U zhvillua 87 vjetori i lindjes të Dede Reshat Bardhit në teqenë e Greshicës, Mallakastër

Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj: “Vendosja e bustit në këtë datë të shënuar, vlerësim për kontributin e dede Reshatit dhe bektashizmit për paqe, mirësi, dashuri e atdhe!”
Ditën e djeshme, datë 4 mars 2022,  teqeja e Greshicës dhe gjithë besimtarët e Mallakastrës, kanë përjetuar një ditë të veçantë festive që lidhet me një eveniment të rëndësishëm, përkujtimin e 87-vjetorit të ditëlindjes së ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Dede Reshat Bardhi dhe vendosjen e bustit të Tij përpara Sheshit të Bashkisë Mallakastër.
Kanë marrë pjesë në këtë ditë të shënuar Kryetari i Bashkisë Mallakastër, z. Qerim Ismailaj, autoritetet të larta, përfaqësues të politikës, drejtues të komuniteve fetare në Mallakastër, besimtarë si dhe të tjerë të pranishëm.
Në fjalën e rastit, ndër të tjera, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj citoj se:” Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirbërësit!
Të nderuar motra dhe vëllezër mallakastriotë, miq dhe dashamirës të teqesë së Greshicës!
Të nderuar autoritete të pushtetit vendor, miq të Haxhi Bektash Veliut!
Në cilësinë e Kryegjyshit Botëror Bektashian, ju falenderoj që kini ardhur sot në këtë vend të bekuar dhe i lutem Zotit të Lartësuar, t’u japë paqe, mirësi dhe begati në familjet tuaja!
Paqja qoftë gjithmonë mbi Profetin Muhamed dhe familjen e dlirë të Ehli-Bejtit!
Data e 4 marsit, ditëlindja e myrshidit tonë të përjetshëm, dede Reshat Bardhit, tanimë përbën një datë të shënuar jo vetëm për mallakastriotët, por gjithë klerikët dhe besimtarët bektashianë, kudo ku ata janë, në çdo cep të kësaj bote. I lindur në fshatin Lusën të Kukësit, 87 vite më parë, prijësi ynë shpirtëror, dede Reshati do ta inkuadronte jetën e tij në vëllazërinë bektashiane, duke bërë çfarë ishte e mundur që ky tarikat jo vetëm të ruante substancën e tij të lirisë dhe urtësisë, por edhe të zhvillohej më tëj, përmes sakrificave gjithfarësh.
Jeta e këtij kleriku plot tipare të vlefshme, nga lindja, deri në frymëmarrjen e fundit, ka qënë e mbushur plot me vetmohim, sikundër jeta e gjithë klerikëve bektashianë, dhe në shërbim të tarikatit, të brezave të besimtarëve, të devocionit ndaj Krijuesit. Bektashinjtë, përgjatë gjithë historisë së tyre, qysh kur zuri fill dhe deri më sot, janë përpjekur dhe kanë arritur që filozofinë e besimit ta ndërthurin me dashurinë për Zotin, për familjen, për vëllanë e rrugës, për atdheun. Kjo lidhje unike e jona, e besimit me fatet e atdheut, ka bërë që tarikati të lartësohet dita-ditës, në kuptimin e mekameve shpirtërorë, sipas modeleve më të vyer të klerikëve, të atyre që me përvuajtjen e shfaqur fituan zemrat e miliona njerëzve.
Sigurisht data 4 mars lidhet me ringritjen e kësaj teqeje të famshme në zemër të Mallakastrës dhe të gjithë ne, do na mbeten në mendje bisedat, fjalët dhe lutjet që thamë në prani të dede Reshatit. Por ne nuk mund të harrojmë për asnjë çast, lavdinë e shkuar të kësaj prehtoreje të Haxhi Bektash Veliut, qysh në fillimin të shekullit 19-të. Dervishët dhe baballarët e teqesë së Greshicës, me dijet dhe urtësinë e tyre proverbiale, edukuan breza të tërë mallakastriotësh, me ndjenjat më të spikatura të besimit dhe dashurisë njerëzore, duke e lehtësuar sadopak besimin prej brengave dhe duke e afruar sa më shumë drejt shpresave.
I fundmi postmbajtës në këtë teqe, baba Jonuzi, do të mbahet mend gjatë pikërisht për atë frymë paqeje e mëshire që shpërndau, edhe në momentet më të vështirë, atëherë kur segmente të sigurimit të shtetit të diktaturës e përçmuan dhe denigruan fizikisht dhe moralisht. Por baba Jonuzi ka qënë dhe mbetet i rrethuar kurdoherë nga zemrat e greshiciotëve që deshën Zotin, deshën bektashizmin, deshën Kombin.
Motra dhe vëllezër!
Siç po shohim të gjithë me shqetësim këto ditë, vatrat e luftës në Ukrainë po marrin jetë të pafajshme. Bashkë me Lutjet tona për ndalimin e luftrave, bashkë me dhimbjen e thellë për jetët e humbura, vlen të bashkohemi më shumë pranë njëri-tjetrit, pranë halleve e brengave të sho-shoqit, sepse në fund të fundit, bektashizmi është dashuri për njëri-tjetrin. Në vëllazërinë tonë të tarikatit, le të përpiqemi çdo ditë të ngrihemi në lartësitë e dashurive të mëdha shpirtërorë, për të ecur krenarë në udhën e të parëve tanë. Një falenderim i veçantë shkon sot për autorin e bustit, skulptorin e talentuar z. Henri Mimani.
Në ditë të tilla feste e dashurie u mbledhshim jetë e mot! Zoti ju bekoftë të gjithëve! Amin! “

Përgatiti:
Xhorxhi CULLHAI