Sot, 86-vjetori i ditëlindjes së ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Dede Reshat Bardhi

Më 4 mars të vitit 2021, mbushen 86 vjet nga ditëlindja e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Dede Reshat Bardhi, klerikut që ka meritën e ringritjes së bektashizmit, pas ndryshimeve politike të vitit 1990 në Shqipëri. Kjo ditë përkujtohet me respekt nga besimtarët bektashian në Selinë e Shenjtë, në gjyshatat e teqetë tona brenda e jashtë Shqipërisë dhe nga miliona besimtarë bektashian e dashamirës të këtij besimi në botë.
Në këtë datë të shënuar, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, ndër të tjera shprehet: ” “Me mënçurinë dhe urtësinë karakteristike të tij, Dervish Reshat Bardhi diti të përcjellë tek ne, mesazhet më të pastra të orientimit mistik, i vetëdijshëm për të nesërmen tonë. Me një edukatë të pashoqe, me butësinë e shpirtit dhe të syve, ai mundi të hapë dyert e shpirtrave tonë, për të lënë të vërshojë brenda tyre, dashuria dhe madhështia hyjnore e Ehli-Bejtit.”
…Haxhi Dede Reshat Bardhi ka lindur më 4 mars 1935 në fshatin Lusën të Kukësit. Në vitin 1944 familja e tij vjen në Tiranë. Reshat Bardhi aty vijon mësimet në shkollë, si edhe merr mësime fetare. Kur ishte 14 vjeç, viziton Kryegjyshatën Botërore Bektashiane dhe prej asaj kohe vendoset aty. Në moshën 18 vjeçare merr dorë si dervish dhe shërben si rehber në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës. Në vitet 1958-1967, së bashku me Kryegjyshin Botëror, Dede Ahmet Myftarin, internohet prej diktaturës komuniste në Drizar të Mallakastrës. Gjatë dhjetë viteve të internimit, kjo teqe shndërrohet në Qendrën Botërore të Bektashizmit. Ilegalisht aty vinin besimtarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Nga viti 1967 deri në vitin 1990, me ndalimin e fesë dhe mbylljen e objekteve të kultit, Reshat Bardhi bën punë të detyruar në fermë, i ndjekur këmba-këmbës nga sigurimi famëkeq i shtetit dhe nën terrorr psikologjik dhe fizik. Banesa e tij në Tiranë kthehet në qendër ilegale të mbajtjes gjallë të bektashizmit.  Me një grup besimtarësh të devotshëm bektashianë, më 22 mars 1991, ditën e festës së Sulltan Nevruzit, u rihap Selina e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, ku mori pjesë edhe Nënë Tereza. Kongresi VI Botëror i Bektashinjve, i mbajtur në vitin 1993, e zgjedh unanimisht në krye të Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Më 22 mars 1991 Dede Reshat Bardhi ka pritur në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Nënë Terezën dhe disa “motra” të Urdhërit të saj nga Kolumbia dhe Spanja. Në nëntor 1991, së bashku me pelegrinët e parë myslimanë shqiptarë, shkon në Mekë. Aty pritet nga autoritetet më të larta fetare të Arabisë Saudite. Sipas rregullit merr titullin “Haxhi”. Në shkurt të vitit 1992 shkon në komunitetin bektashian në Detroit të SHBA-së, ku pritet nga Baba Rexhebi, si dhe personalitete të larta fetare të besimeve të tjera. Baba Rexhebi ka krijuar të parën teqe bektashiane në Detroit- Miçigan dhe ka mbajtur gjallë bektashizmin. Ai e uroi për postin e lartë, duke ia paraqitur edhe autoriteteve vendase amerikanë. Në maj 1993 pritet nga ish kryetari i alevi-bektashinjve të Turqisë, Z. Bedri Nuajan, i cili organizoi një takim me përfaqësues të lartë fetarë të Stambollit dhe Izmirit. Në gusht 1993 viziton teqenë-muze të Haxhi Bektash Veliut në Turqi, ku pritet nga mijëra besimtarë bektashianë të ardhur nga pjesa aziatike e Turqisë, Azerbaixhani, Kazakistani, Pakistani etj. U prit gjithashtu në drekë të veçantë nga Kryetari i Bashkisë së qytetit Haxhi Bektash. Që nga viti 1991, në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Dede Reshat Bardhi ka pritur në çdo festë fetare, Presidentin, Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, ministrat dhe të gjithë ambasadorët e trupit diplomatik të akredituar në Tiranë. Në vitin 1994-1995 shkon dy herë në Iran, ku pritet nga drejtuesi më i lartë i fondacionit të Ehli- Bejtit, Z. Hossein Miri, si dhe personalitete të lartë fetarë nga Irani, India dhe Kuvajti. Në mars të vitit 2001 ftohet në audiencë të veçantë nga Papa Gjon