Urim. Dita e Ashures

Kjo është një ditë e rëndësishme për të gjithë besimtarët bektashinj. Dita e Ashures cilësohet si dita e martirizimit të Imam Hysenit, i cili u rrethua në shkretëtirën e Qerbelasë 1400 vite më parë dhe u vra së bashku me një numër të madh besimtarësh, luftëtarësh të tjerë për të shpëtuar fjalën e vërtetë të Zotit dhe Islamin. Festa të tilla bashkojnë jo vetëm besimtarët, por mbarë njerëzit, ndaj është e rëndësishme që ato të kalohen në harmoni dhe me personat e dashur. Festa e Ashures, është një ceremonial i thjeshtë në dukje, por i pa zëvendësueshëm për traditën tonë bektashiane. Kemi agjëruar së bashku dhjetë ditë të matemit, kemi biseduar e përcjellë së bashku ngjarjet tragjike të Qerbelasë. Kemi kujtuar dhe sjellë ndër mend aktin sublim të 72 dëshmorëve dhe kalorësin e pavdekshëm Imam Hysenin, paqja qoftë mbi “Të”. Kemi parë dhe kemi folur se deri në çfarë mase mund të shkojë djallëzia dhe ligësia njerëzore e trupëzuar tek Jezidi dhe Mavija. Mallkimi i Zotit të Lartë i përcjelltë ata dhe ndjekësit e tyre! Dhe apeli jonë mbetet, më shumë mirësi, paqe dashuri e unitet mes njerëzve, pa dallim race, ngjyre, ideje apo feje”.
Në këto kohë të vështira duhet të hapin zemrat tona e të jetojmë në paqe vëllazërore me njëri-tjetrin dhe me Zotin.
Pas dhjetë ditëve të sakrificës për të rënët e Qerbelasë, një filiz i ri çel,  dhe lind një shpresë e re për të gjithë ne. Ta duam e respektojmë njëri-tjetrin, familjen, shoqërinë dhe mbi çdo gjë vendin ku ne jetojmë. Përballë sfidave e mundimeve gjithnjë ka një dritë shprese që rilind e duhet të lulëzojë në zemrat e të gjithëve ne!
Dëshmorët e Qerbelasë na qofshin ndihmë të gjithëve e Zoti i Lartë na bekoftë!
Amin!

KRYEGJYSHI BOTËROR I BEKTASHINJVE
SHENJTËRIA E TIJ
HAXHI DEDE EDMOND BRAHIMAJ