Sot, përurimi i tyrbes në teqen e bekuar të Golimbasit-Vlorë.

Kryegjyshata Botërore Bektashiane dhe Gjyshata e Vlorës, nën kujdesin e veçantë të Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj,  organizuan sot,  më datë 30 maj 2021, ora 10:00, një veprimtari në lidhje me përurimin e tyrbes bektashiane, në teqen e bekuar të Golimbasit – Vlorë.
Ringritja e kësaj tyrbeje me eshtrat e Klerikëve të teqesë, është një ngjare e shënuar për çdo besimtar bektashin të Vlorës dhe gjithë Shqipërisë. Përkujtimi i kësaj ngjare të shënuar sot,  është një vlerësim tjetër për brezat e klerikëve, dervishëve e baballarëve të Haxhi Bektashit, të cilët, gjatë rrugëtimit të tyre të Shenjtë, u përballën edhe me mohimin e të drejtës së besimit, duke u privuar me burgime, internime, persekutime e deri në pushkatime.
Por ata u ngritën mbi krejt këto vështirësi, me shpirtin e paepur për atdhedashuri, me shpresën tek Zoti i Lartësuar dhe përmes sakrificave të panumërta ruajtën të paprekur nderin e shqiptarit, duke e çuar para misionin fetar e atdhetar të besimit të paqtë bektashian.
Të pranishën në këtë aktivitet ishin edhe Prefekti i Qarkut Vlorë z. Flamur Mamaj, personalitete të larta shtetërore, shoqërore, klerikë dhe besimtarëve të shumtë.
Përshëndetja e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Dede Edmond Brahimaj, bekimi i tij, u pritën me adhurim dhe krijoi një atmosferë miqësore, shoqërore e besimi, e cila vazhdoi gjatë gjithë aktivitetit. “ Është nder dhe kënaqësi e veçantë për mua, të marr pjesë në këtë veprimtari që lidhet me ngritjen e tyrbes në teqen e bekuar të Golimbasit dhe më lejoni që në cilësinë e Kryegjyshit Botëror Bektashian t’ju falenderoj për praninë tuaj. Zoti i Lartësuar, kujtimet e paharruara të baballarëve dhe dervishëve tanë, le të na zbukurojnë ditët dhe jetët tona! Teqeja bektashiane e Golimbasit, zë fill në mesin e Shekullit të 19-të, duke iu shtuar mozaikut të teqeve të Kaninës, Kuzum-Babait, Kuçit, Smokthinës dhe Kurorës së Malit dhe duke mbledhur dashamirës bektashianë në të dy krahët e lumit Vjosa, veçanërisht prej atyre të Kudhës-Gërhotit dhe Mallakastrës së Sipërme. Veçanërisht në fillimet e shekullit të 20-të, me ardhjen këtu të klerikut dhe atdhetarit të shquar, baba Sali Matohasanit, teqeja e Golimbasit do të shndërrohet në vatër të ngrohtë për përhapjen e gjuhës shqipe. Abetaret shqipe të ardhura nga Sofja dhe Kostanca, gjithmonë përmes rrugëve të fshehta, u bënë objekte të dashur për fëmijët e kësaj treve, të cilët së bashku me dijet e para për Zotin dhe Kombin, mirrinin edhe uratat e baba Sali Matohasanit dhe baba Shuaip Aliajt. Por sikundër është folur edhe në hitoriografinë shqiptare, teqeja e Golimbasit do të luante një rol mjaft të rëndësishëm në Vlorën e viteve 1910-1912, atëherë kur lëvizja jonë autonomiste do të ishte në kulmin e saj. Në vitin 1910, teqesë i shtohen dy dervish të rinj, Bektash Aliaj dhe Rakip Sadiku, të cilët në frymën dhe shembullin e baba Shuaipit, do të mbanin mbi supe jo thjesht kodet zakonorë të tarikatit tonë, por edhe peshën e ngjarjeve kombëtare. Mejdani i teqesë së Golimbasit do të priste në vitet 1910-1912, burra trima të Kudhës-Gërhotit, të cilët do të ndërmernin më tutje aksione