Pali II në Vatikan, që e uron për mbajtjen gjallë të tarikatit bektashian gjatë regjimit komunist. Në gusht të vitit 2002, në Haxhi Bektash të Turqisë pritet, midis të tjerëve edhe nga Kryeministri turk i asaj kohe, Eçevit, i cili e uron për misionin fisnik që kryen. Në tetor të vitit 2002 mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të OSBE-ODIR, në Azerbaixhan, ku përshëndeti në emër të bektashinjve. Në tetor të vitit 2003 ftohet në Vatikan, ku mori pjesë në ceremoninë e shenjtërimit të Nënë Terezës, së bashku me liderë fetarë të ardhur nga e gjithë bota. Pritet sërish nga Papa Gjon Pali dhe autoritete të lartë fetarë katolikë. Në shkurt 2004 merr pjesë në Konferencën Botërore për Paqe dhe Tolerancë, të organizuar nga Partiarkati Ekumenik si dhe fondacioni “Apel Ndërgjegjes”. Fjala e tij në këtë veprimtari pritet me ovacione. Në prill të vitit 2004 merr pjesë në simpoziumin e alevi-bektashive në Gjermani. Përshëndet në emër të Komunitetit Bektashian. Në tetor të vitii2005 pret në Tiranë, me rastin e Kongresit VIII Botëror të Bektashinjve, Ministrin e Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, Z. Atilla Koç, Prefektin e Nevshehirit, dhe Kryetarin e Bashkisë së qytetit Haxhi Bektash. Në dhjetor të 2005 përshëndet në Prishtinë Kongresin e Lidhjes Shqiptarë në Botë. Pritet nga Ministri i Kulturës të Kosovës, Z. Astrit Haraçia. Në maj 2006 ka pritur në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore në Tiranë, Sekretarin e Shetit të Vatikanit, Z. Xhovani Lajola. Midis të tjerave ky u shpreh: “Juve jeni Papa i bektashinjve!”. Në qershor 2006, Kryegjyshi Botëror Haxhi Dede Reshat Bardhi, priti në Selinë e Shenjtë në Tiranë Kryetarin e Parlamentit të Turqisë, Z. Bylent Arinç. Ky i dorëzon Kryegjyshit dekoratën “Për shërbime të shquara të paqes”, të Parlamentit të Turqisë. Në gusht 2006, Haxhi Dede Reshat Bardhi, ka marrë pjesë në Konferencën Botërore të Liderëve Fetarë në Kioto të Japonisë. Ai është takuar aty me personalitetet më të shquar fetarë të botës. Në korrik 2007, është pritur në Prishtinë nga Z. Kushner. Me rastin e ringritjes së teqesë së Gjakovës, ka pritur përfaqësuesin europian në Kosovë, Z. Joakin Ryker. Në tetor 2007, në krye të një delegacioni bektashian, Haxhi Dede Reshat Bardhi pritet në Stamboll nga lideri mysliman i Turqisë, Prof. Ali Bartokogly si dhe Kryemyftiu i Stambolli Mustafa Cagrici. Në nëntor 2007 mori pjesë në Konferencën Botërore për Harmoninë Ndërfetare në Ohër të Maqedonisë. Përshëndet këtë Konferencë dhe pritet aty nga Kryeministri i Maqedonisë, Z. Gruevski. Në qershor 2008, Kryegjyshi Botëror, u ftua në Ankara nga lideri mysliman i Turqisë, Prof. Ali Bartakogly. Ai mori pjesë në ceremoninë e dekorimeve të Ansamblit të Muzikës Mistike, si dhe fali namazin në Koxha, xhami e Ankarasë. Pritet gjithashtu nga liderë teologë myslimanë. Në shtator 2008 është pritur në Tiranë nga Kryeministri i Turqisë Taip Erdogan. Më 13 tetor 2009, u prit nga Senatori Kanadez Noel A. Kirsella, gjatë vizitës së tij në Tiranë. Në maj të vitit 2010, në Çorum të Turqisë, u prit nga Ministri i Shtetit i Turqisë dhe iu dha Statuja Simbolike e Paqes, për kontributin e tij të shquar për tolerancën fetare. Mbas një sëmundje të rëndë, Dede Reshati ndërroi jetë më 2 prill të vitit 2011. Haxhi Dede Reshat Bardhi është vlerësuar nga personalitete të larta botërore, si Presidenti i SHBA Xhorxh Bush, në lidhje me qëndrimin ndaj aktit terrorist të 11 shtatorit në SHBA, nga Papa Gjon Pali II, gjatë Konferencës Botërore për Dialog në të Mirën e Paqes, në janar të vitit 2002.
Është nderuar në vitin 1993 nga Presidenti Berisha me titullin “Pishtar i Demokracisë”. Më 2005, Presidenti Moisiu e ka dekuruar me “Urdhërin Naim Frashëri i Artë”.
Në prill 2010, Presidenti Topi e dekoron me Urdhërin e Lartë “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, “Nderi i Kombit”.
Në shtator 2015 Presidenti Nishani e ka dekoruar me dekoratën “Flamuri Kombëtar”. Është shpallur “Qytetar Nderi” i Tiranës, Beratit, Krujës, Kavajës, Bulqizës, Martaneshit, Kukësit, Mallakastrës, Gjirokastrës, Durrësit, Elbasanit dhe Diasporës Shqiptare.

