Sot, 91-vjetori i ardhjes së ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian Salih Niazi Dede, në Shqipëri

Sot, mbushen 91 vjet nga ardhja në Shqipëri, e ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian Sali Niazi Dede. Për këtë ditë, nën përkujdesjen e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, në Selinë e Shenjtë, por dhe në gjyshata apo komunitete të tjerë Brenda e jashtë vendit pu jetojnë miliona besimtarë bektashianë, janë marrë masa për përkujtimin e kësaj date e rolit e Sali Niazi Dedeit si klerik e atdhetar.
Sali Niazi Dede, u lind 5 mars të vitit 1876 në Starje të Kolonjës. Ai ishte djali biologjik i Dervish Cufes. Atë kohë, bektashizmi ishte përhapur gjerësisht në teqetë dhe dervishijet ishin përhapur mjaftë në gjithë territorin e Shqipërisë e në vende të tjerë ballkanikë, fqinj me ne, dhe doktrina bektashiane, “Pa atdhe nuk ka fe”, po njihej gjithnjë e më shumë në këto teritore.
Mjedisi familjar, shoqëror dhe treva e Kolonjës, ku gjallonin teqetë e Starjes, Leskovikut, të Qesarakës, Kreshovës etje, që lanë gjurmë të thella në fëmijërinë e tij. Mësimet fillore i kreu në vendlindje. Emigroi që i ri me familjen në Stamboll. Këtu vazhdoi shkollat e kohës dhe falë asaj trashëgimie shpirtërore shqiptare të besimit bektashianë, shkonte përherë të vizitonte teqenë e Haxhi Bektashit dhe vendosi të futet me vullnet të plot në rrugën e këtij besimit. Në vitin 1896 ndodhet në Nevshehir, në teqenë e famshme të Haxhi Bektash Veliut dhe regjistrohet në shkollën e teqesë. Në shkollën e teqesë përqafon menjëherë jo vetëm mësimet e Kuranit, hadithet e Profetit Muhamed por edhe çelsat e diturisë mistike. Me këtë vizion u pajis me kulturë të plotë fetare. Sigurisht në përpjekjet e marrjes së diturisë bektashiane duke u njohur jo vetëm mësimet, por dhe studimi i veprave madhore të mistikëve të mëdhenj të lindjes si Gazakiu, Fazaliu, Suhreverdiu, Muhijdin Arabiu, Omer Ibni Faridhi, Ibni Sebini dhe Mevlana Xhelaledin Rumiu, që është një nga krenaritë e njerëzimit dhe njëri ndër mistikët e mëdhenj të botës islame. Në mësimet e Mevlanës është të qëndruarit larg mendjemadhësisë, krenarisë, egoizmit dhe vetëpëlqimit dhe të rendurit pas materialesh.
Ai, në vitin 1897, bëhet myhib dhe dervish. Pas dy vjetësh, në vitin 1899, në një ceremoni të posaçme bëhet Myxheret (nuk martohej). Interesant është se këtu, tërheq vemendjen e ish-Kryegjyshit të kohës, Haxhi Fejzi Dedeit (me origjinë nga fshati Maricaj i Tepelenës), i cili e mban afër dhe ndikon në marrjen e gradave të hierarkisë bektashiane. Në vitin 1901 dekretohet ‘baba; dhe në vitin 1913, “gjysh”. Ish-Kryegjyshi Fejzi Dede, e dërgon në vitin 1908 me mision në Shqipëri për të mbledhur ndihma e nevojshme për atë kohë të Kryegjyshatës Botërore në Turqi. Këtë mision, Sali Niazi Dedei e kreu me sukses dhe u kthye në Haxhi Bektash. Për meritat e tij e punës në këto vite shërbimi si klerikë hyri në Këshillin e Lartë Klerikal Botëror. Në 15 vjet të një jetë të pasur shpirtërore, klerikale si edhe adhurime të pafund ndaj Krijuesit i dhanë rezultatet e veta të përgatitjes së tij, organizator dhe udhëheqës shpirtëror e ndihmues edhe në vende të tjera të botës.
