SOT, DITA E PELEGRINAZHIT NË TEQEN E KRESHOVËS, KOLONJË

Ditën e hënë, më 28 gusht 2023, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, mori pjesë në pelegrinazhin tradicional vjetor, në teqenë e Kreshovës, Kolonjë.
Në këtë ditë të shënuar, përveç banorëve të zonës, të larguar ndër vite e dekada nga kjo trevë, emigrantë të ardhur me pushime në vendlindje, kishin ardhur dhe besimtarë e dashamirës nga krahina të ndryshme të vendit, deri nga Maqedonia e Veriut, Kosova e më gjerë.
Në fjalën e mbajtur të rastit, Kryegjyshi Botëror evokoi historinë e kësaj teqeje të lashtë, rolin e dervishëve e baballarëve që kanë punuar ndër dekada e shekuj në këtë teqe, si dhe punën që po bëhet nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane dhe Gjyshata e Korçës për ruajtjen e këtyre vlerave, e pasurimin e tyre.

Teqeja e Kreshovës.
Teqeja e Kreshovës ndodhet në rrugën nga Leskoviku në Korçë, në veri të fshatit Starje, Njësia Administrative Qendër Ersekë, Bashkia e Kolonjës. Ajo është themeluar prej Hasan Babait, në vitin 1900. Hasan Babai pati të paktën një zëvendësues para vitit 1923, pasi Xhemal Babai e kishte zmadhuar teqenë përpara kësaj date. Teqeja ka luajtur një rol të madh, në ngjarjet e viteve 1908-1912, ku patriotët e shquar të atyre viteve, si Sali Butka, baba Hysen Melçani, baba Ramadan Qatromi, Mihal Grameno, Themistokli Gërmenji, vëllezërit Qiriazi etj, zhvilluan në këtë teqe takime të fshehta duke organizuar vullnetarë për lirinë e Shqipërisë. Dervish Hima sillte abetare nga Sofja dhe i shpërndante në këto fshatra për mësimin e gjuhës shqipe. Sipas Hasluck, kjo qendër ishte e pasur dhe zotëronte shumë toka në rrethinat e saj. Në planin fetar, megjithatë bëhet fjalë për një teqe “mesatare”, sepse atje, rreth vitit 1923, numëroheshin tre dervishë dhe një baba. Kanë drejtuar teqenë klerikët: Hasani Babai (…1923), Xhemal Babai, (1923-1958), baba Selim Kreshova, para çlirimit. Në vitin 1940 e në vazhdim, drejtuan klerikët: baba Muharrem Alushi, dervish Zeqir Agalliu, dervish Feim Mahmutaj, dervish Izet Numani, baba Ahmet Alikollari (1950-1952), dervish Izet Numani (1940-1963), baba Abdulla Myslim Çela (1958-1967). Në vitin 1967, ajo u mbyll me ndalimin e fesë me ligj. Pas vitit 1990, (në tetor 2011) u ringrit një teqe e re, nën kujdesin e Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, për të cilën kontribuan vëllezërit pronarë të firmës “Larti”. Në 28 gusht të çdo viti, këtu bëhet pelegrinazhi tradicional.

Përgatiti: Xh. ÇULLHAJ