Sot, dita e fundit e Matemit; nesër ceremonia e Ashures në Selinë e Shenjtë Bektashiane

Sot, të hënën, në orën 14, mbyllet Matemi dhe përgatitet Ashurja, ceremonia e së cilës, bëhet nesër, ditën e martë, datë 9 gusht 2022, në mjediset e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Në këto 10 ditë të Matemit, klerikët, myhibët dhe dashamirësit bektashianë, përkujtuan ditët e zisë, për Imam Hysenin dhe 72 dëshmorët e Qerbelasë. Ditët e Matemit, ndonëse ishin një sforcë fizike, por me një dobi shpirtërore, me vlera për të gjithë ata që e mbajtën atë (matemit) në të gjitha gjyshatat e Shqipërisë, në Ballkan, diasporë dhe në të gjithë komunitetet bektashiane në gjithë botën.
Me këtë rast, nëpërmjet një mesazhi, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, falënderon dhe bekon gjithë besimtarët bektashian e dashamirësit e kudo ndodhur, për më shumë shëndet, dashuri e vëllazëri, paqe e urtësi, me shpresën për dit’ më të mira, me besimin e patundur tek i Madhi Zot.
“Si Kryegjysh Botëror i Bektashinjve, falënderoj nga zemra vëllezërit e minj klerikë, myhibët, besimtarët dhe dashamirësit, që mbajtën 10 ditët e Matemit, në këtë sakrificë shpirtërore në përkujtim të gjithë profetëve, nga Ademi deri tek Muhamedi dhe përkujtimin e Imam Hysenit dhe dëshmorëve të Qerbelasë. Matemi i këtij viti që ne mbajtëm së bashku, përveçse një rritje respekti e adhurimi për profetët tanë, do të na shërbej për të shtuar përpjekjet dhe shpresën për ditë më të mira, që kjo kohë e trazuar që po kalojmë sot, të ndryshoj në kahien e së mirës, duke rritur besimi në dashurinë e pakufishme për Krijuesin Tonë. Kam besim të plotë se si kurdoherë, ne bektashinjtë kudo që jemi, do të jemi të parët në arritjen e këtij synimi.
Zoti u bekoftë të gjithëve! Amin!”

Përgatiti:
Nuri ÇUNI