Me largimin nga kjo jetë e ish Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Fejzi Dedei, Këshilli i Lartë Gjyshnor e cakton Sali Niazin në postin e lartë të udhëheqjes të këtij besimi në vitin 1914, Kryegjysh Botëror.  Prej kësaj periudhe, e drejtoi Kryegjyshatën Botërore Bektashiane në Turqi më së miri deri në vitin 1926. Veprimtaria e Sali Niazi Dedeit në këtë periudhë, është njohur në të gjitha gjyshatat bektashiane të botë. Jo vetëm në Anadoll, por dhe në Iran, Irak Azerbajxhan, Turkmenistan, Greqi, Rumani, Bullgari, Jugosllavi e deri në Azinë e Largme. emri i tij përcillej me respekt ndër milionat e besimtarëve të botës.
Kur parlamenti turk, me vendim të veçantë, në dhjetor të vitit 1925 urdhëroi mbylljen e të gjitha teqeve në Turqi, Sali Niazi Dedei i hodhi sytë nga atdheu i tij, Shqipëria. Sali Niazi Dede, erdhi në Shqipëri me ide të qartë për rritjen e besimit bektashian, këtu në jugperëndim të Evropës së krishterë. Kjo sfidë do të kalonte vetëm e vetëm përmes mësimeve të Haxhi Bektash Veliut. Ai sapo vuri këmbën në tokën shqiptare, kleriku i shquar bektashian, provoi përveç frymës tradicionale të besimit bektashian edhe atë të besimtarëve të thjeshtë.  Në letrën që i dërgon myhridit të tij, baba Ali Naxhi Bajkalit, në ato ditë të fundit të janarit 1930, pasi përshkruan udhëtimin e ardhjes në Shqipëri nga Saranda në Korçë midis të tjerave shkruan: … “Shkuarja në Turan me njëzetë e pesë makina do të mbetet një kujtim i paharruar dhe shumë i vyer për mua. Do të qëndrojmë disa ditë këtu dhe do të shkojmë në Tiranë për të marrë fermanin e Kryegjyshit”.Vendosja e tij në teqenë e Turanit Korçë, i cili filloi veprimtarinë intensive për forcimin e bektashizmit në Shqipëri ishte i një rëndësie të veçantë, sepse u bë Institucioni i parë bektashianë botëror në Shqipëri. Kjo u shoqërua me takime të Mbretit Zog në muajin shkurt dhe dekretimi i tij si Kryegjysh Botëror i Bektashinjve në mars po të atij viti. Qeveria e Zogut duke respektuar vullnetin e klerikëve bektashian me dekret të veçantë e emëroi në mars 1930 Sali Niazi Dedenë, Kryegjysh Botëror të Bektashinjve. Për njëmbëdhjetë vjet me radhë, Sali Niazi Dede, mundi të edukonte dhe frymëzonte dhjetëra e dhjetëra dervishë dhe baballarë bektashian, për të ecur pa u lëkundur dhe plot dlirësi në rrugën e Hakut. Janë me dhjetëra baballarë, të cilët linin teqetë e tyre dhe për javë të tëra, shkonin në Tiranë, duke marrë jo vetëm mësime fetare nga myrshidi i lartë i tyre, por duke dashur ta ndjekin rrugën e tij, me urtësi dhe dashuri vëllazërore. Shumë dervish në periudhën e tij panë ceremoninë e virgjërimit dhe shumë nga baballarët u dorëzuan gjyshër, si baba Mehmet Kruja, baba Xhafer Përmeti, baba Murat Frashëri, baba Sejid Leskoviku, baba Zylfo Turani, baba Sirriu i Kajros dhe shumë të tjerë. Kryegjyshata në Tiranë përparoi si në organizim por edhe në edukimin shpirtëror, ai ngriti edhe