të rëndësishëm kundër otomanëve. Të tillë si: Kanan Maze, Pasho Karafili, Hodo Mahilaj, Xhelal Aliu, Belul Mustafaj, Boro Kapaj etj, do të mbeteshin besnikë të fjalëve të dhëna në mejdanin e teqesë deri në frymën e fundit të tyre. Ngritja e flamurit në Vlorë, në nëndorin e vitit 1912, do t’i gjente babanë dhe dy dervishët e teqesë së Golimbasit në Kuzum-Baba dhe në teqen e Kaninës, duke dhënë kontributin e tyre në ato ditë të vështira për gjithë Shqipërinë. Klerikët bektashianë ishin të parët që bekuan flamurin e ngritur nga Ismail Qemali, duke u kujtuar mijra ndjekëse të tarikatit thënien e Haxhi Bektash Veliut që “bektashinjtë e kanë detyrim mbrojtjen e atdheut.” Por edhe pas ngritjes së flamurit, Shqipëria jonë me halle nuk do të gjente dot qetësi. Grekërit në njërin krah, italianët e serbët në krahë të tjerë, vërsuleshin të shqyenin kufijtë e Shtetit te sapolindur. Në këto momente, klerikët dhe besimtarët bektashianë të Kudhës-Gërhotit, u mblodhën si një grusht i vetëm, kundër politikave italiane që kërkonin aneksimin e trojeve tanë. Teqeja e Golimbasit, sërish thirri kuvendet e burrave dhe myhibëve të shquar, të cilët manifestuan me vepra dhe fjalë, shqiptarizmin e kulluar të kësaj treve. Ishte kjo arsyeja që pranverën e vitit 1916, forca të komandës ushtarake italiane mbërrijnë në teqen e Golimbasit, duke “këshilluar” klerikët këtu, të hiqnin dorë nga qëndrimi i tyre. Por kjo nuk mund të ndodhte kurrsesi. Tri-katër muaj më pas, (Sipas dokumenteve të Arkivit të Shtetit Shqiptar) dervish Bektash Aliajn dhe dervish Rakip Sadikun i arrestojnë dhe i dërgojnë në kampet e internimit në Siçili, së bashku me dhjetra atdhetarë të tjerë vlonjatë. Sipas dëshmive që kanë ardhur deri tani në ditët tona, qëndrimi dy vjeçar i këtyre dy klerikëve bektashianë në kampet e punës në Siçili, është një shëmbull i vyer jo thjesht për brezat e besimtarëve tanë, por krejt shqiptarëve. Përveç punëve të rënda fizike dhe dhunës shpirtërore, këta dervish të Haxhi Bektashit, do të përballeshin edhe me mohimin e të drejtës së besimit. Por ata u ngritën mbi krejt këto vështirësi, me shpirtin e paepur vlonjat, me shpresën tek Zoti i Lartësuar dhe përmes sakrificave të panumërta ruajtën të paprekur nderin e shqiptarit dhe të bektashiut. Edhe në ato kushte të mjerueshme, dervish Bektashi dhe dervish Rakipi mbajtën matem e gatuan ashure, duke çuditur Siçilinë me vetmohimin e tyre fetar. Në vitet që rodhën më pas, teqesë së Golimbasit do t’i shtohej edhe një dervish tjetër, Arshi Bazaj, i cili kish marrë dorë tek baba Ahmet Turani dhe ish rritur me frymën e dervish Bektashit. Energjik për nga natyra, i vedosur në rrugën e Hakut, besnik i traditave më të vyera të Krahinës së Lumit të Vlorës, dervish Arshiu do të mbante në ato vite një peshë të rëndësishme të detyrimeve fetare dhe njerëzore të teqesë. Ky vend i bekuar do të lulëzonte dita-ditës, madje do të merrte jetë edhe vendi tjetër i shenjtë në Kurorën e Malit, ku përreth mezarit të baba Hamzait, do të shkonin pelegrinë nga i gjithë Jugu i Shqipërisë. Edhe në vitet e vështirë të Luftës së Dytë Botërore, teqeja e Golimbasit, sikundër gjithë teqetë tona, pritën e përcuallën luftëtarë të lirisë, pa dallim të krahëve politikë, qofshin këta nacionalçlirimtarë apo nacionalistë. Baba Bektashi, dervish Rakipi dhe dervish Arshiu, patën kurdoherë në vëmendjen e tyre, Zotin dhe Atdheun, duke bërë çfar ishte e mundur, për të ruajtur dlirësinë e familjes së përkryer bektashiane, por edhe traditat e spikatura të bujarisë dhe atdhetarisë së Lumit të Vlorës. Motra dhe vëllezër! 