Veprimtari shkencore me rastin e 175-vjetorit të lindjes së poetit rilindës Naim Frashëri.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Kryegjyshata Botërore Bektashiane, organizuan sot,  më 21 maj 2021, me rastin e 175-vjetorit të lindjes së poetit rilindës Naim Frashëri, në mjediset e Akademisë së Shkencave, një veprimtari shkencore, në nderim të veprës së tij letrare dhe atdhetare.  Me pjesëmarrjen e studiuesve nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, me kumtesa të shumta, të cilat për shkak të pandemisë, u komunikuan online dhe me një numër të kufizuar të pranishmish.
Përshëndeti Kryetari i Akademisë së Shkencave,  z. Skënder Gjinushi, i cili, në fjalën e tij, u ndal në këtë përvjetor të ditëlindjes së Naim Frashërit, apostull i shqiptarizmit dhe roli i madh i vëllezërve Frashëri në Rilindjen Kombëtare.
Më pas, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Hirësia e tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, pasi përshëndeti të pranishmit, në fjalën e Tij, ndër të tjera tha: “E quaj veten me fat që jam sot midis jush dhe më lejoni që në cilësinë e Kryegjyshit Botëror Bektashian t’ju uroj e bekoj: “Paçi fat e mbarësi përjetë në familjet tuaja! Zoti i Lartësuar e pastë në vëmendjen e Tij, kujdesin, përpjekjet, dashurinë me të cilën juve të gjithë i jini afruar njërës prej figurave më të ndritura të Rilindjes sonë kombëtare, Naim Frashërit! Kur në prag të shekullit të njëzetë, mendimi i burrave të mëdhenj të viseve Shqiptare kish nisur të sendërtohej, shumica prej tyre e kthyen vështrimin nga Frashëri, nga ai vend-simbol i vetëdijes sonë nacionale. Shtëpia historike e vëllezërve Frashëri, por edhe teqeja e bekuar e bektashinjve, ishin shndërruar në Mekën e Shqiptarëve, në yllin polar prej nga mund të orientoheshin ende pa dalë prej natës së gjatë otomane. Koha që erdhi më pas, vërtetoi katërcipërisht se të dy këta objekte, mbetën të Shenjtë dhe të gjallë në memorien e kombit tonë. Prej derës së madhe të Frashëllinjve, do të dilte një ditë maji si kjo e sotmja, 175 vjet më parë, Naimi ynë, rilindasi, filozofi, atdhetari, mendimtari, shërbëtori i gjuhës dhe kuvendimit shqip. I mësuar prej prindërve me dashurinë për atdheun, i edukuar nga baballarët e teqesë me ndjenjat e kulluara të devocionit ndaj Krijuesit, por edhe ndaj gjuhës shqipe, ky dijetar i madh, do të shpërfaqte më pas jo thjesht korpusin e veprave të tij letrare, por edhe vizionin e vendit ku lindi, në kontekst të rrjedhave dhe dramave ballkanike. Vepra e tij letrare, mbajti pezull frymën e asaj gjenerate kur u krijua, sepse ishte e orientuar nga vlerat më tradicionale të kombit, sepse bënte thirrje për zgjim përmes dijes, sepse ngrihej mbi ndasitë e importuara prej relikeve të religjioneve që kaluan mbi Shqipëri, sepse u kujtonte të gjithë bashkëkombasve të vet, të ndiheshin krenarë për origjinën e tyre. Brezat e djeshëm dhe të sotëm të shiptarëve, jo vetëm në trojet e tyre, por kudo ku ndodhen, në çdo cep të globit, kanë përsëritur dhe përsërisin me krenari legjitime, vargjet e famshëme: T’i Shqipëri më jep nderë, / Më jep emrin shqipëtarë… Veçanërisht sot, në kushtet e këtij trazicioni kaq të çoroditur në çdo pikëpamje, jetët e brishta të shqipëtarëve që përballen me mekanizmat e ashpër të identiteve