SOT, SHËNOHET 95-VJETORI I KONGRESIT TË III-TË BEKTASHIAN, ZHVILLUAR NË TEQENË E TURANIT, KORÇË

Sot, 26 shtator 2024, mbushen plot 95 vjet, nga mbajtja e Kongresit të III-të Bektashian, në teqenë e Turanit, Korçë, një ndër ngjarjet shumë të rëndësishme të historisë gati tetë shekullore të këtij besimi të paqtë. 
Kjo ngjarje e shënuar, përkujtohet në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane ashtu edhe në gjithë gjyshatat bektashiane në Shqipëri e jashtë saj.
Kongresi i III-të i Bektashinjve, u mbajt më 26 shtator 1929, në teqenë e Turanit, në Korçë.
Kongresi erdhi si një nevojë për riorganizimin e komunitetit bektashi në territorin shqiptar e më gjerë. Ai pasonte disa kongrese, ku i pari ishte ai në teqenë e Prishtës (Skrapar) mbajtur më 17 janar 1921 dhe kongresi i dytë, në teqenë Hajdarie, (Gjirokastër) në 9 korrik 1924.
Në këtë Kongres morën pjesë 47 delegatë nga ku 34 prej tyre ishin të ftuar (laik), mes tyre edhe prefekti i Korçës Hil Mosi dhe kryebashkiaku Vasil Avrami, ndërsa nga komuniteti bektashi, kryetari Gjysh Kamber Prishta.
Kongresi më datë 28 shtator miratoi Statutin e Komunitetit Bektashian. Personeli fetar duhet të ishte mbi 25 vjeç dhe organizimi i brendshëm do të ishte nën strukturën: Kryegjysh, Këshill Miks, këshilla vendore të gjyshërve, këshilla të prindërve si edhe ofiqarë shërbimi fetar. Komuniteti bektashi është person juridik dhe gëzon të drejtat të personit moral. Komunitet ndahet në Gjyshëri, si ajo e Krujës, Elbasanit, Korçës, Frashërit, Prishtës, Gjirokastrës.
Vendi ku u krye ky kongres, Teqeja e Turanit, u bë qendra e parë Botërore e përkohshme e Bektashizmit në Shqipëri. Pas këtyre zhvillimeve në mars të 1930 Mbreti Zog emëron Kryegjysh Botëror të Bektashinjve Sali Niazi Dedenë e më pas me vendimin nr. 659, dt. 02.08.1930 vendosi Selinë e Shenjtë Botërore në Tiranë.