SOT, DITË PELEGRINAZHI NË TEQENË E BUBËSIT, PËRMET

Dita e sotme, 15 qershor 2024, është një ditë e veçantë për të gjithë besimtarët bektashianë pasi sot zhvillohet pelegrinazhi tradicional bektashian, në teqenë e Bubësit, Përmet.
Teqeja e Bubësit është padyshim në vargun e atyre vatrave shqiptare të cilat e kuptuan se pavarësia e atdheut mund të arrihet vetëm me pushkë dhe me penë. Në mënyrë të veçantë në fillim të shekullit të kaluar kjo teqe u shëndrrua në vatër atdhetarie. Baba Aliu i dha një frymarrje krejtësisht nacionale asaj teqeje duke ofruar dashuri, paqe, bukë dhe fishekë për çetat e luftëtarëve të Përmetit, për ata burra që vunë interesat e kombit para gjithçkaje. Në unitet të plotë me vendimet e marra nga baballarët e teqeve të Frashërit, të Alipostivanit, të Përmetit, të Prishtës, të Gjirokastrës, teqeja e Bubësit u gjend kurdoherë e gatshme që të priste dhe përcillte së bashku me atdhetarët e shquar edhe djemtë që donin të mësonin shkrim e këndim.
Populli i Bubësit asnjëherë nuk e kurseu ndihmën e tij për baba Aliun, i cili rriti dhe zgjerojë teqenë, zbukuroi truallin e saj jo thjesht me mësimet e Haxhi Bektash Veliut por edhe me dashurinë për Përmetin dhe gjithë Shqipërinë.
Padyshim një rol të veçantë në historinë e kësaj teqeje ka luajtur edhe familja Zaimaj, me ata pasardhës të artë të baba Aliut, të cilët i japin jetë dhe frymë trashëgimisë fetare të kësaj teqeje.

Përgatiti: Xh. ÇULLHAJ