“Pa atdhe nuk ka fe”.
Këto janë fjalët që Dede Ahmeti dhe të gjithë bektashinjtë i ruajnë në vetëdijen e tyre duke mbajtur gjallë një traditë atdhedashurie dhe besimi të fortë në Zot siç është bektashizmi.
Kryegjyshata Botërore Bektashiane në mbështetje me Bashkinë Krujë, vendosën ditën e enjte, më datë 30 dhjetor 2021, pranë tyrbes së Haxhi Hamza Baba në qendër të qytetit, bustin e ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, dede Ahmet Myftari, në kuadrin e 105 vjetorit të lindjes së tij.
Në ceremoninë e zhvilluar morën pjesë Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Kryetari i Bashkisë së Krujës z.Artur Bushi, personalitete të lartë, klerikë dhe besimtarë, ndjekës të vyer të traditave të Haxhi Bektash Veliut!
Në nder të këtij aktiviteti u zhvillua edhe një koncert me këngë e valle si dhe ceremoni pritjeje.
Përshëndetja e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj:
Të nderuar vëllezër të mij, klerikë dhe besimtarë, ndjekës të vyer të traditave të Haxhi Bektash Veliut!
I nderuar Kryetari i Bashkisë së Krujës z. Artur Bushi!
Të nderuar të pranishëm!
Së pari do të desha të falenderoj të gjithë juve që kini ardhur të ndajmë së bashku emocionet e kësaj ngjarje me rëndësi dhe në cilësinë e Kryegjyshit Botëror Bektashian, pranoni lutjet dhe bekimet për një jetë më të paqtë dhe të begatë për vete dhe familjet tuaja! Zoti i Lartësuar e shpërbleftë vlerën e devocionit dhe të përulësisë suaj ndaj monumenteve të tarikatit tonë!
Vendosja e bustit të dede Ahmet Myftarit, në kuadrin e 105 vjetorit të lindjes së tij, pikëtrisht në këtë qytet, është shumë më tepër se një gjest nderimi dhe përkujtimi. Kjo ngjarje më tepër se gjithçka është një kujtesë, një gurë i përjetshëm kilometrik, në udhëtimin shpirtëror të bektashinjve shqiptarë në shekullin e kaluar. Kohrat që po kalojmë, dëshmojnë dita-ditës se ne të gjithë kemi nevojë për historinë, sidomos për atë shpirtërore, sidomos për jetët e jetuara plot përulësi dhe dinjitet të klerikëve tanë, të cilët mbajtën të ndezur edhe në ditët më të vështira, fjakën e pashuar të besimit në Zot.
Dede Ahmet Myftari ka lindur në fshatin Brataj të Vlorës, më 15 nëntor 1916. Fati e desh që të mbetej jetim qysh në fëmijërinë e tij, ndonëse mundi të bënte tri klasë të shkollës fillore në Brataj, për të vijuar më tej në shkollën qytetëse të Vlorës. Më pas, i detyruar nga rrethanat familjare bën punë nga më të ndryshmet, derisa thirret në shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Dibër. I mësuar qysh në fëmijërinë e hershme me traditën e tarikatit bektashian, ndërsa kryente shërbimin ushtarak, ai do të ishte ndër dashamirësit fisnik të teqesë së Bllacës, duke i qëndruar besnik doktrinës sonë, deri në rrahjen e fundit të zemrës.
Ai do të titullohej “dervish” nga Sali Niazi Dede, ish-Kryegjyshi Botëror në Tiranë dhe do të niste misionin e tij shpirtëror në teqen e baba Hamidit në Elbasan. Më pas, në vitet e luftës së Dytë Botërore, dervishi nga Brataj do të rreshtohej me armë në krahë, në radhët e formacioneve të lëvizjes nacionalçlirimtare, duke dëshmuar se ishte nga lloji i klerikëve që doktrinën e donin me fjalë dhe me vepra. Të mos harrojmë, të nderuar vëllezër të mij, se Piri ynë, Haxhi Bektash Veliu, tetë shekuj më parë, është shprehur qartë se: “çdo bektashi e ka detyrim t’i dalë zot fateve të kombit të vet.” Pas mbarimit të luftës, ashtu sikundër dhjetra dervish dhe baballarë të tjerë bektashinj, dede Ahmeti vojoi misionin e tij në teqenë e Elbasanit dhe të Vlorës, kësaj radhe i konsakruar me titullin “Baba” nga Kryegjyshi i asaj kohe, dede Abaz Mërtinji.
