Teqe e Madhe e Elbasanit, ndodhet në veri të qytetit, pranë rrugës automobilistike Elbasan-Korçë dhe përfshihet në territorin e njësisë administrative Fushë-Labinot, Bashkia Elbasan.
Ajo është themeluar nga Fakri Xhefai Babai më 19 mars 1803. Dy baballarët Fakriu, janë nga fisi Timuri që sot quhen Hajrullau, ndërsa fisi Xhafai rrjedh prej fisit Haskajve, janë bashkëkohësit e Shememi Babait të Krujës, i cili në vitin 1806 ka mbjellë një fik te teqeja, i cili është edhe sot e kësaj dite. Ata drejtuan teqenë deri në vitin 1850. Baballarët e tjerë që drejtuan këtë teqe, kanë qenë nga familjet e njohura në Elbasan si: Balza, Ekmeçiu dhe veçanërisht, nga familja Dedei (periudha, 1874 – 1967). Pas 23 vjetësh të themelimit, teqeja u shkatërrua nga misionarët e Sulltan Mamudit të I, në vitin 1826. Baballarët u larguan nga persekutimi turk. Xhefai Babai, në këtë persekucion, iu drejtua për ndihmë, fisit Xhani, në Luzin e Kavajës dhe ata, fshehurazi e ndihmuan për kalimin e lumit Shkumbin, për në teqenë e Frashërit. Këtu, ai qëndroi pranë teqesë së Frashërit me baba Alushin e famshëm,deri në vitin 1829. Shoqëruesi i tij, Abdulla Xhani, u vesh dervish nga baba Alushi. Xhefai Babai, u kthye në Elbasan nga Frashëri në vitin 1829. Kurse dervish Abdullai (Xhani), nga 1829 e deri sa kaloi nga jeta, drejtoi teqenë e Luzit të Kavajës. Teqeja e Madhe u rindërtua plotësisht nga shkatërrimet e misonarëve turq, në vitin 1850, nga Haxhi Daut Babai, dijetar i shquar, i cili e drejtoi teqenë e Madhe deri 1861.
Më pas (1862-1868), shërbeu Qefshi Baba Mustafa Baltza, i cili drejtoi me përkushtim dhe populli e quajti “Njeri i shenjtë“. Në vazhdim, këtë teqe të njohur e drejtuan klerikët e njohur: Baba Hysen Duhanxhiu (viti, 1863), që erdhi nga Gjirokastra e ndërroi jetë në fund të këtij viti; Haxhi Hazbi Hysen Babaj (1870 – 1874); Hylki Ali Baba Dedej (1874 – 1897); zëvendësi i tij, Sedki Salih Baba Dedej, vazhdoi drejtimin (1897 – 1914). Ky, u gradua Halife “gjysh“, në Haxhi Bektash dhe u burgos nga Haxhi Qamili. Teqeja u dogj nga rebelët qamilistë në vitin 1914, që është shkatërrimi i dytë i kësaj teqeje. Në këtë kohë, Hylysi Baba Ahmet Dedej, përshtati si godinë të teqesë, magazinën e barit që ndodhej aty pranë, (1914 – 1926).Në vitin 1940, në këtë teqe shërbenin dervishët: dervish Musa Qazim; dervish Mehmet Zykaj; dervish Aziz Krena; dervish Met Kërpica; dervish Musa Humaduna; dervish Muharrem Metalla; dervish Ibrahim Duhanxhiu; ofiqar shërbimi, Qamil Metush. Më pas drejtuan Haqi Mustafa Baba Dedej (1926-1950); Musa Qazim Baba Dedej (1950 – 1962); gjysh Ibrahim Kuka (7 janar 1963); Baba Sherif Canametaj, (1963-1967). Teqe e Madhe e Elbasanit, u mbyll nga shteti monist në vitin 1967. Kjo teqe, është shpallur ‘Monument Kulture’, me Vendim nr. 6, datë 15.1.1963, nga Rektorati i Universitetit Shtetëror të Tiranës.
Pas vitit 1967, në ‘të u vendos repart ushtarak. Pas vitit 1990, teqeja u zu nga banorët dhe sot, nuk ka më origjinalitetin e mëparshëm të saj. Rihapja e teqeve në Elbasan u bë më 14 qershor të vitit 1993. Nën drejtimin e baba Sherifit, (1993-1994), u ringritën tyrbet e Teqesë së Madhe në nëntor 1995. Pranë Teqesë së Madhe, është ngritur teqe e re në vitin 2019. Në përkujtim të themelimit të kësaj teqeje me histori të madhe, njëkohësisht, sot përkujtohet kontributi i shquar të dervishëve dhe baballarëve në shekuj.
Përgatitën:
Nuri ÇUNI
Kujtim BORIÇI