Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, vlerësohet me një tjetër titull prestigjioz ndërkombëtar. Në ceremoninë tradicionale të ndarjes së Çmimeve të Tolerancës dhe Paqes për këtë vit, ai u nderua me titullin “Unaza e Tolerancës dhe e Paqes” nga Akademia Evropiane e Shkencave dhe Arteve, në një ceremoni të veçantë, të organizuar ditën e enjte, më datë 18 nëntor 2021, në Universitetin Teknik të Këlnit, Gjermani. “Me çmimin, ne së bashku po japim një shembull për një shoqëri të hapur, plurale, urgjenca e së cilës do të vazhdojë e pandërprerë...”- theksoi mes të tjerave në momentin e dorëzimit të Titullit, Presidenti i TH Stefan Herzig. Dede Edmond Brahimaj, ishte ndër katër personalitetet që u vlerësua me këtë mirënjohje të lartë. Ceremonia u moderua nga Joachim Frank, kryekorrespondent i “Kölner Stadt-Anzeiger”. Ajo u zhvillua si pjesë e ceremonisë së ndarjes së çmimeve për unazat e tolerancës, me të cilat akademia nderon njerëzit që bëjnë fushatë për dialogun ndërkufitar për paqen dhe kundër racizmit. Këtë vit çmimin e kanë marrë Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Kryegjysh i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Tiranë; Andrea Riccardi, historian italian dhe themelues i Komunitetit Katolik të Sant’Egidio; dhe Ëalter Homolka, rabin.
Përshëndetja e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Të nderuar organizatorë të këtij eventi kaq simbolik, akademik e pedagogë!
Të nderuar vëllezër të mij, përfaqësues të feve të ndryshme! Ndihem me fat që jam sot këtu dhe do të më lejoni që në cilësinë e Kryegjyshit Botëror Bektashian, t'ju uroj gjithë të mirat e begatitë në udhën e bekuar të paqes universale!
Titulli që unë marr sot, "Unaza e tolerancës dhe e paqes” është më tepër se sa nder dhe krenari për mua personalisht. Ky titull i lartë, është pa më të voglin dyshim, një vlerësim i thellë për misionin që tarikati ynë i Islamit ka përmbushur në shekuj: atë të frymëzimit të paqes dhe prosperitetit. Është po aq, vlerësim për gjithë brezat e klerikëve bektashianë, të cilët në substancë të jetës dhe veprës së tyre patën kurdoherë devocionin ndaj Krijuesit, të ndërthurur me dashuritë dhe liritë njerëzore. Do të doja ta nisja këtë kumtesë me shprehjen :"Nëse një hendek i thellë ndan besimin e fqinjit tim nga besimi im, ekziston gjithmonë ura e artë e tolerancës, mirëkuptimit dhe vëllazërisë ", “Për të pasur besim në rrugën tonë, nuk kemi nevojë të vërtetojmë se rruga e dikujt tjetër është e gabuar, por të pranojmë besimin e tjetrit sepse rrugët për të besuar në Zot janë të ndryshme, por qëllimi është i njëjtë"
I lindur 800 vite më parë, tarikati të cilit i përkasin sot miliona ndjekës në të gjithë botën, përfshiu në gjirin e doktrinës së tij, dashurinë e thellë për vëllanë që ke në krah, pamvarësisht ngjyrës apo racës, por vetëm e vetëm për hirë të dashurisë ndaj Krijuesit. Është unike në krejt historinë fetare, por gjithsesi e rëndësishme për t'u rrëfyer sot këtu, se në bektashizëm, nëse një grup besimtarësh shkojnë në teqe, marrin miratimin shpirtëror dhe bekimin e dervishit apo babait, qysh prej asaj dite, ata bëhen vëllezër e motra, njëlloj sikur të jenë prej prindërish biologjikë. Një akt i tillë, ndonëse kanë kaluar shekuj të tërë, e ruan ende sot madhështinë dhe ndjenjat sublime të dashurisë shpirtërore.
