Nëpërmjet një mesazhi , Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj ka ngushëlluar familjet e viktimave të zjarrit në diskotekën në Koçan të Maqedonisë së Veriut.
Në një diskotekë në qytetin Koçan, Maqedonia e Veriut, 51 të rinj, të moshave 14-25 vjeç, humbën jetën tragjikisht nga zjarri, ndërsa 118 të tjerë pësuan djegie të shkallëve të ndryshme dhe helmim nga monoksidi i karbonit. Ndër ta, 18 janë në gjendje të rëndë.
Në mesazhin e Tij, ndër të tjera, Dede Edmond Brahimaj, pohon: “…Mësuam për këtë tragjedinë të rëndë dhe në emër të miliona bektashinjve kudo në botë, shprehim ngushëllimet e thella të afërmëve të viktimave, shërim të shpejtë të plagosurve dhe përshëndesim strukturat shtetërore vendase dhe atyre që kanë afruar ndihmë, që me besimin tek i Madhi Zot, ndjenjën e humanizmit e sakrificës, të bëjnë maksimumin për minimizimin e pasojave, nga kjo tragjedi e rëndë. Është momenti që kjo tragjedi, të paqëtoj më tej shpirtrat tanë, dashurinë e harmoninë vëllazërore, pa dallim race, etnie, besimi e ngjyre. Shpirti i viktimave të kësaj tragjedie u prehtë në paqe! Amin!”