirësi bektashiane..
Këtu, është në vëmendjen e ish-Kryegjyshit të kohës, Haxhi Fejzi Dedeit. Pasi dorëzohet si dervish në rrugën e Hakut, përqafon menjëherë jo vetëm mësimet e Kuranit, hadithet e Profetit Muhamed, por edhe çelësat e diturisë mistike. … Në vitin 1908, Dede Fejziu e ngarkon Salih Niazin me detyrën e pajtimit të dedesë të Madh me familjen Çelebi. Me këtë detyrë që ju ngarkua në dergjah, u kuptua se sa unifikues, pajtues dhe zgjidhës problemesh ishte ai. Zgjuarsia, largpamësia, lidhja me të drejtën dhe të vërtetën, e karakterizonte atë në çdo moment. Dy dekada të një jete të pasur shpirtërore si edhe adhurime të pafund ndaj Krijuesit, i dhanë rezultatet e veta. Me largimin nga kjo jetë e ish-Kryegjyshit Bektashian, Haxhi Fejzi Dedei, Këshilli i lartë Gjyshnor, cakton Salih Niazi, në postin e lartë të udhëheqjes të këtij besimi. Ky ishte nder jo vetëm për Salih Niazi, por për gjithë shqiptarët. …Me emërimin e tij në vitin 1914 në krye të postit të lartë, Salih Niazi Dede, vazhdoi i sigurt, rrugëtimin e nisur nga dervishët dhe baballarët bektashinj. Sipas dokumenteve të shumtë osmanë, emri i mirë i Salih Niazi shqiptarit, i kish kaluar me kohë kufijtë e perandorisë. Falë reformave të ndryshme dhe udhëzimeve për të ruajtur pastërtinë shpirtërore bektashiane, emri i Salih Niazi Dedeit, përcillej me respekt ndër miliona besimtarë në Egjipt, Siri, Iran, Irak, Azerbajxhan, Turkmenistan, Greqi, Rumani, Bullgari, Jugosllavi dhe deri në Azinë e Largët.
Me 17 dhjetor 1919, Mustafa Qemal Ataturku, i cili vizitoi teqenë e Haxhi Bektashit, mori mbështetjen morale dhe materiale të Salih Njazi Babait dhe Xhemaladin Çelebiut për luftën çlirimtare. Salih Njazi Dedei u bë aq ndikues me përpjekjet e tij në pavarësinë e kombi turk, sa kishte dhe mirënjohjen e plotë të tij.
Kur parlamenti turk, me vendim të veçantë, në dhjetor të vitit 1925, urdhëroi mbylljen e të gjitha teqeve në Perandorinë Osmane, Salih Niazi Dedei, i hodhi sytë nga atdheu i tij, Shqipëria. Në vitin 1929, janë disa letërkëmbime midis tij dhe Mbretërisë Shqiptare, të cilat nxjerrin në pah jo vetëm dëshirën e këtij kleriku për t’u vendosur përfundimisht në Shqipëri, por edhe garancitë e Mbretit Zog, për ndihmën e nevojshme. Salih Niazi Dede, duke u këshilluar edhe me këshillat gjyshërore nëpër vende të ndryshme, krijoi bindjen e plotë dhe arriti të merrte vendimin për të zhvendosur Qendrën Botërore Bektashiane nga Turqia, në Tiranë. Ky akt madhor, qëndron plot dinjitet midis zgjidhjeve të ndryshme e me rëndësi, të shqiptarëve, përgjatë udhëve të vështira të historisë. Në janar të vitit 1930, ikën nga Ankaraja dhe mbërriti në Shqipëri, ku zhvilloi një veprimtari të gjerë për çuarjen më tej të bektashizmit në Shqipëri, Ballkan dhe në botë. Salih Niazi Dede, erdhi në Shqipëri me idenë e qartë për rritjen e besimit bektashian, pikërisht në jugperëndim të Evropës të krishterë.
Dekretimi i Hirësisë së Tija Salih Njazi Dedeit si Kryegjysh Botëror i Bektashizmit, u bë në mars të vitit 1930.
Për 11 vjet me radhë, Salih Niazi Dede, u vu në krye të punëve të vështira për organizimin sa më të mirë të besimit bektashian, sidomos në trojet shqiptarë. Por kujdesi i tij u ndje deri larg, në teqetë bektashiane në Greqi, Bullgari, Rumani, Maqedoni, Serbi, Kosovë e Mal të Zi. Ai ishte në korrent të gjithë dinamikës bektashiane në Ballkan dhe me këshillat, porositë dhe urdhrat që jepte, u përpoq të ruante me çdo kusht vlerat e këtij besimi, edhe pse bota po shkonte drejt një lufte të re botërore. Zemra e çdo besimtari, duhej të rrihte me dashurinë e madhe të atdheut. Duke parë me çfarë kujdesi fetar dhe intelektual, por edhe me çfarë dashurie shpirtërore ishin përgatitur kongreset dhe statutet bektashianë, ky klerik i devotshëm, ishte i pari në zbatimin konkret të kodeve zakonorë bektashiane. Janë me dhjetëra baballarë, të cilët linin teqetë e tyre dhe për javë të tëra, shkonin në Tiranë, duke marrë jo vetëm mësime fetare nga myrshidi i lartë i tyre, por dhe me dashurinë për ta ndjekin pas atë, në urtësinë dhe thjeshtësinë emblematike. Roli i pazëvendësueshëm i këtij kleriku është gjithashtu edhe në aspektin e ruajtjes të tradicionit brenda besimit. Por këtë tradicion, Salih Niazi Dede, e pa në përputhje të plotë me kohën që kalonte. Pavarësia në ide e veprime, edukimi i ndenjës së atdhetarisë, mëria e natyrshme ndaj pushtuesit, kanë çuar padyshim në ngjalljen e fuqive të verbra ndaj Salih Niazi Dedeit. Ka disa baballarë shqiptarë që kanë treguar se në këto kushte, shumë prej tyre vinin në Tiranë, të rrethuar nga dashamirësit e tyre, vetëm e vetëm për të qenë fizikisht pranë këtij kleriku që po afrohej të 70 viteve. Por Kryegjyshi e pat kuptuar dhe i përcillte këta për në teqe duke pasur gjithmonë pranë dhe dy dervishë besnikë.
