Sot, dita e pelegrinazhit në teqenë e Gjormit në Kurbin

Sot është dita e pelegrinazhit tradicional vjetor në teqenë e Gjormit në Kurbin, pelegrinazh i cili përkon me 228-vjetorin e themelimit të kësaj teqeje të njohur.
Teqeja e Gjormit ndodhet në fshatin Gjorm, Njësia Administrative Laç, Bashkia e Kurbinit. Ajo u themelua rreth vitit 1793 prej Hatemi Hajdar Babait (Kërçini), që ishte shoku i ngushtë i baba Shemimit nga Kruja. Me këtë të fundit, ai ishte kthyer në teqenë e Qoprilisë, në Jugosllavi, nga ku i shkroi letër parisë së qytetit Krujës dhe më pas, të dy erdhën në Krujë. në Kështu, në vitin 1793, baba Shemimi themeloi teqenë e njohur të Fushë-Krujës dhe Hatemi Hajdar Babai, atë të Gjormit. Të dy këta klerikë bektashinj, mësimet i morën në Haxhi Bektash të Turqisë, Aty mësuan për teologji dhe veshën harkan e klerikut bektashi. Ata të dy patën një vdekje tragjike. Baba Shemimi u vra dhe Hatemi Hajdar Babai u helmua nga kundërshtarët e bektashizmit. Rrugën e tij e vazhdoi vëllai i vogël baba Sulejmani (i martuar për të mos u shuar familja). Njëri nga fëmijët e tij, Dervish Sulejmani u vesh dervish dhe vazhdoi rrugën e Hatemisë dhe baba Sulejmanit.
Në këtë teqe, kanë shërbyer klerikët: Hatemi Hajdar Babai, baba Sulejmani dhe dervish Sulejmani. Për nder të tyre, populli i Gjormit ngriti dy tyrbe: Tyrbe Hatemi Babait dhe, tyrbe e dervish Sulejmanit, duke i quajtur ‘tyrbja e madhe’ dhe tyrbja e vogël.
Veç të tjerash, Hatemi Hajdar Babai, ka lënë edhe disa poezi interesante në turqisht. Ja disa vargje nga kjo pasuri e shkruar:
“Jam Abdall, një i përulur, Shahu im është Aliu./
Për të tjerë s`kam nevojë, kur është krahu im Aliu,/
Gjithë vajtimet që bëj unë, ahu im është Aliu,/
Vendi Kibbles Muhamedi, i përuljes është Aliu. ”
Pas vitit 1944, në këtë teqe ka shërbyer dhe dervish Muharrem Aliaj. Teqeja dhe tyrbet u prishën në vitin 1967 dhe u rindërtuan mbas vitit 1990 nga banorët e fshatit Gjorm.

Përgatitën:
N. Çuni
K. BORIÇI