Ka qënë pa dyshim, një nga arsyet, që ndonëse në historinë e tarikateve, shumë e humbën shkëlqimin apo identitetin e tyre, bektashizmi përkundrazi, erdhi duke u rritur dhe duke fituar hapësira gjeografike nga shekulli në shekull. Ne mund të krenohemi sot se doktrina jonë e paqtë, qëndrimi ynë i urtë dhe gjithëpranues, i frymëzuar prej Haxhi Bektash Veliut në Azinë e dikurshme, sot përcillet mrekullit në Ballkan, ne Europë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe deri në Australinë e largët.
Veçanërisht në vendin tim, në Shqipëri, tarikati bektashian ka kryer misionin e vet historik jo thjesht si një lëvizje fetare, por si një trashëgimi vlerash të identitetit tonë kombëtar. Në mënyrë të dukshme, në historinë shqiptare të këtyre dy shekujve të fundit, bektashizmi ka ideuar dhe ngritur ura paqeje midis balancave të brishta të krishtera dhe myslimane, i udhëhequr nga thënia profetike: 'Pa atdhe nuk ka fe'! Kjo ka bërë që Shqipëria, t'u mbijetojë situatave nga më të ndërlikuarat, ku luftërat dhe mëritë ballkanike nuk kanë të mbaruar ende sot.
Nxjerrja e qartë e tolerancës është shprehur nga ajeti i Kuranit për të gjithë besimtarët e fesë Islame që është: "Për ju është feja juaj dhe për mua është feja ime". (Kuran 109:6). Ne nuk mund t'i detyrojmë të tjerët të pranojnë këndvështrimin tonë, fenë ose besimin tonë. Siç shkruhet në Kuranin Famëlartë: “Nuk ka detyrim në fe…” (Kuran 2:256). “Për shkak se të gjithë janë krijuar nga Zoti i Plotfuqishëm, Krijuesi i të gjitheve, njerëzit duhet ta trajtojnë njëri-tjetrin me nderim të plotë, respekt dhe dashamirësi.” (Kuran, 17:70).
Në konceptet e dialogut dhe të harmonisë fetare në vendin tonë, ne jemi përpjekur të unifikojmë kurdoherë, traditat e veçanta dhe respektive të komuniteteve, entitetin sakral, qëndrimet diverse, me zhvillimet dhe kodet shpirtërorë të kohrave që jetojmë. Ne jemi të vetëdijshëm se brezat e sotëm, janë të rrezikuar përballë "njëmijë e një kurtheve” që tradita sekulariste u ngre atyre. Njëherazi ne jemi po kaq të vetëdijshëm se Zoti, i Vetmi, i Gjithëmëshirshmi na udhëzon dhe na drejton që ne të udhëheqim këtë brez përmes sakrificave gjithfarësh. Ne mbetemi shpresëplotë se çdo lloj barrier e gjërave lëndore, të përkohshme, mund të kapërcehet prej një zemre të mbushur me dashurinë për Zotin. Islami mund të tolerojë çdo gjë, por ai mëson zero tolerancë për padrejtësinë, shtypjen dhe shkeljen e të drejtave të qenieve të tjera njerëzore.
Shkruht në Kuranin famëlartë: “Dhe pse të mos luftoni në rrugën e Zotit dhe të atyre që, duke qenë të dobët, keqtrajtohen? Burra, gra dhe fëmijë, thirrja e të cilëve është: “Zoti ynë! Na shpëto nga ky qytet, banorët e të cilit janë zullumqarë, dhe na nxirr nga ana jote një që do të mbrojë dhe na nxirr nga ana jote një që do të ndihmojë". Secili prej nesh duhet të kontribuojë e të jap asetet më të ndritshme e të fuqishme të tij një ndër to edhe tolerancë , një gur i rëndë themeli i një shoqërie në zhvillim.
Të nderuar të pranishëm!
