TAKIM I KRYEGJYSHIT BOTËROR TË BEKTASHINJVE ME PËRFAQËSUES TË AMBASADËS SË SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS NË TIRANË

Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, dhe njëkohësisht Kryetar i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë për vitin 2026, ditën e sotme, zhvilloi në mjediset e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës, një takim miqësor dhe konstruktiv me të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Sh. Saj. Znj. Nancy VanHorn, si dhe me znj. Amelia Hintzen, Oficere Politike në këtë ambasadë.

Takimi u zhvillua në një frymë të hapur bashkëpunimi dhe mirëkuptimi, ku palët diskutuan mbi zhvillimet aktuale që lidhen me jetën fetare në vend, sfidat me të cilat përballen komunitetet fetare dhe rëndësinë e forcimit të dialogut ndërfetar si një element kyç për stabilitetin shoqëror dhe zhvillimin demokratik të vendit.

Gjatë bisedës, Kryegjyshi Botëror theksoi se Shqipëria përfaqëson një model unik të bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare, ku komunitetet fetare kanë bashkëpunuar historikisht me njëra-tjetrën, duke kontribuar në ndërtimin e një shoqërie të bazuar në respektin, tolerancën dhe mirëkuptimin reciprok. Ai nënvizoi se ruajtja dhe kultivimi i kësaj harmonie mbetet një detyrë e përbashkët për të gjitha institucionet fetare dhe shoqërore, pasi ajo përbën një nga vlerat më të rëndësishme të identitetit shqiptar.

Në cilësinë e Kryetarit të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë për vitin 2026, Haxhi Dede Edmond Brahimaj vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm mes krerëve të komuniteteve fetare zyrtare në vend, të cilët përmes dialogut, aktiviteteve të përbashkëta dhe qëndrimeve të koordinuara kontribuojnë në forcimin e harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare. Ky bashkëpunim përbën një shembull të rëndësishëm jo vetëm për rajonin, por edhe më gjerë, duke dëshmuar se dialogu dhe respekti i ndërsjellë janë rruga më e sigurt drejt paqes dhe stabilitetit.

Nga ana e Saj, Znj. VanHorn vlerësoi rolin e rëndësishëm që luajnë institucionet fetare në promovimin e vlerave demokratike, respektin për lirinë e besimit dhe forcimin e dialogut ndërfetar në Shqipëri. Ajo shprehu vlerësimin për kontributin e vazhdueshëm të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane dhe të krerëve të komuniteteve fetare në ruajtjen e stabilitetit shoqëror dhe në promovimin e tolerancës fetare.

Gjatë takimit u diskutua gjithashtu për rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve fetare dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për promovimin e dialogut ndërfetar, edukimin e brezave të rinj me vlerat e tolerancës dhe respektit për diversitetin fetar, si dhe forcimin e rolit të komuniteteve fetare në shoqëri.

Në përfundim të takimit, palët riafirmuan gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin dhe komunikimin e ndërsjellë në të ardhmen, me synimin e përbashkët për të mbështetur paqen, harmoninë fetare dhe vlerat universale të mirëkuptimit dhe bashkëjetesës. Ky takim shërbeu si një tjetër dëshmi e marrëdhënieve të mira dhe bashkëpunimit të frytshëm ndërmjet Kryegjyshatës Botërore Bektashiane dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë në shërbim të promovimit të dialogut, tolerancës dhe stabilitetit në Shqipëri.

Fotot: Nuri Çumani