U përkujtua sot, më 23 korrik 2023, në një ceremoni të veçantë në fshatin Rabije, 80-vjetori i masakrës në teqenë e Rabijes, ndodhur më 23 korrik 1943.
Aktivitet i organizuar nën përkujdesjen e veçantë të Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj dhe Bashkisë Memaliaj.
Në këtë ceremoni, morën pjesë dhe përshëndetën edhe Kryetari i Bashkisë Memaliaj, z. Albert Malaj; Prefekti i Qarkut Fier, z. Lefter Shehaj; Kryetari i Bashkisë Tepelenë, z. Tërmet Peçi, Kryetari i Organizatës Kombëtare të Dëshmorëve të Atdheut, z. Gjergji Velo; Kryetari i Organizatës së Dëshmorëve të Atdheut Dega Tepelenë, z. Bujar Sulaj; Kryetare e Organizatës së Veteranëve Memaliaj, znj. Liljana Jonuzi; Kryetari i shoqatës “Tafil Buzi”, z. Medin Duro; djemtë e fshatit Rabije, z. Daut Vela ,njëkohësisht ideator i aktivitetit dhe z. Eduard Zeneli, sponsorizuesi i aktivitetit.
Aktiviteti nisi me vendosjen e kurorave me lule në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje për kontributin e patjetërsueshëm të martirëve të rënë në masakrën e Teqesë së Rabijes.
Për të vazhduar më pas me fjalën e mirëseardhjes nga Kryetari i Bashkisë Memaliaj, z . Albert Malaj dhe përshëndetjet e rastit nga të pranishmit.
Ndërsa nuk munguan nga ana e pushtetit vendor, falënderimet dhe mirënjohja për kontributin e z. Eduard Zeneli në rikonstruksionin e lapidarit memorial.
Në shenjë mirënjohje kryebashkiaku z. Albert Malaj, i dorëzoi Eduard Zenelit “Çertifikatë Mirënjohje” me motivacionin: “Për kontribut të shquar në rikonstruksionin e lapidarit memorial të martirëve të masakrës në Teqen e Rabijes”.
Me vendim të Këshillit Bashkiak
Kryetari i Bashkisë i dorëzoi titullin “Qytetar Nderi” (pas vdekjes) dhe baba Abazit në përkujtim të kontributit të tij.
Aktiviteti përfundoi me një lutje, drejtuar nga Kryegjyshi Botëror, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Përgatiti: Naim DËRAJ