shkollën në kurse të veçantë, në përgatitjen e dervishve me drejtor baba Qazim Bakalli. Sikurse, edhe shumë familje dhe personalitete nga Tirana dhe qytete të tjerë të Shqipërisë morën dorë nga Sali Niazi Dede. Por, ai nderoi dhe respektoi kryebektashiun shqiptar poetin e madh kombëtar Naim Frashëri në vitin 1937, kur u sollën eshtrat e tij në Tiranë nga qeveria dhe u vendosën në mjediset e Kryegjyshatës Botërore, ku më pas iu ngrit edhe një përmendore të veçantë prej tij. Ai ruajti me besnikëri kodin bektashian si një traditë brenda besimit. Por, pavarësia e ideve dhe veprimeve në edukimin e ndenjës së atdhetarisë, mëria e natyrshme ndaj pushtuesit, çuan padyshim në ngjalljen e fuqive të verbra ndaj Sali Niazi Dedeit. Sa, dora vrastare që shtiu mbi Sali Niazi Deden, në 28 nëntorin e vitit 1941 bashkë me dervish Azizin ka menduar se do të trembte krejt armatën e klerikëve bektashian. Por kjo nuk ndodhi. Gjithsesi, klerikë që erdhën pas tij, dëshmuan atdhetarinë dhe dlirësinë shpirtërore po aq sa myrshidi i tyre, i rënë theror, duke mos u pajtuar me pushtuesin, me tiranitë dhe idetë që e vdisnin lirinë njerëzore. Baba Rexhebi shkruan për të: “Sali Dedei shkoi dëshmor i misionit të tij të shenjtë, por kujtimi dhe vepra e tij janë të gjalla kurdoherë, të paharruara dhe jetojnë në zemrat e të gjithë bektashinjve dhe dashamirësve të tyre…”
Kryegjyshët pasardhës gjithmonë e kanë respektuar dhe e respektojnë edhe sot, Dede Ahmeti Myftari Kryegjysh Botëror, më 28 nëntor në përkujtim të tij përuroi memorialin e Sali Niazi Dede dhe vlerësimet gjatë viteve si: Dekoruar me “Urdhrin e Klasit të Parë” për veprimtari patriotike në vitin 1993 dhe ‘ALBAPOST’, në ciklin e figurave të shquara, për vitin 2001 emetoi emisionin e pullave. Po ashtu,  Sali Niazi Dede dhe Dede u shpall “Dëshmor i Atdheut” (vitin 2011) dhe “Nderi i Kombit” në vitin 2019. Kryegjyshi Botëror, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj vlerëson këtë dishepull: “Midis këtyre emrave të ndritur të dëshmorëve dhe ideatorëve të kombit, bënë pjesë padyshim edhe emir i kulluar i klerikut bektashian, Sali Niazi Dede erdhi në Shqipëri me një vizion të qartë dhe plotë shpresa se Qendra Botërore e Bektashinjve, duke u vendosur në jugperëndim të Evropës të krishterë në paqe dhe bashkëjetese me besimet e tjera fetare, por edhe do të kontribuonte në harmoni midis feve. Ky akt madhor, sot e kësaj dite, qëndron plot dinjitet midis zgjidhjeve të ndryshme të shqiptarëve, përgjatë historisë së vet, kjo është krenari për gjithë shqiptarët dhe sot në këtë 90 vjetor të ardhjes së tij në Shqipëri është shumë domethënës dhe e paimagjinueshme. Sot ne përulemi me respektin më të thellë ndaj personaliteteve të tillë, si “Dëshmor i Atdheut dhe “Nderi i Kombit” të cilët i bëjnë nder jo vetëm besimit bektashian, por krejt Shqipërisë dhe botës”.

Nuri ÇUNI

Sali Niazi Dede me klerikë të tjerë bektashi