Ditën e sotme, besimtarët e Përmetit e rrethinave, kanë një ditë të shënuar, pelegrinazhin tradicional vjetor në teqenë e njohur të Alipostivanit. Këtij riti, tradicional, i bashkohen dhe besimtarë të teqeve të tjera nga rrethinat, qytete të tjera të vendit e deri nga jasht Shqipërisë.
“…Teqeja e Alipostivanit, ka një histori të trashëguar si qendër e prehjes shpirtërore të bektashinjve të zonës e më gjerë, por dhe si objekt me tradita atdhetare. Objekti dhe klerikët që kanë drejtuar e drejtojnë në këtë teqe, i kanë qëndruar dhe kanë sfiduar shumë situate të vështira të kohës. Aktualisht, kjo teqe është rindërtuar e zgjeruar, me përkushtimin e vëllait tonë, baba Hekuranit, duke ruajtur e çuar më tej traditat që ka…”- pohon mes të tjerave, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Sipas dokumenteve, kjo teqe e njohur e me histori, është ndërtuar para vitit 1900. Ajo është vendosur, në një kodër dominuese që shikon luginën e Vjosës dhe malin e Nemërçkës, në Alipostivan, Njësia Administrative Qendër-Piskovë, Bashkia e Përmetit. Ajo është themeluar nga Abdullah Babai. Abdullah Babai dhe baba Dule Përmeti, kanë përkrahur dhe marrë pjesë në të gjitha lëvizjet dhe mintingjet për gjuhën shqipe në vitet 1908-1909. Kohëve ndër vite, në këtë objekt bektashian, kanë shërbyer baba Meleqi, baba Hyseni, baba Hajdari, baba Nazifi etj. Kjo teqe, ka lozur një rol të rendësishëm në përhapjen e bektashizmit në zonën e Dëshnicës dhe fshatrat kufitar të Skraparit. Në vitin 1914, ajo është djegur nga andartët grekë dhe, është rindërtua në vitin 1920. Të tjerë klerikë që kanë shërbyer në këtë teqe, janë: në vitet 1955-1956, baba Hajdar Hodo dhe dervish Selfo Mersini; në vitin 1963 shërbente baba Hajdar Xhafer Kajo dhe në vitin 1967, baba Hajdar Hado dhe dervish Qamil Metushi. Ajo u mbyll nga shteti monist në vitin 1967 dhe u rihap në maj të vitit 2003. Janë bërë në të investime dhe restaurime të rëndësishme, ku të bie në sy ndërtesa e re e teqesë, tip kupolë me ambiente të bollshme karakteristike bektashiane. Tyrbet dhe teqeja me natyrën përreth krijojnë një nga bukuritë e veçantë në luginën e Vjosës. Në këtë mrekulli arkitektonike dhe strehë të paqtë bektashiane, është dora dhe drejtimi i baba Hekuran Nikollarit..