URIM I KRYEGJYSHIT BOTËROR PËR 12 QERSHORIN, DITËN E ÇLIRIMIT TË KOSOVËS

Nëpërmjet një mesazhi, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, uron dhe bekon 12 qershorin, Ditën e Lirisë së Kosovës, duke vlerësuar rolin e luftëtarëve që sollën lirinë, këtë ditë të shumëpritur për Kombin Shqiptar dhe aleatët që iu gjendën shqiptarëve pranë dhe mundësuan ardhjen e kësaj dite të bekuar. Gjithashtu, Ai bën apel që gjaku i derdhur për këtë liri, përpjekjet dhe sakrificat e mëdha, le të shërbejnë për më shumë paqe, unitet, dashuri e atdhetari.

“…Si Kryegjysh Botëror i Bektashizmit, uroj e bekoj vëllezërit kosovarë, gjithë shqiptarët dhe luftëtarët e lirisë, për 12 qershorin, që është Dita e Lirisë së Kosovës. Më 12 qershor të vitit 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës që do të quhej KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze. Kjo ditë, është dhe do të mbetet ndër ditët më të mëdha për popullin e Kosovës e shqiptarët, në trojet e tyre etnike e kudo që punojnë e jetojnë. Lutem për të rënët për liri, bekoj familjarët e tyre e të gjithë bashkë kombasit, që me besimin tek i Madhi Zot, të bëjnë më shumë për garantimin e kësaj lirie, të punojnë më shumë për dashuri njerëzore, për paqe e harmoni, që ditë më të bukura të vijnë e garantohen për njerëzimin. Gëzuar 12 Qershorin Zoti u bekoftë!”- thuhet ndër të tjera në urimin e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede baba, Edmond Brahimaj.