Ditën e sotme, Kryegjyshi Botëror Bektashian Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj priti në një takim të veçantë Ambasadorin e Vatikanit në Shqipëri, Charles Johnes Brown.
Kryegjyshi e njohu ambasadorin me udhëtimin shpirtëror të bektashinjve prej vitit 1930, kur Qendra Botërore u vendos në Tiranë dhe deri më sot. Ambasadori u bë me dije gjithashtu për sakrificat e panumërta të klerikëve bektashinj, kontributin e tyre për liri e pavarësi si edhe urtësinë për t’iu afruar me devocion krijuesit.
Kryegjyshi Botëror Bektashian Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, e njohu ambasadorin edhe me sfidat e sotme të Selisë së Shenjtë Bektashiane, si në kontekst të harmonisë fetare në Ballkan, ashtu edhe sfidat e lirisë së besimit dhe të fesë.
Nga ana e tij Ambasadori Brown duke e falenderuar Kryegjyshin për pritjen e ngrohtë u shpreh se ishte kënaqësi e veçantë vizita në mjedise të tilla që frymëzojnë vetëm paqe. Ai u shpreh midis të tjerave se marrëdhëniet midis Vatikanit dhe Qendrës Botërore Bektashiane do të jenë kurdoherë vëllazërore, në të mirë të paqes dhe të lirive fetare.