SOM 1
Dede Reshati shkruan për Dede Ahmetin:
“E njoha atë kur isha 17 vjeç. Ai hyri në jetën time dhe do të mbetet aty, deri në frymën time të fundit. Ai më mori për dore dhe më futi në rrugën e ndritur të bektashizmit, në rrugën e ndriçuar prej Pirit tonë Haxhi Bektash Veliu. Dede Ahmet Myftari ka qënë dhe mbetet një gurë i rëndë në themelet e bektashizmit shqiptar dhe atij botëror. Me urtësinë, zgjuarsinë, guximin e tij, ky klerik plot devocion për dhjetë vjet rresht, mbajti mbi shpatulla një varg problemesh, me të cilat përballej bektashizmi ynë i kulluar. Ai kurrë nuk u qa, kurrë nuk u ankua, kurrë nuk e lëshoi veten edhe në situatat më të vështira. Në mënyrë të veçantë, kurajua dhe guximi i tij, shkëlqyen në vitet e vështira të internimit, në fshatin Drizar të Mallakastrës. Aty u shfaq si rrallë herë qëndresa e Dede Ahmetit. Teqeja e vogël e Drizarit, ai vend i humbur mes përrallesh dhe drizash pafund, me rolin e pazëvendësueshëm, me përgjegjësinë gati hyjnore, u bë Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.”

SOM 2
Haxhi Dede Edmond Brahimaj:
“Dede Reshat Bardhi, është kleriku që ka merita të mëdha jo vetëm për ringritjen e bektashizmit pas ndryshimeve politike në Shqipëri në vitin 1990, por dhe për ngritjen e funksionimin e institucioneve bektashiane dhe zgjerimin e përhapjen e këtij besimi në trojet shqiptare dhe në hapësirat në botë ku jetojnë praktikanë e besimtarë të këtij tarikati të paqtë,  Me mënçurinë dhe urtësinë karakteristike të tij, Dervish Reshat Bardhi diti të përcjellë tek ne, mesazhet më të pastra të orientimit mistik, i vetëdijshëm për të nesërmen tonë. Me një edukatë të pashoqe, me butësinë e shpirtit dhe të syve, ai mundi të hapë dyert e shpirtrave tonë, për të lënë të vërshojë brenda tyre, dashuria dhe madhështia hyjnore e Ehli – Bejtit.”

Përgatiti: Nuri Çuni
                    Kujtim Boriçi

Në Drizar të Mallakastrës, Dede Ahmeti me Dervishin e tij besnik, Reshat Bardhi.
Duke zbritur nga Sari Salltiku
Vizita historike e Nënë Terezës në Kryegjyshatë, 22 mars 1991