Ritet e kësaj feste, nisin në Selinë e Shenjtë Bektashiane në orën 10:00 të ditës së sotme
Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj uron: ” Bekim paçi kurdoherë në veprat tuaja të mira. Zoti ju dhëntë shkëlqim dhe dritë në udhën tuaj. I lutemi Zotit të na lartësojë e të na mbushë me dashuri. Të na mundësojë përkushtimin moral e atdhetar duke përbuzur egoizmin, veset e huaja dhe falim dashuri njeriut për njeriun dhe lumturi familjare! ”
Nga Nuri ÇUNI
Sekretar i Përgjithshëm i Selisë së Shenjtë Bektashiane
Dita e sotme, 22 marsi, është dita e shënuar për miliona bektashinj në mbarë botën, është Dita e Sulltan Novruzit. Në këtë ditë, mjediset e Selisë së Shenjtë Bektashiane në Tiranë dhe në institucionet bektashiane kudo që ndodhen, presin besimtarë të shumtë në këto rite tradicionale. Me këtë rast, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimahj uron gjithë besimtarët bektashian të kudondodhur për festën e madhe të Sulltan Nevruzit: “ Bekim paçi kurdoherë në veprat tuaja të mira. Zoti ju dhëntë shkëlqim dhe dritë në udhën tuaj. I lutemi Zotit të na lartësojë e të na mbushë me dashuri. Të na mundësojë përkushtimin moral e atdhetar duke përbuzur egoizmin, veset e huaja dhe falim dashuri njeriut për njeriun dhe lumturi familjare”.
Festa e Sulltan Novruzit.
Në këtë ditë, nis stina e pranverës, sepse në këtë ditë, çdo gjë nis të marrë jetë e gjallëri. Dita nis me urimet më të mira për mbarësi, mirëqenie, paqe dhe dashuri. Në këtë festë, gjithë besimtarët veshin rrobat më të mira dhe vijnë së bashku, për të bërë faljen në këtë ditë të madhnueshme në Selinë e Shenjtë dhe çdo teqe. 22 marsi është shumë i pranishme në botën bektashiane. Fjala “ Nevruz“ do të thotë “Dita e re” (nga persishtja) dhe ’Sulltan’, është titull i lartë. Kjo ditë, e ka origjinën që herët. Në Shqipëri filloi të festohej që kur u përhap bektashizmi në shekujt XIV. Dita e Sulltan Novruzit përkon me ditën e lindjes së Imam Aliut. Për këtë festë, poeti ynë i madh bektashian Naim Frashëri ka thënë: “Sot është një ditë e re që përsëritet moti, lind Vera, lind ngrohtësia, lind Aliu, lind vet Zoti”. Kjo ditë përkujton edhe ditëlindjen e Imam Aliut, që lidhet me ringjalljen e jetës dhe me shpresën për ditë më të mira. Kjo ditë ka një domethënie të veçantë për gjithë besimtarët. Është dita e Imam Aliut, dhëndrit të profetit Muhamed, i cili ka qenë krahu i djathë i Profetit. Prandaj kjo festë, për bektashinjtë përfaqëson një ditë të shënuar dhe më të bekuara të vitit. Ai ka lindur më 22 mars dhe është një nga shenjtorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe, i pari i dymbëdhjetë imamëve. Imam Aliu, është një nga imamët e mëdhenj, i pajisur me një dituri të jashtëzakonshme. Profeti Muhamed thotë: “Unë jam qyteti i diturisë dhe Aliu është porta e tij” ose “Nuk ka trim si Aliu, nuk ka shpatë tjetër si Zylfikari Aliut. Kush do Alinë, më ka dashur mua, kush urren Alinë, më ka urryer mua”. Prandaj me të drejt u quajt prijës i besimtarëve arabë, dijetarëve arabë që bënë epokë të artë e që i dhanë dritë, njerëzimit mbarë. Ai ishte njeriu i luftës për përparimin njerëzor. Ai përdorte bukur fjalën për pikëllimin e shpëtimin njerëzor. Ai la pas tre parime: Shkallën e të menduarit, unitetin njerëzor dhe, drejtësinë. Prandaj mbeti simbol i përherëshëm. Aq sa bektashinjtë betohen: Ja Muhamed -Ali!
“Me këtë ditë bektashinjtë gatuajnë ushqimet karakteristike, që janë byreku me 12 lloj të ndryshme barishtesh,(spinaq, lëpjetë, majdanoz, fletë lakre, kopër, gjethe prasi, labot, qepë, oriz, etj). Në byrek, futet edhe një monedhë metalike. Pasi është pjekur byreku ndahet nga amvisa e shtëpisë në pjesë dhe më pas i jepet seicilit prej anëtarëve të familjes nga një pjesë. Ai që gjen monedhën në pjesën e tij është me fat.”
Si festohet Sulltan Nevruzi?
Në këtë ditë feste, pihet një gotë qumësht, i cili simbolizon lindjen e një dite të re. 22 marsi konsiderohet nga besimtarët bektashian një ditë e shenjtë. Sot, kjo ditë, përkon dhe 31-vjetori i rihapjes së Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, event ku mori pjesë Lumturia e saj e Shenjtë Nënë Tereza. Në këtë ceremoni fetare të rendësishme këndohet së bashku kënga karakteristike e kësaj feste: “Mirësevjen, mirësevjen/ Nevruz Sulltan!/ Meraba, meraba/ Nevruzi Sulltan/ Pa shikoni gjithësinë,/ Me sa bukuri,/ Sot po pret Imam Alinë,/ Me gaz dhe liri….”