perëndimorë, këto vargje marrin një domethënie të mrekullueshme. Të nderuar akademikë shqiptarë! Nuk dua të marr nga koha juaj e çmuar dhe jam plotësisht i kënaqur me hulumtimet e studimet tuaja rreth veprës së Naim Frashërit. Zoti ju ndihmoftë në këtë nismë! Por do të më lëjoni vetëm t’ju kujtoj se Naimi ynë, zë një vend të nderuar edhe në panteonin 800 vjeçar të tarikatit bektashian. Qasjet filozofike dhe doktrinore të këtij Kryebektashiu, jo vetëm që kanë arritur kulme letrare, por njëherazi janë shndërruar në metoda e lëvizje, të cilat kanë frymëzuar dashurinë brenda vëllazërisë bektashiane, si edhe harmoninë midis komuniteteve tradicionale fetare në Shqipëri. Sa i përket poemës së famshme të Qerbelasë, ajo mbetet ende një univers filozofiko-letrar, të cilit deri më sot, megjithë disa përpjekjeve, nuk i janë ngjitur dot në lartësitë transhedentale.Personalisht mbetem me shpresë, që do të vijë ajo ditë, kur studimet e thelluara akademike, do të mund të nxjerrin në dritë të diellit, vlerat rezonuese të kësaj kryevepre. Motra dhe vëllezër! Siç mund të jini në dijeni, Selia e Shenjtë Bektashiane, qysh prej kohës kur shpalli “Vitin e Naimit” ka organizuar disa veprimtari, përmes të cilave, kemi synuar jo thjesht përkujtimin e këtij burri të shquar, por sidomos kthimin e vëmendjes tek ndjenjat e sotme kombëtare. Unë gjykoj se ne duhet të jemi të bashkuar, jo në kuptimin folklorik, por shumë më gjerë, në konceptet dhe perceptimet tona filozofike, sociale dhe morale, sepse duke qenë shqiptarë, do t’i mbetemi kurdoherë borxh, atdheut tonë. Zvetënimi i ndjenjave kombëtare, mungesat e mëdha shpirtërore dhe ekonomike, luhatjet tridhjetëvjecare në kërkim të një identiteti që na siguron bukën e gojës, drama e dhimbshme dhe e pambarimtë e largimit nga kjo tokë që na dhuroi Zoti, duhet të na venë në mendime të gjithëve. Le t’i lutemi Zotit, të na japë mendjen e hairit dhe të mos shajmë sho-shoqin, por ta ndihmojmë e t’i japim krahun në udhëtimin e përbashkët. Të mërgojmë urrejtjen për njëri-tjetrin dhe të thërrasim uratat dhe bekimet. Le të madhërojmë në shpirtrat tanë, modelet e burrave, që i dolën zot fatit të atdheut, qoftë edhe përmes aktit më sublim të dhënies së jetës fizike. Besoj se të gjithë në këtë sallë, jemi të një mendjeje, se respekti më i thellë dhe vlerësimi më i lartë që mund të përcjellim për Naimin, është të paktën, t’i afrohemi jetës së tij fizike dhe shpirtërore, përmes puneve që bëjmë. Edhe një herë ju falenderoj të gjithëve dhe i uroj punë të mbarë kësaj veprimtarie shkencore, i bindur në prurjet e reja të saj!”
Gjithashtu, në këtë veprimtari shkencore, kumtuan akademik, prof, studiues: akad. Pëllumb Xhufi – “ Naim Frashëri dhe vizioni i tij i hapjes dhe i tolerances”;  Prof.as.dr. Abdulla Rexhepi (Kosovë) -“Tri veprat e reja të Naim Frashërit në gjuhën turke-osmane”; Dr. Dorian Koçi – drejtor i Muzeut Historik Kombëtar – “Miti dhe  historia në veprën e Naim Frashërit”; Prof. dr. Begzad Baliu (Kosovë) – “Misioni i Naim Frashërit në veprën e Profesor Rexhep Qoses”; Shaip Emërllahu, poet (Maqedoni e Veriut) – “25 vjet e Ditët e Naimit”;  Z. Mehmet Gëzhilli, botues – “Autorët e huaj për Naim Frashërin”; Z.Nuri Çuni, studiues (Kryegjyshata Botërore Bektashiane) – “Fletore e Bektashinjve të Naim Frashërit”.