SOT, DITË PELEGRINAZHI, NË TEQENË E GRESHICËS-MALLAKASTËR

Dita e 13 marsit, është një ditë e veçantë për bektashinjtë e zonës së Mallakastrës e rrethinat, pasi është dita e pelegrinazhit tradicional vjetor që zhvillohet në Teqenë e Grashicës-Mallakastër, përkatësisht, në “Vendi i Shenjtë”, në Shëndëlli.

Kjo ditë, mbledh në këtë vend besimtarë të ardhur nga Mallakastra, Aranitasi, Vlora, Fieri, Lushnja, Berati, Tirana etj.

Kryegjyshi Botëror Bektashian, është afër besimtarëve, të cilët i uron dhe bekon: “…Me dashurinë ndaj Zotit dhe punën tonë do ti respektojmë këto vende të shenjta. Baballarët e teqesë Greshicës i kanë shërbyer këtij vend të Mirë. Ne duhet të jemi të bashkuar, në harmoni dhe të punojmë vazhdimisht për shëndetin dhe mirëqenien e seicilit, të punojmë se të mirën e kemi këtu. Rinia të mos largohet por të punoj këtu, jo në dhe të huaj, sepse Shqipërinë do ta bëj rinia dhe ajo është e ardhmja e vendit tonë. Në këtë vend të shenjtë tani e tutje do të bëjmë pelegrinazh më datën 13 mars. Do rindërtohet tyrbja dhe do të bëhet rregullimi i rrugës. Urimet më të mira dashuri dhe vëllazëri. Zoti ju bekoftë të gjithëve, Amin!”