Nata e 28 nëntorit e vitit 1941, kur u vra Sali Niazi Dede, sipas dokumenteve arkivore, është parapri me një ditë debatesh të ashpra mes tij dhe përfaqësuesit të mbretit italian në Shqipëri, për të pranuar pushtimin e italianëve, si liri, nëpërmjet një shkrimi që ai ta botonte të nesërmen (ditën e 28 nëntorit) në gazetë. Ja si vjen kjo ngjarje në dokumentet e dëshmitë e kohës: “…Salih Niazi Dede, ftohet nga përfaqësuesi i mbretit italian, i cili i tha: ‘…Edhe drejtuesit e tjerë shpirtërorë kanë thurur lavde për italianët dhe mbretërinë, po ju nuk do të shkruani!’. Sali Niazi Dede iu përgjigj: ‘Unë jam udhëheqës shpirtëror i bektashinjve, nuk jam drejtues i një partie politike, nuk merrem me punë politike’. Pas debatesh të ashpra, refuzimit të Sali Dede, funksionari i lartë italian i tha:’…Lëreni, mos flisni, do e shohësh këtë…!’”. Po çfarë ndodhi pak orë më vonë? Pa u afruar mesnata, Sali Dede që banonte në Selinë e Kryegjyshatës, pasi ka qëndruar deri vonë me dervishët e punonjësit, ka shkuar si zakonisht të flejë gjumë në dhomën e tij. Ndërkohë, sipas një skenari të parapërgatitur, disa persona futen në dhomën e tij dhe e ekzekutojnë, bashkë dhe me një dervish që dëgjoi zhurmë dhe i vajti në ndihmë. Pastaj largohen. Vrasja e Kryegjyshit Botëror Bektashian, bëri bujë të madhe. Menjëherë u arrestuan 17 persona, e zyrtarisht u tha se “vrasja ndodhi nga një grup vjedhësish që donin të merrnin një orë shumë të shtrenjtë të Nazi Dede”. Por në fakt, kjo ishte alibi, pasi ora, më vonë u gjet. Atë e vranë pushtuesit dhe kuislingët vendas, pasi nuk pranoi të firmosë pushtimin italian si ‘liri’ për vendin…
..Dora vrastare që shtiu mbi Salih Niazi Deden, ka menduar se do të trembte krejt armatën e klerikëve bektashian. Në të vërtetë ndodhi e kundërta. Salih Njazi Dedej ra dëshmor për kryerjen e misionit të tij të shenjtë. Komisioni Qëndror i Statusit “Dëshmor i Atdheut” e ka shpallur Salih Njazi Dede ”Dëshmor i Atdheut”, me Vendimin Nr. 218, datë 23.04.2010. Gjithashtu, Kryegjyshata Botërore Bektashiane është shpallur “Monument Kulture“ nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinise dhe Sporteve, me Urdhër Nr. 236, datë 17.05.2010. Edhe ata klerikë që erdhën pas tij, dëshmuan atdhetarinë dhe dlirësinë shpirtërore po aq sa myrshidi i tyre, i rënë theror, duke mos u pajtuar me pushtuesin, me tiranitë dhe idetë që e vdisnin lirinë njerëzore. Deviza “Pa atdhe nuk ka fe” i ka trembur kurdoherë armiqtë e Shqipërisë. Salih Niazi Dede ka qenë dhe mbetet ideatori dhe ndërtuesi i godinës madhështore të bektashizmit në vendin tonë. Albapost, në ciklin e figurave të shquara për vitin 2001, ka emërtuar në emisionin e pullave Salih Niazi Dede. Gjithashtu, ai ka marrë titullin “Dëshmor i Atdheut” nga Këshilli i Ministrave të Shqipërisë, si dhe urdhrin “Nderi i Kombit”.
Salih Niazi Dede mbetet krenaria e gjithë shqiptarëve që solli Qendrën Botërore të Bektashinjve në Shqipëri. Ai ka qenë dhe mbetet modeli i klerikut me dije të mëdha, me urtësi dhe tolerancë. Ai ka qenë dhe mbetet reformatori i parë i këtij besimi në vendin tonë, duke e ngritur bektashizmin në nivele të lartë përfaqësimi në Ballkan dhe në botë.