60 vjet më parë, baba Bektash Aliaj, duke parë se si besimi në Zot, po kontrollohej dhe po anatemohej nga regjimi, duke parandjerë goditjen që do të merrnin teqetë, u vetsakrifikua. Pas tij, do të mbyllte sytë edhe dervish Rakipi, ndërsa pishtarin e Haxhi Bektash Veliut do ta mbante të ndezur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dervish Arshi Bazaj, i cili deri në fund të jetës, nuk do ta hiqte nga mendja këtë vend, ku jemi mbledhur sot. “E vërteta vonon por nuk harron” thotë populli ynë. Teqeja e Golimbasit u rrënua por erdhi dita të ringrihet dhe me shpresë tek Zoti, të mbushet me besimtarë bektashian si dikur. Një falenderim kam sot për të gjithë ata, që kontribuan shpirtërisht dhe materialisht në ringritjen e tyrbes me eshtrat e Klerikëve të teqesë dhe veçanërisht për nënën tonë të nderuar Aishe, e cila u shërbeu me urtësinë dhe dhimbshurinë e nënave vlonjate, dervish Bektashit dhe dervish Rakipit, deri kur ata u larguan nga kjo jetë. Një falenderim shkon gjithashtu për Nebi Aliaj, Novruz Aliaj, Hysen Aliaj, Drini Dapaj, vëllezërit Kapaj, Sotir Vesho, Përparim Shameti, Edmond dhe Agim Aliaj, të cilët bënë çfar ishte e mundur për të ringritur këtë tyrbe dhe për t’i rikthyer teqesë së Golimbasit në një mënyrë modeste, shkëlqimin e saj të dikurshëm. Ne dhe brezat që vijnë, do t’u jenë kurdoherë mirënjohës, çdokujt që rrëfen me vepra devocionin e tij ndaj Krijuesit. Edhe një herë më lejoni t’ju falenderoj që erdhët të ndajmë së bashku gëzimin e kësaj dite, e cila sot e tutje do të fiksohet si ditë pelgrinazhi për çdo besimtar bektashin të Vlorës dhe gjithë Shqipërisë.” 
Përshëndeti gjithashtu Prefekti i Qarkut Vlorë z. Flamur Mamaj, i cili vlerësoj lartë rolin e bektashizmit në këtë trevë,  duke u ndalur në mënyrë të veçantë në teqen e Golimbasit dhe veprën e baba Bektash Aliaj dhe dervish Rakip Sadiku. Ai falenderoi Kryegjyshin, Dede Edmond Brahimaj, për kujdesin e vazhdueshëm në evokimin e ngjarjeve të tilla që i bëjnë nder trevës së Kudhës-Gërhotit.
Ndërsa Kryetari i Shoqatës Mbarëkombëtare “Labëria” Prof. Dr. Ago Nezha pas përshëndetjes në fjalë, i dorëzoi  Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj “Mirënjohja e Labërisë ” për baba Bektash Aliaj, me motivacionin për veprën e tij të shquar kombëtare dhe fetare, për qëndrimin stoik në kampet e internimit në Siçili, si edhe për frymën e shenjtë që shpërndau për brezat e besimtarëve bektashianë. 
Në fund ishte Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili i dorëzoi znj. Haishe Aliaj mirënjohjen e Selisë së Shenjtë Bektashiane me motivacionin “Për shërbimet e saj në teqen e Golimbasit dhe kontributin e spikatur të mbajtjes gjallë të besimit në Zot, prej vitit 1967 deri më sot.”
Grupi polifonik i Sevasterit e bëri akoma më të këndshëm këtë ditë, e cila u fiksua në kalendarin e Selisë së Shenjtë, si ditë pelegrinazhi.