Islami si fe e gjallë dhe paralele me natyrën njerëzore dhe veçanërisht tarikati bektashi i mëson pasuesit e tij që të ruajnë jetën njerëzore në mënyrë gjithëpërfshirëse, pavarësisht nga feja, raca dhe prejardhja. Në të njëjtën kohë, i mëson njerëzit të jenë të gatshëm të luftojë çdo kërcënim, tirani dhe persekutim që rrezikon sigurinë njerëzore kjo sinjifikon tolerancën fetare.
Islami praktikon tolerancë që është falëse dhe bujare. Paqja e shpirtit, është fuqia që mund ta nënshtrojë dhe mposht armikun me urtësi dhe si një kështjellë që mund t'i rezistojë kryengritjes së Satanait. Prandaj, Islami shpesh i mëson ithtarët e tij që të jenë falës në jetën e feve të tjera, qëndrimin falës të mendjes fisnike dhe njerëzimit dhe të respektojnë të drejtat e të tjerëve. Politika e tolerimit të dallimeve në Islam kërkon pajtim me historinë si dhe një pajtim (si në raportin ndërmjet Islamit dhe modernitetit) që duhet së pari të vijë nga brenda besimit dhe shpirtit.
Ajo çfarë dua të ndaj me ju, pamvarësisht protokollit festiv të kësaj ceremonie, është pikërisht ideja se: "xhevahiri" i tolerancës dhe dialogut ndërfetar, ne shqiptarëve nuk na është dhuruar njëherë e përgjithmonë. Sidomos në këta vitet e fundit, kur epoka e teknologjisë virtuale shpërfaq kodet e veta të komunikimit, përcjelljes se ideve dhe vizioneve, ne vlen të jemi të kujdesshëm. Prandaj çdo ditë e më shumë u afrohemi traditave tona zakonore, thelbit të besimit.
Një herë kur Profeti (a.s.) u pyet: "Çfarë është imani (besimi/besimi)?" Ai (alejhi selam) u përgjigj: “Imani (besimi) është durim, urtësi dhe tolerancë”. Toleranca dhe durimi janë karakteristikë e besimit të vërtetë, sjelljes së mirë dhe karakterit të drejtë e të palëkundur.
Vlen të jemi të ndjeshëm por edhe të bashkuar në qëndrimet tona, përballë të gjitha sfidave, pamvarësisht nga cila kahje vijnë ato. Gjithmonë në emër të brezave të sotëm, të atyre që do të vijnë, të prosperitetit dhe paqes universale. Qëndrimi i tolerancës kërkon që dallimet që ekzistojnë përsa i përket fesë, besimit, qëndrimit dhe mirëkuptimit të mos shërbejnë si vijë ndarëse në një marrëdhënie të mirë midis njerëzve në të gjitha fushat e jetës. Përkundrazi, shpirti i njeriut duhet të ushqehet në mënyrë që të jetë i prirur drejt ndërtimit të një marrëdhënieje harmonike në jetë në krahasim me përçarjet që koha në të cilën po jetojmë dikton. Duke qenë tolerant ndaj dinjitetit dhe karakterit njerëzor, mund të formohet vetëpërmbajtja dhe ndërtohen urat lidhëse të tolerancës e mirëkuptimit.
Meqënëse çdo vit në datën 16 nëntor ne festojmë ditën ndërkombëtare të tolerancës , dhe dhënia e çmimit është shumë afër kësaj date do të doja të nënvizoja faktin që në botën tonë të përbashkët, promovimi i tolerancës është mënyrë që të ndërtohet harmonia midis diversitetit i cili do të sigurojë një ardhmëri më të mirë. Të gjithë duhet të synojmë ndaj kujdesjes së vlerave njerëzore, nxitjes së përgjegjësisë sociale, me një fjalë bashkimin e botës në një familje”sepse në thelb toleranca është kusht për paqe.
Ju faleminderit edhe një herë për titullin e sotëm! Zoti ju bekoftë të gjithëve! Amin!