Kjo ditë sipas besimit bektashian, shënon ditën e pranverës dhe ditëlindjen e Imam Aliut, e cila cilësohet në gjithë botën si dita e fisnikërisë bektashiane dhe dita e ringjalljes së madhe. Në këtë ditë çdo gjë mund të ringjallet, edhe pemët, edhe lulet. Në këtë ditë lind shpresa, ringjallja për gjithë njerëzimin. Ajo është një ditë e re. I gjithë njerëzimi në këtë ditë shpreson për një të ardhme më të mirë. Në vendin tonë kjo festë është edhe festë zyrtare, festa më e rëndësishme e bektashizmit çdo vit (e njohur si festë botërore dhe nga OKB). Me besimin tek Zoti me besimin tek vetja, kjo është një nga festat më të mëdha të bektashinjve. Në këtë ditë pjesë e saj është shpërndarja e qumshit, i cili sibolizon qumshtin e nënës, bërja e kurbanit apo pulë. Besimtarët vishen me rroba të reja dhe urojnë njeri-tjetrin. Në këtë ditë bëhen dy falje: Një bëhet nga Kryegjyshi në sy të gjithëve të pranishëm në Selinë e Shenjtë dhe tjetra sekrete e sejcilit besimtar në vendet e shenjta, për të përkujtuar dhe nderuar imamët e shenjtë.
Risitë në tradita
Në krahina të ndryshme ka edhe tradita të diferencuara. Në Krujë, Sulltan Novruzi festohej tri ditë rresht. Ditën e parë festohej në familje ku të gjithë anëtarët mblidheshin për të ngrënë drekën karakteristike të kësaj dite. Dita e dytë ishte e pleqve, sepse ata mblidheshin nëpër vende të shenjta për të nderuar imamët. Ata merrnin me vete ushqime të bollshme dhe festonin së bashku. Ndërsa dita e tretë ishte ajo e grave dhe e nuseve të reja. Ato mblidheshin së bashku për të festuar dhe pët t’u argëtuar. Festa niste në mëngjes dhe vazhdonte derisa ndizeshin dritat e teqesë. Pas këtij moment, ato shpërndaheshin nëpër shtëpi. Në këtë ditë këndohet mevludi (këngë karakteristike me lutje dhe lavde për Imam Aliun) dhe besimtarët vijnë në Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve në Tiranë dhe në çdo teqe bektashiane në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, Turqi, Amerikë etj. Në këtë ditë bëhen vizita tek njeri-tjetri. Sot shumë besimtarë tregojnë se edhe kur u ndalua feja me ligj në vitin 1967, i bënin ceremonitë fetare fshehurazi, Sulltan Nevruzin, Ashuren, Bajramin në shtëpitë e tyre.
“Në Sulltan Novruz, lind shpresa, ringjallja për gjithë njerëzimin. Ajo është një ditë e re. I gjithë njerëzimi në këtë ditë shpreson për një të ardhme më të mirë. Në vendin tonë kjo festë është edhe festë zyrtare, festa më e rëndësishme e bektashizmit çdo vit (e njohur si festë botërore dhe nga OKB). Me besimin tek Zoti me besimin tek vetja, kjo është një nga festat më të mëdha të bektashinjve.”
Çfarë gatuajnë besimtarët?
Me këtë rast bektashinjtë gatuajnë ushqimet karakteristike, që janë byreku me 12 lloj të ndryshme barishtesh,(spinaq, lëpjetë, majdanoz, fletë lakre, kopër, gjethe prasi, labot, qepë, oriz, etj). Bimët e tokës simbolizojnë jetën e re që çel në pranverë dhe begatinë, brenda në byrek futet edhe një monedhë metalike. Pasi është pjekur byreku ndahet nga amvisa e shtëpisë në pjesë dhe më pas i jepet seicilit prej anëtarëve të familjes nga një pjesë. Ai që gjen monedhën në pjesën e tij është me fat. Do të kalojë një vit të begatë e me mbarësi. Gatuhet përshesh me pulë ose mish qengji, qengji i pjekur, sultiaç është ëmbëlsira karakteristike e kësaj dite, sepse përbëhet nga qumështi, që është simbol i qumështit të nënës, orizi që sibolizon drithërat, bollëkun dhe sherbeti që merret i kënduar në teqe, gjithashtu në disa raste gatuhet edhe kabuni (me oriz, lëng mishi, sheqer, rrush të thatë dhe arra). Në këtë ditë feste pihet një gotë qumësht, që simbolizon lindjen e një dite të re. Në këtë ditë pjesë e saj është shpërndarja e qumështit, i cili simbolizon qumështin e nënës, bërja e kurbanit apo pulë. Nuk ka rëndësi se çfarë kubani bëhet, sepse varet nga mundësitë që kanë njerëzit, e rëndësishme është që të bëhet kurban, byreku, ëmbëlsira ose në fshatë bëhen edhe kuleç me petë dhe fëmijët i rrokullisin në arat me grurë për të sjellë bollëk.
Sulltan Nevruzi bënë thirrje për t’u ngritur mbi smirën, vesin e ligësinë, përcjell mesazhin për vlerësimin dhe mbrojtjen e vlerës sonë kombëtare, dashurinë për njeri-tjetrin, urtësinë, vëllazërimin mbarëkombëtar, tolerancën fetare dhe ndërfetare.