VEPRIMTARIA E ‘NATËS SË KADRIT’, NË SELINË E SHENJTË BEKTASHIANE, MË 5 PRILL 2024

Veprimtaritë e ‘Natës së Kadrit’, të Muajit të Madhërueshëm të Ramazanit, zhvilluar në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, përveç riteve tradicionale, përkuan dhe me 13-vjetorin e ditës së varrimit të ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, Dede Reshat Bardhi dhe174-vjetorin e ndarjes nga jeta, të ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, Kamber Ali Dede.
Në këtë aktivitet, drejtuar nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, morën pjesë myhibë, klerikë bektashianë të Shqipërisë, Kryetari i Tarikatit Kadri, Bujar Harasani etj…
Ndër të tjera, në ritet e aktivitetit që drejtoi, Dede Edmond Brahimi kumtoi:
Me emrin e Zotit Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! Falënderimi i takon Zotit të gjithë botëve, paqja dhe bekimi i tij qoftë mbi të dërguarin e tij Muhamedin,familjen e tij dhe mbi të gjithë shokët e tij besnik deri ditën e fundit.
Sot është nata e Kadrit, një natë e madhe me vlera të jashtëzakonshme, sepse në këtë natë filloi zbritja e Shpalljes Hyjnore, njerëzimit, nëpërmjet të dërguarit të Zotit, Muhamedit a.s., nga engjëlli Xhebrail. Zoti shtrin mëshirën e Tij në këtë natë për gjithë krijesat, vecanërisht për njeriun. Në Tokë zbresin engjëjt pranë njerëzve për të parë se sa ata e falenderojnë dhe madhërojnë Zotin për të mirat që i ka dhuruar njeriut me mëshirën e Tij. Rëndësinë e kësaj nate ia jep veçanërisht madhështia e Kuranit, që është udhëzimi dhe kushtetuta hyjnore për besimtarët myslimanë.
Kjo natë është më e vlefshmja, më e rëndësishmja, dritë për të gjithë njerëzimin. Zoti në Kuran në suren “Kadr”, ajeti 3, thotë: “Nata e Kadrit është më e rëndësishme se 1000 muaj.” Kurani është fjala e Zotit të Madhërishëm, që engjëlli Xhibril ia përcolli profetit Muhamed për 23 vjet më radhë nga Leuhi Mahfudhi. Kurani si libër i shkruar në gjuhën arabe ka 600 faqe, 114 kapituj, 30 xhuze dhe 6666 ajete. Këto sipas komentuesve, dijetarëve të shquar islam ndahen në:
-1000 ajete përgëzuese,
-1000 ajete frikësuese,
-1000 ajete urdhëruese,
-1000 ajete ndaluese,
-1000 ajete shembuj e mësime,
-1000 ajete lajme e tregime,
-500 ajete për sendet e lejuara e të ndaluara
-100 ajete për lutje e madhërime
-66 ajete për këshilla…
* * *
Pasi ka vazhduar, në fund të riteev, Dede Edmond Brahimaj, kumtoi:
…..Të gjithë falënderimet janë për Zotin e botëve, paqja dhe shpëtimi për profetin tonë të dashur, Muhamedin a.s., për familjen e tij – Ehli Bejtin e nderuar, për shokët e tij besnik e të sinqertë dhe për të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri ditën e fundit!
O Zot! Ty të lutemi në këtë natë të madhe të Kadrit, natë që ka vlerën e 1000 muajve, ku Zoti zbriti Kuranin për tërë njerëzimin për ta udhëhequr në rrugë të drejtë.
O Zot! Ne të pranishmit të lutemi që të gjithë këta të jenë strehuar dhe mbrojtur në mëshirën dhe kujdesin tënd të pafund në ditën e llogarisë.
O Zot! Dëgjoje lutjen tonë, që të jemi drejtuar vetëm Ty, dëgjoje thirrjen tonë në momentin kur ne po të thërrasim Ty. Na dhuro mirësi, paqe, qetësi, në familjet tona për shenjtërinë e muajit të madhërueshëm të Ramazanit dhe Kuranit Famëlartë që e zbrite në këtë natë të Kadrit.
O Zoti i gjithësisë! Ne jemi përqendruar para Teje në qetësi, të nënshtruar ndaj Teje, duke shpresuar te Ti, për shpërblimet që je për robërit e Tu për muajin e shenjtë të Ramazanit.
