Sot, më datë 25 maj 2021, në oborrin e shtëpisë së vëllezërve Frashëri, pranë busteve të tyre, në Frashër-Përmet, Shoqata Atdhetare Kulturore “Vëllezërit Frashëri” dhe Kryegjyshata Botërore Bektashiane, zhvilluan një veprimtari përkujtimore në kuadrin e 175-vjetorit të lindjes së Poetit tonë Kombëtar, Naim Frashëri. Kjo bëhet edhe në kuadrin “Viti i Naimit” që e filloi Kryegjyshata Borërore Bektashine, 25 maj 2020 – 25 maj 2021.
Merrnin pjesë personalitete të ndryshëm, autoritetet vendore, përfaqësues nga të gjitha trevat shqiptare dhe forcave politike në vendin tonë, studiues, historianë, intelektualë, banorë të shumtë, vizitorë nga Kosova etj.
Në ceremoninë solemne të organizuar me këtë rast, para busteve të tre vëllezërve Frashëri, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, pasi përshendeti të pranishmit në këtë veprimtari, u përul me nderim e respekt të thellë para jetës e veprës së vëllezërve Frashëri. Për kontributin e pazëvendësueshëm në zgjimin e vetëdijes kombëtare dhe të rilindjes kulturore e letrare. Naimi, si poeti kombëtar, mendimtari dhe atdhetari i shquar i Rilindjes Kombëtare. Misionari, mësuesi dhe krijuesi i talentuar, i cili i këndoi me përkushtim dhe i bëri jehonë atdhedashurisë, historisë, gjuhës, kulturës, identitetit dhe lirisë së shqiptarit. Frymëzuesi i madh i krenarisë, dinjitetit dhe vetëdijes kombëtare të shqiptarëve, si dhe orakulli i pashtershëm i lirisë së tyre. Vëllezërit Frashëri, simpatizuan, mëshiruan vlera të mëdha për kombin me devizën e Profetit Muhamed “pa atdhe nuk ka fe”. Bektashinjtë me këtë devizë ecin dhe udhëtojnë në histori. Çdo ceremoni e çfarëdolloj natyre qoftë, bektashinjtë e fillojnë më hymnin kombëtar.
Më pas, fjalën e mbajti Kryetari i shoqatës, Z. Tomorr Kotorri, i cili shprehu konsideratat më të larta për vëllezërit Frashëri, për kontributin e pazëvendësueshëm në zgjimin e vetëdijes kombëtare dhe rilindjes kulturore e letrare, në shërbim të mbrojtjes së territoreve shqiptare dhe luftës për Pavarësinë e Shqipërisë.
Në fund, për pjesëmarrësit, u dha edhe një program artistik.