Bismilahi Rrahmani Rrahim!
Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirbërsit!
Të nderuara vajza dhe gra, nëna dhe motra të armatës disa milionëshe bektashiane! Dita e sotme, 8 marsi, më jep mundësinë t’ju uroj dhe bekoj të gjithave ju: Zoti dhe Haxhi Bektash Veliu u plotësoftë çdo dëshirë! Paçi mbarësi të përjetshme në familjet tuaja biologjike dhe shpirtërore!
Përgjatë historisë botërore të feve, ne të gjithë jemi dëshmitarë, se shoqëria njerëzore ka bashkëjetuar me besimin në Zot, pamvarësisht në çfarë nivelesh ka egzistuar ky besim. Besimi është shndërruar në një domosdoshmëri njerëzore, sepse ai lidhet pashmangshëm me krijimin, me atributet e Krijuesit. Dhe askush nga ne s’mund ta harroj, për asnjë çast të vetëm se ka qenë dhe mbeten nënat, ato që së bashku me qumështin e gjirit, na mëkojnë dashurinë dhe devocionin ndaj Krijuesit, ndaj gjithçkaje të mirë dhe të bukur.
Në një ditë urimi si kjo, unë personalisht, do të sillja ndërmend, atë brez të nënave dhe motrave bektashiane, të cilat të detyruara nga rrethanat e regjimit ateist që kaluam, mbajtën të pafikur kandilin e Haxhi Bektash Veliut përmes sakrificave të mëdha. Ato na dërguan në shkollë, duke na veshur ndonjë bluzë të re për ditën e Sulltan Novruzit, na bënë hashure ku fshehurazi thirrëm edhe bashkëmoshatarët e tjerë të feve të tjera, na kujtuan përmes lotëve dëshmorët e Qerbelasë dhe u kujdesën për tyrbet e rrëzuara si për prindërit e tyre. Guximi i tyre na mbajti të gjallë shpresën në ato vite të vështirë.
Edhe në këtë vit të vështirë që po kalojmë, motrat dhe nënat bektashiane, po rrëfejnë shpirtin e mrekullueshëm të tyre. Dhimbsuria dhe kujdesi i tyre, u janë bashkuar gjithmonë vullnetit të Zotit të Lartë, duke na lehtësuar sado pak plagët e shpirtit dhe duke na mbajtuar në këtë botë, falë kurajos dhe lutjeve që bënë për çdo të sëmurë.
Prandaj bashkohem në këtë ditë, me vëllezërit e mij, klerikë bektashianë në të gjithë botën, me urimin më të madh për ju, motra e nëna bektashiane: Gëzuar 8 marsin, mbarësi paçit ngaherë!
Zoti ju bekoftë të gjithave!
Amin!
Kryegjyshi Botëror Bektashian
Shenjtëria e Tij
Haxhi Dede Edmond Brahimaj