Teqeja e Qesarakës ndodhet në fshatin Qesarak, Njësia Administrative Çlirim, Bashkia e Kolonjës. Është themeluar nga populli i Qesarakës, për nder të shenjtorit Haxhi Babaj. Historia e tij është sa mitike dhe reale. Ai, ka sjellë një dorë dhe ma varri i Abaz Aliut në Qerbela dhe ngriti varrin kenotaf për nder tij, në Çukën e Tomorrit në vitin 1600. Ndërroi jetë duke udhëtuar në fshatin Qesarakë. Teqeja ka lozur një rol të rëndësishëm ndaj lëvizjes kombëtare dhe për gjuhën shqipe. Petro Nin Luarasi, e kishte strehë këtë teqe.
Në vitin 1914, andartët grekë dogjën teqenë dhe arrestuan baba Ibrahim Qesarakën. Teqeja u rindërtua pas shumë viteve. Ajo përfshinte ndërtesa një katëshe dhe bodrume në formë drejtëkëndshi me mur guri me rreshta të rregullta dhe, ambientet e nevojshme sipas traditës bektashiane. Çatia u mbulua me rrasa guri. Tyrbja madhështore tip kupolë, ka një arkitekturë të veçantë pozante me dritare të mëdha në mes dhe afër kupolës, ka qenë tre katësh, por e prishën grekët në vitin 1914. Pranë saj janë varre të baballarëve dhe dervishëve. Është e rrethuar me qiparisa dhe pemë të ndryshme frutorë.
Kanë drejtuar këtë teqe shumë baballarë të njohur si: baba Qemal Qesaraka, baba Jahjai, vëllami i Haxhi Babait, dervish Ahmeti, baba Selmani, baba Shukriu, baba Shabani, baba Ibrahim Shkëmb etj… Në vitin 1940, këtu drejtonte dervish Riza Qesaraka. Në periudhën 1950-1963, këtu drejtoi dervish Ahmet Riza Shkëmbi. Në vitin 1967, ajo u mbyll nga shteti monist. U rihap në vitin 2000, kohë në të cilën e drejtoi, baba Xhemal Shkëmbi.
Është shpallur monument Kulture nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës, me vendim nr. 1886, datë 10. 06.1973.