URIMI PËR KURBAN BAJRAMIN, I KRYEGJYSHIT BOTËROR, HAXHI DEDE EDMOND BRAHIMAJ

Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, nëpërmjet një mesazhi, uron gjithë besimtarët dhe dashamirësit për Kurban Bajramin e këtij viti, që festohet më 6 qershor 2025. Nëpërmjet këtij mesazhi, Kryegjyshi u uron shëndet, mbarësi e lumturi në familjet e tyre. “Vëllezër besimtarë. Në emër të Zotit, Mëshiruesit. Në këtë ditë të shënuar të Kurban Bajramit, duke falënderuar Allahun e Lartmadhërishëm, si Kryegjysh Botëror i Bektashizmit, u uroj të gjithëve gëzim e lumturi në familjet tuaja, paqe, dashuri dhe vëllazëri për të gjithë! Në këtë ditë ne përkujtojmë sakrificën e Ibrahimit (a. s), durimin e pa shëmbullt të Ismailit (a.s.). Kurbani na dëshmon se sakrifica, durimi dhe dhembshuria njerëzore, janë punët më të pëlqyeshme te Zoti. Kjo festë është festa e ngjalljes së shpresës dhe e optimizmit për të vazhduar me këmbëngulje besnikërinë ndaj Zotit të gjithësisë, se ai është Falës i Madh, Mëshirues i Pakufishëm. Të reflektojmë, për harmoni e shpresë. Ta duam e ndihmojmë njëri-tjetrin. Zoti i Madhërishëm na dhëntë begati e mirësi për kombin tonë, u dhëntë paqe të gjithë besimtarëve në mbarë botën.
Gëzuar Kurban Bajramin! Zoti ju bekoftë të gjithëve. Amin!”- thuhet ndër të tjera në mesazhin e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Ritet tradicionale të kësaj dite të shënuar, do të kryhen në mjediset e Selisë së Shenjtë Bektashiane, si dhe në të gjitha gjyshatat, brenda e jashtë Shqipërisë.