TAKIM FRYMËZUES MES PËRFAQËSUESVE TË FEDERATËS SË PAQES UNIVERSALE DHE KRYEGJYSHIT BOTËROR BEKTASHIAN

Ditën e premte, më 24 tetor 2025, delegacioni i Federatës së Paqes Universale (UPF), bashkë me përfaqësues të Global Women’s Peace Network (GWPN) dhe personalitete të shquara nga fusha të ndryshme të jetës publike, akademike, kulturore e fetare, zhvilloi një vizitë në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane në Tiranë.

Delegacioni u prit me ngrohtësi dhe respekt në Selinë e Shenjtë Bektashiane nga Kryegjyshi Botëror, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj.

Takimi u zhvillua në një atmosferë vëllazërore dhe frymëzimi shpirtëror, ku u shkëmbyen mendime mbi rolin e fesë, kulturës dhe dialogut ndërfetar në forcimin e paqes, bashkëjetesës dhe harmonisë mes njerëzve.

Në fjalën e Tij, Shenjtëria e Tij Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj theksoi se “Paqja fillon në shpirtin e njeriut”, duke nënvizuar se dashuria, respekti dhe mirëkuptimi janë themelet mbi të cilat ndërtohet një botë më e drejtë dhe më e bashkuar.

Përfaqësuesit e Federatës së Paqes Universale shprehën mirënjohjen e tyre për mikpritjen dhe për rolin e çmuar që Kryegjyshata Botërore Bektashiane luan në promovimin e tolerancës, dialogut ndërfetar dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, si një qendër shpirtërore që rrezaton vlera universale të paqes dhe humanizmit.

Gjatë takimit, delegacioni ndau gjithashtu përvojat dhe mesazhet e frymëzimit të marrë nga aktiviteti artistik “Fjalë që ndërtojnë Paqe!”, i zhvilluar në qytetin e Durrësit, në kuadër të nismave kulturore që synojnë afrimin e popujve përmes artit dhe letërsisë.

Në përfundim të takimit, palët shprehën vullnetin për të vijuar bashkëpunimin dhe për të forcuar nismat që mbështesin paqen, dialogun dhe solidaritetin ndërmjet komuniteteve, duke e vendosur Shqipërinë në qendër të vlerave të bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare.