Urim i Kryegjyshit Botëror, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, për Kurban Bajram

Festa e shënuar e Kurban Bajramit, ditën e nesërme, e shtunë, 9 korrik 2022; Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, ka përcjellë një mesazh urimi për të gjithë besimtarët dhe dashamirësit të kudondodhur në botë.
Në mesazhin e tij, Dede Edmond Brahimaj uron për paqe, vëllazërim, harmoni, humanizëm dhe solidaritet për njerëzit dhe shtresat në nevojë, për t’u dhënë shpresë dhe besim, duke qenë më pranë tyre.
Ndër të tjera, në këtë mesazh thuhet: “Bismilahi, Rrahmani Rrahim!  Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! Dita e shënuar e Kurban Bajramit, të falënderojmë Allahun e Lartmadhërishëm, Krijuesin e botëve. Si Kryegjysh Botëror i Bektashizmit, i’u uroj të gjithëve gëzim e lumturi në familjet tuaja, paqe, dashuri dhe vëllazëri për të gjithë! Në këtë ditë ne përkujtojmë sakrificën e Ibrahimit (a.s), durimin e pa shembullt të Ismailit (a.s.), atë kohë vetëm një fëmijë, dhe dhembshurinë e nënës së tij heroike, Haxhires. Kurbani na dëshmon se sakrifica, durimi dhe dhembshuria njerëzore, janë punët më të pëlqyeshme te Zoti. Të reflektojmë, për harmoni e shpresë, që me ndihmën e të Madhit Zot, të kalojmë së bashku këto kohë të vështira e problemet e shumta sociale në vendin tonë.
Gëzuar Kurban Bajramin! Zoti ju bekoftë të gjithëve!”

Sipas traditës, në ditën e Kurban Bajramit, në mjediset e Selisë së Shenjtë Bektashiane, ka pritje nga ora 11:00, deri 13:00 të ditës së shtunë, 9 korrik 2022.

Veçojmë:
Silluni mirë me njëri-tjetrin. Shtrini dorën e vëllazërmit ndërmjet jush. Duajeni njëri-tjetrin për hir të Zotit. Jini mbështetje për të varfërit. Të inkurajojmë   për të sëmurët, shpresë dhe gëzim te fëmijët!

Sure Kevther në Kuran thotë:
“Ne vërtet të dhamë ty shumë të mira. Andaj ti falu dhe ther kurban për hir të Zotit tënd!”

Sure (En’nam) na kujton:
“Thuaj: namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjeshtë për Allahun, Zotin e botëve!”
“As gjaku e as mishi i kurbaneve tuaja nuk arrin tek Allahu, por tek Ai arrin devotshmëria juaj”, thotë Zoti.