
Teqeja e Koshtanit, një nga qendrat më të rëndësishme të bektashizmit në jug të vendit, festoi sot, 15 tetor 2025, 218-vjetorin e themelimit të saj. E njohur për kontributin e shquar në Rilindjen Kombëtare dhe si vatër e gjuhës shqipe, kjo teqe është themeluar prej Baba Sadikut me origjinë nga Durballi Sulltan i Greqisë, i ndihmuar nga Shememi Babai i Krujës, duke treguar se ajo mund të jetë ngritur para vitit 1807.
Në ceremoninë përkujtimore morën pjesë Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, kryetari i bashkisë Tepelenë, përfaqësues të pushtetit vendor, besimtarë dhe banorë të zonës. Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryegjyshi Botëror vlerësoi historinë dhe rolin e Teqesë së Koshtanit në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe besimit kombëtar, duke theksuar:
“Teqeja e Koshtanit është një nga gurët e çmuar të historisë shpirtërore të kombit tonë. Kjo vatër dritëdhashëse, që hapi shkollën e parë shqipe të Tepelenës, na kujton se dashuria për atdheun, për Zotin dhe për dijen janë një dhe të pandashme. Sot, ne përulemi me respekt para gjithë brezave të dervishëve e baballarëve që mbajtën gjallë këtë dritë.”
Në 15 tetor 1908, në Teqenë e Koshtanit u hap shkolla e parë shqipe në rrethin e Tepelenës. Nga ato ditë dhe në vijim, gjatë gjithë kohës që vijoi ajo shkollë, Baba Ahmet Koshtani, në krye të asaj teqeje, përballoi përndjekjet e armiqve të arsimit shqip dhe vuri në dispozicion të shkollës pasurinë e teqesë. Ajo u bë flamurtare jo vetëm në Tepelenë, por edhe më gjerë. Në librin “Shkolla dhe klube në Vilajetin e Janinës” për shkollën e Koshtanit shkruhet:
“Përgjithsisht shkollat në harkun kohor 1908-1912 hapeshin dhe drejtoheshin prej klubeve patriotike në rang vilajeti, sanxhaku apo kazaje. E veçanta e shkollës së Koshtanit ishte se ajo u hap ende pa u krijuar klubet në Tepelenë, apo dhe ai ‘Drita’ në Gjirokastër. Në mbështetje ndërkaq ishin gjithë teqetë bektashiane.”
Në historinë e saj, teqeja është udhëhequr nga shumë klerikë të shquar që i dhanë emër dhe shpirt këtij institucioni: Baba Sadik Horasani, Baba Ismail Rruçaj, Baba Ibrahim Horasani, Baba Muharremi, Baba Ahmet Resulaj (Mavrova e Vlorës, 1903-1914), Baba Kaso Veizaj (Amanikaj, 1914-1939), Baba Shefqet Mahmutaj nga Gllava (1923-1946), Dervish Ibrahim Muharrem Ruçaj (1944-1952), Baba Abedin Merko Koxhaj (Greshica e Mallakstrës, 1956-1959), Baba Abedin Agaj (1959-1961), Dervish Ibrahim Muharrem Ruçaj (1961), Baba Adem Mahmutaj (Gllava, 1963), Baba Fejzi Koshtani, Baba Kasëm Koshtani, Dervish Islam Koshtani, Dervish Muharrem Koshtani, Dervish Qazim Koshtani, Dervish Xhafer Koshtani, Baba Myrteza Tinari (Mollasi i Korçës, 1967) dhe Baba Abdyl Shehu (1994-2021).
Në këtë teqe kanë shërbyer ndër vite edhe klerikët: Baba Muharremi, Baba Ismaili, Baba Shefqeti Gllava (1939), ndërsa në vitin 1940: Baba Shefqet Hajdari, Dervish Muharem Tare, Dervish Qazim Sadiku, Dervish Ibrahim Muharremi, Dervish Xhemal Kapo, Dervish Tahir Banush, Dervish Xhafer Ahmed dhe Dervish Shabani. Në vitet 1950 e në vijim drejtuan Baba Abedin Greshica, Dervish Muharrem Zhapokika, Dervish Ibrahim Zhapokika, e më vonë Baba Abedin Agaj me Dervish Hysen Merdanin, Dervish Demir Xhakajn, Dervish Xhafer Sinamemajn, Dervish Hamza Xhelilajn dhe Baba Adem Maksutajn.
Në periudhën e Luftës së Dytë Botërore ka shërbyer në këtë teqe Dervishi Arshi Bazaj nga fshati Shkozë i Vlorës, i cili në fund të luftës emigroi jashtë vendit dhe u bashkua me Baba Rexhebin në teqenë bektashiane të Detroitit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Teqeja e Koshtanit është ndërtuar në një shesh të bukur malor dhe ka formën karakteristike “L” të teqeve bektashiane, me dhoma të bollshme për mejdanin, dhomat e pritjes dhe bisedave, ashefin, kuzhinën dhe dhomat e fjetjes. Ajo ka qenë një qendër fetare dhe ekonomike e zhvilluar në krahinën e Tepelenës. Pas mbylljes nga regjimi monist në vitin 1967, teqeja u rihap në vitin 1991. Në vitet pas rihapjes janë ringritur tyrbet e Baba Ahmetit, Baba Sadikut, Baba Ismailit, Baba Myrtezajit dhe tyrbja e Baba Muharremit në kodrën pranë teqesë. Me vendim të datës 26 shtator 2006, Teqeja e Koshtanit është shpallur monument kulture, duke u kthyer në një pasuri të çmuar të trashëgimisë shpirtërore shqiptare.
Sot, Teqeja e Koshtanit vazhdon të mbetet një qendër e rëndësishme fetare, kulturore dhe historike, që ruan traditat bektashiane dhe identitetin kombëtar të krahinës së Tepelenës, një vend i shenjtë që bashkon besimin, dijen dhe dashurinë për Atdheun.














