Kryegjyshata Botërore Bektashiane dhe Gjyshata Gjirokastër, në një ceremoni të veçantë, zhvilluan ditën e dielë, 4 gusht 2024, në teqenë e Gllavës- Tepelenë, inagurimin e vendosjes së bustit të klerikut bektashian, Baba Shefqet Gllava.
Në ceremoninë e zhvilluar morën pjesë edhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, personalitete të lartë, klerikë dhe besimtarë të shumtë si edhe ndjekës të vyer të traditave të Haxhi Bektash Veliut!
BABA SHEFQET GLLAVA
Baba Shefqeti (Shefqet Mahmuti-Gllava) u lind në vitin 1885 në fshatin Gllavë e Madhe të Tepelenës. Ai vinte nga një familje e njohur atdhetare dhe me lidhje të hershme me besimin bektashian. Në vitin 1906, kur nuk kishte mbushur ende 11 vjeç, nisi të shkojë në shkollë në Turballi. Në vitin 1913, Shefqeti kthehet në vendlindje, në fshatin e tij në Gllavë, por tashmë i veshur me petkun e klerikut bektashian. Spontanisht, klerikut të ri të sapokthyer në vendlindje, nga ku u largua fëmijë, i bëhet një pritje dinjitoze. Për 19 vite shërbeu në fshatin e tij në Gllavë dhe ishte baba për gjithë zonën. Këtu, baba Shefqeti fiton një simpati të madhe në gjithë zonën. Në vitin 1928, baba Shefqeti u transferua në Koshtan. Në Koshtan, i dhënë shpirtërisht e fizikisht bektashizmit, ai u gjendej pranë të varfërve, hallexhinjve, njerëzve pa përjashtim, në zgjidhjen e problemeve që kishin dhe forcimin e besimit tek Zoti. Gjatë shërbimit të gjatë si klerik bektashian, ai administronte njëkohësisht një pasuri shumë të madhe që e vuri në shërbim të teqesë dhe besimtarëve. Në dhjetor të vitit 1948, baba Shefqeti u arrestua për agjitacion e propagandë kundër pushtetit të kohës. Pas një gjykimi, dhe pse shumë dëshmi ishin pro tij, ai u dënua me pushkatim dhe më 14 janar të vitit 1948, u ekzekutua. U varros diku në Gjirokastër (në vendin ku u ndërtua NSHN-ja, e nuk i janë gjetur eshtrat). Pasoja e pushkatimit të tij, i vuajti familja. Vëllezërive iu hoqën triskat e fronit, ndërsa nga familja e të afërmit, asnjë nga fëmijët nuk iu shkolluan.
Përgatiti: Xh. ÇULLHAJ