SOT, NË TEQENË E ZALLIT, PËRKUJTOHET 81-VJETORI I KALIMIT NË AMËSHIM I SELIM RUHI BABAIT

Sot, më 29 tetor 2025, në Teqenë e Zallit, përkujtohet 81-vjetori i ndarjes nga jeta i Selim Ruhi Babait, një prej figurave më të ndritura dhe më të ditura të Tarikatit Bektashi të shekullit XIX.

Selim Ruhi Babai ishte një klerik i urtë, dijetar dhe njeri i kulturës, që la pas një trashëgimi të pasur shpirtërore dhe intelektuale.
Pasi kreu studimet fillore në Elbasan, ai vazhdoi mësimet në medrese (kolegj fetar), të cilat i përfundoi me sukses në moshën 16-vjeçare.
Në vitin 1885, bashkë me të atin, shkoi në Gjirokastër te Baba Aliu, ku mori dorë dhe vijoi për dy vjet të tjera në kursin e posaçëm të kolegjit të qytetit. Aty u pajis me një kulturë të gjerë, duke zotëruar tre gjuhë klasike fetare: arabishten, turqishten dhe persishten.
Ai mori ixhazetnamenë (dekretin kulturor) dhe qëndroi pranë Baba Aliut deri në vitin 1888.
Pas tre vitesh, më 1891, u dorëzua dervish në Teqenë e Zallit, pikërisht nga Baba Aliu.
Dashuria për dijen nuk e la kurrë. Ai sillte vazhdimisht libra të rinj nga Stambolli, të cilët i lexonte dhe i studionte me pasion.
Nuk kishte libër apo koment që të mos e kishte parë; njohuritë e tij shtriheshin përtej fushës fetare, duke përfshirë historinë, gjeografinë, letërsinë, shkencën dhe filozofinë.
Falë kësaj përgatitjeje të gjithanshme, Baba Selimi u konsiderua një nga klerikët më të kulturuar të kohës së tij – një vlerësim që ia njihnin të gjithë ata që e vizitonin.
Njeriu dhe mësuesi Selim Ruhi Babai njihej për butësinë, urtësinë dhe pamjen e tij fisnike. Ishte i bardhë e i kuq në fytyrë, i ëmbël në fjalë dhe i dashur në sjellje – një prani që të mbushte shpirtin me paqe.
Pas ndarjes nga jeta të Baba Aliut në vitin 1907, sipas porosisë dhe dekretimit të tij, Baba Selimi mori drejtimin e Teqesë së Zallit, duke e udhëhequr me përkushtim dhe dinjitet për plot 37 vjet rresht.
Këtë trashëgimi shpirtërore e dëshmon edhe kënga popullore që lindi në ditët e ndarjes nga jeta të Baba Aliut:
“Të enjten mbrëma, e xhuma u gdhi,
Dervishët i mblodhi, u bëri porosi:
‘Pa dëgjoni, çuna, unë jam jollxhi.’
Dervishët i thanë: ‘Vemi ne për ty.’
‘Jo, mor çuna, jo, njëja s’bëhet dy;
Por në këmbën time Baba Selimi,
Ai është unë, unë jam ai!”
Këto fjalë janë dëshmi e trashëgimisë shpirtërore që Baba Selimi përfaqësoi: vijimësi, dritë dhe përkushtim ndaj Zotit dhe njerëzimit.
Sot, 81 vjet pas ndarjes së tij nga jeta, kujtimi i Selim Ruhi Babait ( 29 tetor 1944) mbetet i gjallë në zemrat e besimtarëve dhe të gjithë atyre që nderojnë dijen, urtësinë dhe dashurinë për njeriun.