Sot, në mekamin e Gjonçit në Kolonjë, zhvillohet pelegrinazhi tradicional bektashian.
Në këtë rit të përvitshëm bektashian, do të marrin pjesë besimtarë nga Gjyshata e Korçës, nga treva e Kolonjës, por dhe nga edhe Përmeti, Skrapari, Korça, Devolli, Gjirokastra dhe nga trevat e tjera të Shqipërisë e jashtë saj, si dhe drejtues vendorë. Mes besimtarëve, është dhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Në këtë objekt bektashian e në gjithë këtë trevë, në kohë, ka një histori të pasur të dominimit të besimit bektashian, që lidhen dhe me kontributin e klerikëve të këtij besimi të paqtë. Dervish Elmazi dhe klerikëve të tjerë bektashianë, bashkë me qindra besimtarëve, ndër dekada, ndonëse u përballën me persekucionin zyrtar të regjimit, ditën ta mbajnë ndezur dritën e besimit, duke ecur në udhën e ndritur të Pirit tonë, duke gjetur prehje e shërim tek ky mekam i shenjtë me shpresën e palëkundur për ardhjen e ditës së besimit të lirë.
Kjo u realizua me ndryshimet e vitit 1990. Dervish Elmazi, emrin e të cilit mbanë tyrbja në Gjonç, është një klerik i njohur bektashi që gjatë gjithë jetës së tij, si shërbëtor i Udhës së Hakut, punoi pa pushim për bektashizmin, duke lënë gjurmë në gjithë zonën. Ai, është nderuar e nderohet për këtë kontribut nga brezat e besimtarëve këtu në Gjonç, në zonën e Kolonjës e më gjerë, ku punoi e ka bërë emër.
Nën shembullin e trashëguar, kohët e fundit, falë punës së bërë, po arrihet një shtrirje më e gjerë numerike e gjeografike e shtrirjes së besimit bektashian dhe në trevën jug-lindore të vendit.