Sigurisht, historian të djeshëm, të sotëm dhe të nesërm, do të merren gjatë me detaje nga jeta e dede Ahmet Myftarit. Por unë gjykoj se vlen të ndalemi në tri etapat më kryesore të jetës dhe veprës së tij.
Etapa e parë, ka të bëjë me zgjedhjen e tij, në postin e rëndësishëm të Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve. Parë realisht dhe në mënyrë të veçantë në kontekstin kohor që përkon me funksionet e larta të dede Ahmetit, vepra e tij, dëshmon së pari besnikërinë e palëkundur në identitetin, traditën dhe doktrinës bektashiane, të cilat për shkak të kohrave që po kalonim, ishin më të rrezikuara se kurrë. Ngjarja e ndodhur në Selinë tonë të Shenjtë në marsin e vitit 1947, ishte dhe mbetet një moment epokal jo thjesht në komunitetin bektashian shqiptarë, por në krejt rrjedhat e historisë tetë shekullore të tatikatit tonë. Sytë e bektashinjve të Ballkanit dhe më gjerë, do të drejtoheshin në Tiranë të mbërthyer pas hamendjes së madhe: A do të vijonte tradita e erqanit bektashian, apo do të nëpërkëmbej prej regjimit komunist? A do të ruheshin dhe zhvilloheshin kodet e mrekullueshëm të teqeve, apo bektashizmi do të shndërrohej në një vegël politike në duart e politikbërësve?
Këtë dilemë aq tronditëse të tarikatit në atë periudhë, e zgjidhi me devocionin e tij ndaj Zotit, urtësinë dhe fisnikërinë proverbiale, dede Ahmet Myftari. Dokumente të shumtë në Arkivin Qëndror të Shtetit tonë, por edhe në memorien dhe arkivin e Selisë së Shenjtë, dëshmojnë qartë për rolin dhe kontributin e çmuar të tij. Gjatë viteve 1948-1957, kur dedei ynë drejtoi Selinë e Shenjtë, ai bëri çmos të hapte teqe të reja, të zhvillonte besimin përmes traditave, të ruante dervishët dhe baballarët prej “shigjetave të helmuara” të regjimit, të luftonte ateizmin duke shfaqur dashurinë e përjetshme ndaj Krijuesit.
E gjithë kjo veprimtari e tij e çiltër fetare, do të kishte një çmin shumë të shtrenjtë. Me manipulime tipike komuniste, duke ndarë madje në dy kampe kundërshtare baballarët e asaj kohe, regjimi inskenoi dhe realizoi largimin nga Tirana të dede Ahmet Myftarit dhe internimin e tij në teqen e rrënuar në fshatin Drizar të Mallakastrës së Sipërme.
Etapa e dytë e jetës së këtij shenjtori bektashian, lidhet me qëndrimin gati dhjetë vjeçar në teqen e Drizarit, e cila për nga mënyra si është jetuar, me ato vuajtje psikike, fizike dhe shpirtërore, përbën një moment sa prekës aq edhe edhe të lavdishëm në jetën fetare shqiptare. Diktatura që lamë pas, edhe në atë teqe të largët, vijoi të ruaj e kontrolloj në fshehtësi jetët e dede Ahmetit dhe dervishit besnik të tij, Reshat Bardhit, por gjithsesi vepra e tyre mbeti kurajoze dhe fetare deri në vetmohim, duke u kujtuar mekanizmave të sigurimit të dikurshëm të shtetit, se lartësitë e epërme të shpirtit, nuk i njohin ligjet, urrejtjet apo manipulimet e vdektarëve të zakonshëm.
