Sot është dita e pelegrinazhit në teqenë e baba Skënderit, në Lushnjë.
Teqeja e baba Skënderit ndodhet në qytetin e Lushnjës, Njësia Administrative, Qyteti i Lushnjës, Bashkia Lushnjë. Burimet historike japin misionarë të hershëm, që kanë ardhur në Lushnjë dhe lanë gjurmë. Në këtë trevë, ashtu si në zonat për rreth, Lushnjë, Rrogozhinë, Kavajë, Peqin, Elbasan dhe Gramsh, ka pasur kisha, xhami, tyrbe dhe teqe.
Fakti që nga shekuj më parë përmenden: një teqe në Çermë-Shkumbin, teqe e Matjanit në Garunjë, Vende të mira në Karbunarë e Sipërme, Mollas, teqe e Vogël në qyteti Lushnjës, Lagja teqe etj, pra në gjithë zonën e Lushnjës, rrëfen praninë e gjerë të besimi bektashian.
Në vitet 1860-1870, në Lushnjë u hap dhe shkolla Mejtepe (shkolla fillore fetare osmane) ndërsa në Karbunarë, ishte hapur pak vite më parë një shkollë e tillë. Pas vitit 1870, Lushnja filloi të dallohej si qendër dhe të marrë pamjen e një qyteti. Në vitin 1870, është themeluar teqeja e baba Skënderit, ku sot kemi tyrben e tij brenda qytetit. Ky është fakt domethënës, për rrezatimin dhe mesazhet që ka dhënë baba Skënderi mbi besimin bektashian, jo vetëm në qendër të Lushnjës, por edhe më gjerë. Ceremonitë fetare si Bajrami i Madh dhe Kurban Bajrami, Sulltan Nevruzi, matemi, ashurja, kanë mbetur të gjalla në memorien e besimtarëve dhe dashamirësve të qytetit të Lushnjës. Në vitet 1894-1896, Qendra e Kazasë së Myzeqesë (nënprefektura), kaloi nga Karbunara në Lushnjë.Teqeja është prishur herët. Pas viteve 1990m, është ndërtuar një tyrbe e bukur, (ku sot është lokali i “Met Çelës”), ku familja Çela i shërben sot këtij vendit të shenjtë..
Përgatiti:
Nuri ÇUNI