O Zot! O mëshiruesi i më mëshiruesve! Ti e di se çfarë ka në shpirtrat tanë, Ti e di nevojën tonë. Ti e njeh ndërgjegjen tonë. Për ty asgjë nuk mbetet e fshehtë, o strehues dhe mbrojtësi jonë. Na dhuro begatitë e këtij muaji të shenjtë të Ramazanit dhe Kuranit Famëlartë!
O Zot! Ndriçoi sytë e zemrave tona me dritën e Kuranit dhe hatmes sherif. Ndriçimi i syve tanë vazhdon të jetë tek Ty për të pritur mëshirën tënde të pakufizuar për robt e Tu.
O Zot! Bëje Kuranin dritë derisa sytë e zemrave tona të grisin perdet e errësirës, derisa të arrijnë në vetë madhështinë dhe shpirtrat tanë të bëhen të varur në lartësinë e madhështisë Tënde.
O Zoti ynë! O edukuesi ynë! O sunduesi ynë! Na bëj ne të atillë që kur Ti e thërret, ne të përgjigjemi Ty, të vështrojmë ty dhe të përulemi para madhështisë Tënde!
O Zoti ynë! O Bujari i më bujarëve! Na bëj ne prej atyre që mos ta heqim shpresën nga bujaria Jote e madhe. Gabimet dhe fajet që mund t’i kemi bërë, për hir të Kuranit Famëlartë, fjalës tënde mrekulli, tregohu i gjerë me ne dhe me mëshirën tënde fshiji ato në nderim të fjalës tënde, Kuranit Famëlartë.
O Zoti ynë! Për madhështinë e fjalës Tënde, Kuranit, na dhuro në zemra dashuri, e cila na afron te Ti, na dhuro që gjuhët tona të flasin vetëm drejtësi, që na afron vetëm tek Ti, na dhuro sy, vërtetësia e të cilave na afron te Ty o Krijuesi i gjithësisë.
O Zot! Kush ecën në rrugën Tënde sipas fjalës tënde, Kuranit, që ne e kemi lexuar të gjithë për Ty, hatme i Kuranit, t’ua dedikosh shpirtrave të ndjerë emrat e të cilëve u thanë më lart.
O Zot! Ne të pranishmit të lutemi që të mos na ndash nga rruga jote, që të jemi të shpëtuar, të strehuar pranë mëshirës Tënde të gjerë të këtij muaji të madhërishëm të Ramazanit dhe kësaj nate të madhe të Kadrit që përcolli mesazhin hyjnor për robt e Tu.
O Zoti ynë! Të lutemi mos na e ndaj gojën nga përmendja e emrave të tu dhe vullneti ynë të jetë në qetësinë e atyre emrave të bukur që tregojnë madhërimin tënd të pakufizuar.
O Zot! Me Ty dhe zotërimin tënd na bashko me të dashurit e tu, profetin dhe familjen e tij, që të kanë adhuruar vetëm Ty!
O Zot! Të lutemi me fjalën tënde, Kuranin, dhe ne kur të kalojmë nga kjo botë provizore për në botën e pasosur, ahiretin, na gëzo të takohemi me Ty, ditën kur Ti do të gjykosh robt e Tu. Pranoje pendimin tonë dhe mos i humb shpresat tona pranë bujarisë Tënde.
O Zot! Vetëm prej teje kërkojmë falje, sepse është cilësi e lartë e bujarisë Tënde.
O Zoti ynë! Vetëm Ty të lutemi t’u dhurosh paqe e qetësi për shpirtin e profetit Muhamed dhe te familjareve te tij – Ehli Bejtit, dhe për të gjithë ato figura të nderuara të institucionit tonë që kanë kaluar në botën tjetër. Na bashko me dritën më të gëzuar të madhështisë Tënde.
O Zoti ynë! O Vëzhguesi ynë! O Sunduesi ynë! Të gjithë ne të pranishmit në këtë institucion të lutemi edhe njëherë që të dërgosh përshëndetje e nderime të shumta të dërguarit tënd Muhamedit a.s. dhe familjes së tij Ehli Bejtit. Amin!

Fotot:
Nuri ÇUMANI