Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Dede Edmond Brahimaj, nëpërmjet një mesazhi, uron për 8 Marsin, Ditën e Gruas: “Dita e 8 Marsit, festës suaj, gra, nëna dhe motra, më jep mundësinë që si Kryegjysh Botëror i Bektashizmit, t’ju uroj e bekoj: Zoti dhe Haxhi Bektash Veliu u plotësoftë çdo dëshirë! Paçi mbarësi të përjetshme në familjet tuaja biologjike dhe shpirtërore! Përdoreni dlirësinë, forcën dhe apelin tuaj, që në këto të vështira, dashuria të triumfoj mbi urrejtjen, dora vrastare mbi njerëzit të ndalet, era dhe kërcënimet e luftës të ndërpriten, të rrisim besimin në të Madhin Zot, në mënyrë që paqja të mbretëror në shpirtrat, kombet shtetet dhe kombësitë!Përgjatë historisë botërore të feve, ne të gjithë jemi dëshmitarë, se shoqëria njerëzore ka bashkëjetuar me besimin në Zot, pavarësisht në çfarë nivelesh ka ekzistuar ky besim. Besimi është shndërruar në një domosdoshmëri njerëzore, sepse ai lidhet pashmangshëm me krijimin, me atributet e Krijuesit.
Në këtë ditë feste, unë do të përshëndes në mënyrë të veçantë dhe gratë e motrat bektashiane, duke sjellë ndërmend, atë brez të nënave dhe motrave bektashiane, të cilat të detyruara nga rrethanat e regjimit ateist që kaluam, mbajtën të pafikur kandilin e Haxhi Bektash Veliut përmes sakrificave të mëdha. Ato na dërguan në shkollë, duke na veshur ndonjë bluzë të re për ditën e Sulltan Novruzit, na bënë hashure ku fshehurazi thirrëm edhe bashkëmoshatarët e tjerë të feve të tjera, na kujtuan përmes lotëve dëshmorët e Qerbelasë dhe u kujdesën për tyrbet e rrëzuara si për prindërit e tyre. Guximi i tyre na mbajti të gjallë shpresën në ato vite të vështirë. Edhe në këtë vit të vështirë që po kalojmë, motrat dhe nënat bektashiane, po rrëfejnë shpirtin e mrekullueshëm të tyre. Dhembshuria dhe kujdesi i tyre, u janë bashkuar gjithmonë vullnetit të Zotit të Lartë, duke na lehtësuar sado pak plagët e shpirtit dhe duke na mbajtur në këtë botë, falë kurajës dhe lutjeve që bënë për çdo të sëmurë.
Bashkohem gjithashtu në këtë ditë, me vëllezërit e mijë, klerikë bektashianë në të gjithë botën, me këdo që u vlerëson dhe respekton ju, me urimin më të madh për ju, motra e nëna: Gëzuar 8 marsin, mbarësi paçi ngaherë! Zoti ju bekoftë të gjithave!”-thekson në mesazhin e Tij, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.