
Martanesh, 29 qershor 2025 – Në një atmosferë të ngrohtë e përplot ndjeshmëri shpirtërore, qindra besimtarë, klerikë dhe dashamirës të bektashizmit u mblodhën në zemër të krahinës së Martaneshit për të festuar 155-vjetorin e themelimit të Teqesë së Ballenjës, një prej gurthemelëve të trashëgimisë fetare dhe mistike shqiptare.
Përmes shekujve, Teqeja e Ballenjës ka qenë jo vetëm një vend i shenjtë për pelegrinë nga e gjithë Shqipëria, por edhe një vatër patriotike, ku është mbrojtur dhe kultivuar gjuha shqipe në kohë të vështira. Ajo ka mbijetuar mes flakëve të luftërave, ndërhyrjeve të huaja dhe persekutimit komunist, për t’u ringritur çdo herë, si dëshmi e gjallë e shpirtit rezistent të komunitetit bektashi.
Në këtë ngjarje të shënuar mori pjesë edhe Kryetarja e Bashkisë Bulqizë, znj. Festime Mjeshtri e cila përshëndeti me respekt të veçantë besimtarët e pranishëm, duke vlerësuar rolin e Teqesë së Ballenjës si një trashëgimi shpirtërore dhe kulturore me rëndësi kombëtare. Ajo uroi këtë përvjetor të rëndësishëm dhe theksoi se bashkëpunimi me komunitetet fetare, në veçanti me bektashinjtë, mbetet një përparësi për institucionin vendor që ajo drejton.
Me këtë rast të veçantë, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, mbajti një fjalim të ngrohtë dhe përplot frymëzim shpirtëror:
“Të nderuar klerikë, besimtarë e dashamirës të bektashizmit, të krahinës së Martaneshit dhe nga e gjithë Shqipëria.
Sot shënon një ditë e veçantë për Teqenë e Ballenjës , kremtojmë 155 vjetorin e këtij objekti kulti të rrallë të bektashizmit, mistik dhe mrekullibërës për shumë besimtarë. Teqeja që mban emrin e Pirit të dytë të bektashizmit Ballëm Sulltanit është themeluar në hershmëri, në formën e një kulle në vitin 1795 (nga populli i Martaneshit, Kostenjës, Grykës së Madhe me ndihmën e Pashait të Shkodrës), në shërbim të vendit të shenjtë të Ballëm Sulltanit (Piri i dytë i bektashizmit), që ndodhet në malin përballë teqesë.
Si institucion i plotë fetar në vitin 1870, u ngrit teqeja e Ballëm Sulltanit, aty ku ishte kulla e Mahmud Pashës, nën drejtimin e baba Hysen Malit. Për këtë këndohet Nefesi:
“ Ndriçon si yll drite
Rrëzë këtij mali,
Teqeja që ngrite,
Baba Hysen Mali.”
Ajo është djegur për herë të parë nga serbët në luftërat ballkanike dhe së dyti, nga italianët më vitin 1942. Teqeja u rindërtua pjesërisht në vitin 1955. Kjo teqe kishte lidhje me teqenë në fshatin Peshk, themeluar nga baba Jashari (ishin një institucion i përbashkët), rreth një orë e gjysmë larg saj. Me rëndësi është të përmendim rolin e rëndësishëm patriotik në mësimin e gjuhës shqipe të teqesë.
Në këtë 155 vjetor nderojmë sot klerikë , myhybë dervish kandil ndezës, besnikët e Vendit të Mirë, që kanë shërbyer me devotshmëri , që gjatë dimrit kanë dhënë edhe jetën dervishët: dervish Hasani, besimtari Beqir Zhabolli, dervish i baba Jasharit. Vazhduan më pas klerikët: baba Mustafa Xhani (1939-1944), baba Hasim Shehaj, dervish Ibrahim Halil Gjoni, dervish Et’hem Mataj, deri në vitin 1967. U mbyll në vitin 1967 nga shteti monist i kohës.
Kulla u rindërtua, në themelet e saj të hershme dhe përfundoi në vitin 1999. Më pas u ndërtuan komplekset e reja, teqeja dhe ambiente të tjera. Më 29 qershor të çdo viti organizohet pelegrinazhi për Ballëm Sulltanin miratuar më 2003. Kjo teqe është shpallur monument kulture të kategorisë I-rë nga Ministria e Kulturës me Urdhër nr. 388 datë 16.06.2017, “Vendi i Mirë Ballëm Sulltan (Guva), pranë teqesë së Vjetër” dhe zona e mbrojtur e tij.
Në ditët e para të fillimit të matemit, agjërimit 10 ditor për nder të dëshmorëve të Qerbelasë, sot është e udhës të përkujtojmë Pirin e II të Bektashizmit, Ballëm Sulltanit, që dha një kontribut të vyer në udhën mistike bektashiane dhe mistika e këtij vendi të Shenjtë udhëzon e ndihmon mijëra pelegrinë që janë në nevojë dhe kërkojnë ndihmë për shërimin e shpirtit dhe të papriturave që sjell kjo botë e përkohshme. “Mëshira e Zotit është udhëzuesi më i mirë. Një njeri i mençur është ai që nuk e humb shpresën nga mirësia dhe mëshira e Zotit”. Imam Ali
Ballëm Sulltani na qoftë ndihmë në këto ditë të vështira që njerëzimi po kalon , sjelltë paqe, mirësi, harmoni në familje, shëndet e prosperitet për të gjithë! Amin!”
Përvjetori i 155-të i Teqesë së Ballenjës është më shumë se një datë simbolike. Është një dëshmi e qëndrueshmërisë së besimit, një ftesë për paqe e bashkëjetesë, dhe një thirrje për t’u rikthyer te rrënjët shpirtërore dhe kombëtare të identitetit tonë.








