Të gjithë ne, jemi dëshmitarë të faktit që teqeja e Drizarit, u shndërrua në Qëndrën Botërore Bektashiane, ku besimtarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia Veriore dhe Mali i Zi, vinin të merrnin uratat e dede Ahmetit. Gjej rastin sot, të përmend me respektin më të thellë kontributin e gjithë atyre familjeve të Krujës sonë historike, të Krujës së Sari Salltikut, të Shememi Babait si edhe të qindra dervishëve dhe baballarëve të mrekullueshëm, të cilët nuk i’u ndanë dede Ahmet Myftarit dhe dervish Reshat Bardhit në kohët e tyre më të vështira. Me këtë akt, në të vërtetë besimtarët bektashianë të Krujës, të cilët janë me mijra dhe nuk ua përmend dot emrin, rrëfyen dashurinë tradicionale të myrshydit për myrshydin, duke sfiduar ndërkaq vetë regjimin. Brezat e sotëm dhe të nesërm të besimtarëve bektashianë, padyshim do të përulen me dinjitet dhe respekt për këta besimtarë.
Etapa e mbrame e veprës së dede Ahmet Myftarit, mendoj se duhet parë në optikën e ngjrjeve të trishta në vitin 1967, atëherë kur marrëzia e regjimit të kaluar, çoi paradoksalisht në mbylljen e objekteve të besimit në gjithë Shqipërinë. Historiografia jonë ka provuar me fakte të shumtë dhe dokumentë gjithfarësh, se pamvarësisht represionit shpirtëror, besimtarët shqiptarë e të gjitha feve dhe besimeve, në mënyrë të fshehtë shumë të rrezikshme vijuan të adhurojnë Zotin dhe të ecin sipas porosive të Tij, duke shpërfillur regjimin obskurantist. Në rastin tonë, të bektashizmit, duhet thënë se ne, patëm dy male ku u mbështetëm, dede Ahmetin dhe dervish Reshatin.
Shumë prej nesh që janë sot në këtë shesh, por edhe të tjerë që janë larguar nga kjo botë, kanë ndjerë së brendëshmi, atë frymë të bekuar që dede Ahmeti shpërndante për të gjithë. Dhoma e vogël e tij, në lagjen “Ali Demi” , sikundër edhe dhoma e dervish Reshat Bardhit më pas, do të mbeten mejdane të përjetshëm, ku merrte frymë vet tarikati ynë. Ato kanë qënë dhe mbeten objekte të shenjta adhurimi, ku besimtarët gjenin ngrohtësi në atë dimër të acartë të diktaturës.
Por më lejoni t’ ju kujtoj, se kanë qënë edhe plot shtëpi këtu në Krujë, të cilat duke çelur dyert e tyre për këta dy shenjtorë, u shndërruan në objekte të farkëtimit të vëllazërisë sonë bektashiane.
Motra dhe vëllezër!
Me largimin nga kjo botë të dede Ahmet Myftarit, në dhjetë korrik 1980, shpresat tona u mbështetën tek nxënësi besnik i tij, dede Reshat Bardhi, i cili vijoi qëndresën deri në vitet 1990, për të na bashkuar me baba Selim Kaliçanin, baba Bajram Mahmutaj, baba Ismail Jangulli, baba Tahir Emini, baba Mumin Lamaj, baba Haxhi Saliaj, baba Sherif Cenometaj, dhe mijra besimtarë e klerikë të tjerë në udhëtimin tonë shpirtërorë. Por në gjithë këtë udhëtim, ne patëm pranë kujtimin e ndritur të veprës së dede Ahmetit, i cili mbeti simbol i dinjitetit bektashian.
Prandaj sot, me vendosjen e bustit të myrshidit tonë në këtë vend të bekuar, në qëndrën historike të Krujës, ne s’kemi bërë gjë tjetër, veçse një detyrim që rrjedh prej mirësive që shpirti i tij ka dhuruar jetë e mot. Mënyra se si dede Ahmet Myftari e jetoi jetën e tij në këtë botë, do të mbetet një model unik për ne që e kemi njohur dhe për të tjerë që do të vijnë dhe do të bashkëbisedojnë me të, tek ky shesh i sotëm.
Edhe një herë, më lejoni të falenderoj pushtetin vendor këtu në Krujë për respektin që treguan me këtë rast, duke i siguruar ata se tarikati ynë do të mbetet si kurdoherë shembull i harmonisë fetare të qytetit, faktor me rëndësi në unitetin fetar të shqiptarëve.
Zoti ju bekoftë të gjithëve!
Amin!