Me rastin e Vitit të Ri 2025, nëpërmjet një mesazhi të publikuar sot, drejtuar besimtarëve dhe gjithë qytetarëve, në Shqipëri dhe kudo jashtë saj, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, i uron dhe bekon për ‘ta, shëndet e lumturi, paqe e harmoni, më shumë dashuri njerëzore e solidaritet, përballë sfidave të kohës, me adhurimin e besimin e pa lëkundur, tek i Madhi Zot.
Ndër të tjera, në këtë mesazh, Dede Edmond Brahimaj pohon: “…Në prag të ndërrimit të viteve, kohë në të cilën gjithkush bën bilancin e punës një vjeçare dhe piketon objektivat për vitin që vjen, është nevoja për analizë e ndërgjegjësim për synime e objektiva të tjera drejt një jete më të lumtur. Më tepër se sa një pikë ndërrim të një stafete kohore, ikja e një viti dhe nisja e Vitit të Ri 2025, le të jetë për të gjithë një çast reflektimi për rritjen e dashurisë dhe besimit tek i Madhi Zot, për më shumë paqe, mirësi e harmoni mes njerëzve, për solidaritet njerëzor e bamirësi, për bashkim zemrash e forcave në funksion të së mirës. Viti i Ri është si një faqe e re e bardhë e librit të jetës, për të nisur nga e para çdo marrëdhënie vëllazërore, çdo situatë e ngjarje, që Zoti na e sjell e na bekon prandaj, lërini inatet e marazet, xhelozitë e mëritë, egon dhe kryelartësinë, por prisni me durim e buzëqeshje çdo të mirë e begati që Zoti do t’ju sjellë! Veçanërisht në këto kohë të trazuar, kur njerëzimi përballet me sfida të vështira të jetës, kur e keqja, nëpërmjet mërive konflikteve e luftërave të përgjakura, kur viktima të pafajshme po ikin padrejtësisht nga kjo jetë, le të bashkohen të gjithë faktorët, për një situatë më të mirë paqe e harmonie. Urime për një Vit të Ri me shëndet, të paqtë e të begatë! Paçi vetëm lumturi e begati në familjet tuaja! Zoti u bekoftë! Amin!”