
Ditën e shtunë, më 8 nëntor 2025, në ambientet e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, u zhvillua një takim i veçantë me anëtarët e Federatës Universale të Familjes, një organizatë ndërkombëtare e përkushtuar në promovimin e paqes, dialogut dhe vlerave universale të familjes.
Në qendër të këtij takimi ishte Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj i cili mirëpriti delegacionin me ngrohtësi dhe dashamirësi, duke shprehur vlerësimin e tij për punën e Federatës në ndërtimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet njerëzve të feve dhe kulturave të ndryshme. Në fjalën e tij, Kryegjyshi theksoi se “familja është themeli mbi të cilin ngrihet paqja, dashuria dhe respekti ndërnjerëzor”, duke shtuar se bashkëjetesa dhe mirëkuptimi janë pasuri të mëdha që duhet ruajtur e kultivuar për brezat që vijnë.
Takimi u mbajt në një atmosferë të ngrohtë dialogu dhe reflektimi shpirtëror, ku përfaqësuesit e Federatës ndanë përvojat e tyre mbi projektet që synojnë forcimin e familjes dhe bashkësisë njerëzore. Diskutimet u përqendruan në nxitjen e tolerancës, edukimit me vlera dhe bashkëpunimit ndërkombëtar për paqen.
Pas pjesës zyrtare, të ftuarit patën mundësinë të vizitojnë ambientet e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, duke përfshirë Odeonin, Muzeun, Arkivin dhe hapësirat historike, ku u njohën më nga afër me trashëgiminë shpirtërore, kulturore dhe historike të komunitetit bektashi.
Ky takim përforcoi edhe një herë rolin e Kryegjyshatës si qendër e rëndësishme e dialogut ndërfetar dhe e paqes, duke treguar se respekti, dashuria dhe vlerat familjare janë ura që lidhin njerëzimin përtej dallimeve.
Fotot : Nuri ÇUMANI








