Sot, në Selinë e Shenjë, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj priti në një takim Ambasadoren e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, znj. Fiona McCluney.
Gjatë bisedës, u diskutua mbi angazhimin dhe përfaqësimin e Kryegjyshatës në institucionet evropiane dhe bashkëpunimin me strukturat e OKB-së.
Një nga pikat kryesore të takimit ishte prezantimi i dy projekteve të rëndësishme që synojnë promovimin e turizmit ndërfetar dhe pasurive të bektashizmit, duke theksuar vlerën e harmonisë fetare në Shqipëri si një model i rrallë bashkëjetese.
Ambasadorja McCluney pati gjithashtu mundësinë të vizitonte muzeun e Kryegjyshatës, duke u njohur nga afër me historinë, kulturën dhe trashëgiminë e pasur bektashiane, si dhe me pasuritë shpirtërore dhe kulturore që Shqipëria mbart.
Ky takim përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e dialogut ndërfetar dhe bashkëpunimit institucional për promovimin e paqes dhe tolerancës në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Përgatiti: Xh. CULLHAJ