Mëngjesin e ditës së premte, qindra besimtarë, klerikë bektashianë e të besimeve të tjerë fetarë e personalitete, ishin në Selinë e Shenjtë Bektashiane në Tiranë, ku u zhvillua ceremonia tradicionale e Ashures, që u organizua pas ditës së dhjetë të agjërimit të Matemit, në kujtim të 72 martirëve, luftëtarëve të Qerbelasë. Kjo ceremoni, u përgatit nën përkujdesjen e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili udhëhoqi dhe ritet e kësaj dite të shenjtë.
Në ceremoninë e Ashures, ishin të pranishëm besimtarë e dashamirës nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia Veriore e komunitete bektashinjsh të ardhur nga vende të ndryshme, personaliteteve të lartë të institucioneve shtetërore në vend dhe përfaqësuesve të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri. Ndër ‘ta ishin dhe: Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri; Ambasadori i Rumanisë; Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu; Sekretari i Parë i Ambasadës së Gjermanisë; Kreu i Tarikatit Rufai, Sheh Qemaludin Reka; Hirësi Asti Bakallbashi, Kisha Orthodokse Autoqefale; Nunzi Apostokik, Luigi Bonazzi; Sekretari i Pergjithshem i VUSH etj.
Kryegjyshi Botëror Bektashian, uroi e bekoi të pranishmit në këtë festë, duke shtruar dhe apelin, që ‘të bëhen vepra të mira dhe gjithmonë të ndihmohen të tjerët, sidomos në kohërat e vështira që bota jonë po jeton’.
Ndër të tjera, Dede Edmond Brahimaj theksoi: “…Sot festojmë ditën e Ashures, pas dhjetë ditëve të zisë dhe agjërimit të matemit në nder të të rënëve të Qerbelasë. Të martirëve që e sakrifikuan jetën e tyre për paqe, mirësi, të vërtetën dhe dashurinë vëllazërore mbarënjerëzore. Ceremoni të tilla përkujtimore fetare bashkojnë jo vetëm besimtarët, por mbarë njerëzit, ndaj është e rëndësishme që ato të kalohen në harmoni dhe me personat e dashur. Festa e Ashures, është një ceremonial i thjeshtë në dukje, por i pa zëvendësueshëm për traditën tonë bektashiane. Kemi agjëruar së bashku dhjetë ditë të matemit, kemi biseduar e përcjellë së bashku ngjarjet tragjike të Qerbelasë e dëshmorëve që kanë sakrifikuar jetën për paqen, të vërtetën, besnikërinë e nderin. Kemi kujtuar dhe sjellë ndër mend aktin sublim të 72 dëshmorëve dhe heroin e pavdekshëm Imam Hysenin, paqja qoftë mbi ‘Të. Kemi parë dhe kemi folur se deri në çfarë mase mund të shkojë djallëzia dhe ligësia njerëzore e trupëzuar tek Jezidi dhe Mavija. Mallkimi i Zotit të Lartë i përcjelltë ata dhe ndjekësit e tyre! Dhe mesazhi në përkujtim të dëshmorëve të rënë në Qerbela është, më shumë mirësi, paqe dashuri e unitet mes njerëzve, pa dallim race, ngjyre, ideje apo feje, larg inatit, dashakeqësisë, smirës e djallëzisë. Jini të palëkundur dhe të vendosur në rrugën drejt asaj që është e drejtë, edhe nëse udhëtimi juaj është plot dhimbje dhe sfida.
Në këto kohë të vështira duhet të hapin zemrat tona e të jetojmë në paqe vëllazërore me njëri-tjetrin dhe me Zotin. Kur Imam Hyseini u pyet: Si mund të arrihet një personalitet fisnik dhe i shquar? Ai u përgjigj: “Të kontrollosh gjuhën dhe të bësh vepra të mira”. Toleranca është stolia e njeriut, mbajtja e premtimeve është shenjë fisnikërie dhe lidhja me të tjerët është hir. Pas dhjetë ditëve të sakrificës për të rënët e Qerbelasë, një filiz i ri çel, dhe lind një shpresë e re për të gjithë ne. Ta duam e respektojm njëri-tjetrin, familjen, shoqërinë dhe mbi çdo gjë vendin ku ne jetojmë. Të mos largohemi nga vatani ku ne lindëm dhe u rritëm por ti përkushtohemi e dedikohemi atij me më të mirën tonë. Përballë sfidave e mundimeve gjithnjë ka një dritë shprese që rilind e duhet të lulëzojë në zemrat e të gjithëve ne! Dëshmorët e Qerbelasë na qofshin ndihmë të gjithëve e Zoti i Lartë na bekoftë! Amin!”
Të pranishmin shijuan ashuren-simbol të kësaj dite të bekuar, bashkëbiseduan me njëri-tjetrin dhe vizituan muzeun dhe objektet e tjera të Odeonit Bektashian.
Aktiviteti, u pasqyrua gjerësisht dhe dhe në media.
Përgatiti: Shelda AGARAI-JANO
Fotot: Nuri ÇUMANI