Sot, përvjetori i tretë i përurimit të Odeonit në Selinë e Shenjtë Botërore Bektashiane

Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj: Odeoni, pasqyrë e historisë së ndritur 800-vjeçare të bektashizmit që do pasurohet në vazhdimësi!
Si sot tre vite më parë, përkatësisht më 7 shtator të vitit 2015, në një ceremoni krejt të veçantë, me pjesëmarrjen e drejtuesve më të lartë të shtetit shqiptar, klerikëve të besimeve të ndryshme fetarë, të ftuarve të shumtë nga hapësirat mbarëshqiptare e vende të ndryshme të botës, si dhe qindra besimtarëve, në mjediset e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë, u bë ceremonia e përurimit të odeonit bektashian, një vepër madhështore dhe unikale në llojin e vet. Kjo datë mbetet një datë e shënuar për miliona besimtarë bektashinj në mbarë botën dhe njëkohësisht një festë përkujtimore e përvitshme për ‘ta. Kështu ndodh edhe sot, plot tre vite më parë. Në Selinë e Shenjtë do të mblidhen qindra besimtarë, të cilët së bashku në mjediset funksionale të odeonit, do të luten e falen tek Krijuesi, e njëkohësisht, me krenarinë e ligjshme të materializimit të një pjese të rëndësishme të historisë tetë shekullore të bektashizmit në hapësirat e këtij objekti shumë-funksional, do të meditojnë e mendojnë për më shumë paqe, mirësi e dashuri për të ardhmen. “Përkujtimi i ndërtimit të odeonit, është një vlerësim për rrugën e ndritur të besimit tonë bektashian, një kujtesë dhe obligim për çfarë kanë bërë brezat e klerikëve tanë deri tani dhe çfarë duhet të bëjmë për të ardhmen. Odeoni që ne përuruam plot dy vite më parë, është pasqyrë e historisë së ndritur 800 vjeçare të bektashizmit që do pasurohet në vazhdimësi. Në këtë ditë ne përkujtojmë me respekt iniciatorët dhe realizuesit e parë të këtij projekti, Ahmet Dede Myftari e Dede Reshat Bardhin, deri tek brezi aktual që materializoi këtë projekt…”- pohon mes të tjerave Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Ndërtimi i Odeonit
Ideja për ndërtimin e Odeonit në Selinë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane ka zanafillën në vitin 1960, me iniciativën Kryegjyshin Botëror Ahmet Dede Miftari. Synimi ishte që të ndërtohet një objekt shumë-funksional për historinë e bektashizmit në afro 8 shekuj, traditat atdhetare të këtij besimi dhe përcjelljen e tyre brez pas brezi te besimtarët. Ndërkohë, merita e veçantë për projektin dhe nisjen e punimeve, i takon Dede Reshat Bardhit, i cili ishte dhe mbetet kleriku që ringriti këtë besim në hapësirat shqiptare e shumë më gjerë të këtij besimi pas ndryshimeve në vitin 1990. Ndërkohë, Kryegjyshi Botëror aktual, ka meritën e realizimit të plotë të projektit, duke realizuar dhe amanetin e paraardhësve të tij. Pra, tre më parë, u ndërtua dhe përurua ky objekt kulti shumë-funksional. Odeoni është konceptuar, projektuar dhe ndërtuar si një vepër unikale dhe e vetme e këtij lloji në botë. Ai është një faltore unikale për besimtarët. Objekti është një kompleks shumëfunksional ku ndër të tjera përfshihen muzeu u bektashizmit, biblioteka, salla e leximit, mjediset e arkivës, salla për medien, salla e leximit e mjedise të tjera ndihmëse. Ndërkohë, që një projekt i afërt, parashikon që të nisë emetimin dhe një radio.
Kur bëhet fjalë për këtë objekt të rëndësishëm të ndërtuar me kontributin e besimtarëve dhe financim të pjeshëm nga shteti, nuk duhet harruar kontributi direkt i klerikëve bektashianë, biznesmenëve dashamirës dhe qindra besimtarëve. 
Vlerësime dhe mesazhe
“Dede Edmond Brahimaj: Përkujtimi i ndërtimit të odeonit, është një vlerësim për rrugën e ndritur të besimit tonë bektashian, një kujtesë dhe obligim për çfarë kanë bërë brezat e klerikëve tanë deri tani dhe çfarë duhet të bëjmë për të ardhmen. Odeoni që ne përuruam plot tre vite më parë, është pasqyrë e historisë së ndritur 800 vjeçare të bektashizmit që do pasurohet në vazhdimësi. Në këtë ditë ne përkujtojmë me respekt iniciatorët dhe realizuesit e parë të këtij projekti, Ahmet Dede Myftari e Dede Reshat Bardhin, deri tek brezi aktual që materializoi këtë projekt…”