VIZITA E ASAMBLESË PARLAMENTARE TË BASHKËPUNIMIT EKONOMIK TË DETIT TË ZI (PABSEC) NË KRYEGJYSHATËN BOTËRORE BEKTASHIANE

Ditën e martë, 3 mars 2026, ora 13:00, në Selinë e  Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, në Tiranë u zhvillua një vizitë zyrtare e delegacionit të Asamblesw Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (PABSEC).

Delegacioni përbëhej nga z. Asaf Hajiyev, Sekretar i Përgjithshëm i PABSEC; z. Petar Kanev, Kryetar i Delegacionit të Bullgarisë; znj. Renata Meto, përfaqësuese e Shqipërisë në PABSEC; znj. Pavlina Lozanova, këshilltare e Sekretarit të Përgjithshëm; si dhe z. Borys Kolisnychenko, Zëvendës Sekretar përgjegjës për Çështjet Organizative.

Delegacioni u prit nga Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, i cili u uroi mirëseardhjen dhe shprehu vlerësimin për rolin e PABSEC në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, dialogut rajonal dhe zhvillimit ekonomik në hapësirën e Detit të Zi.

Gjatë takimit u diskutua mbi rëndësinë e dialogut ndërfetar dhe ndërkulturor si themel për paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin afatgjatë në rajon. Kryegjyshi theksoi kontributin historik dhe aktual të Komunitetit Bektashian në promovimin e tolerancës, harmonisë dhe bashkëjetesës fetare, si vlera thelbësore të shoqërisë shqiptare dhe më gjerë.

Nga ana e tij, z. Hajiyev vlerësoi rolin e institucioneve fetare në ndërtimin e urave të mirëkuptimit mes popujve dhe nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit me aktorë të ndryshëm shoqërorë për forcimin e stabilitetit dhe zhvillimit rajonal.

Takimi u zhvillua në një frymë miqësore dhe konstruktive, duke riafirmuar angazhimin e përbashkët për promovimin e paqes, dialogut dhe bashkëpunimit mes vendeve anëtare të rajonit.