Ditën e mërkurë, 12 qershor 2024, historiani, Dr. Vladimir Petrovic, Profesor hulumtues i Institutit për Histori Bashkëkohore, në Beograd dhe Koordinatori i Programit MA, Instituti NIOD për Studimet e Luftës, Holokaustit dhe Gjenocidit, në Amsterdam zhvilluan një vizitë në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, Selia e Shenjtë, në Tiranë, ku u pritën edhe nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj.
Kryegjyshi, pasi i ka uruar mirëseardhjen, i njohu miqtë me udhëtimin shpirtëror të bektashinjve prej vitit 1930, kur Qendra Botërore u vendos në Tiranë dhe deri më sot si dhe u bëri me dije gjithashtu, për sakrificat e panumërta të klerikëve bektashinj, kontributin e tyre për liri e pavarësi, si edhe urtësinë për t’iu afruar me devocion Krijuesit.
Kryegjyshi i bëri dhe një vizitë në mjediset e Odeonit (qendër fetare-kulturore), ku i njohi nga afër me muzeun e bektashizmit, bibliotekën, arkivin, fototekën/fonotekën, galerinë etj.
Miqtë, pasi shprehën falënderimet për pritjen, vlerësuan lart kontributin e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, si në kontekst të harmonisë fetare, dialogut ndërfetar, ashtu edhe sfidat e lirisë së besimit dhe të fesë, gjë e cila, kanë vënë theksin ata, mund të merret edhe si model nga shumë vende të Europës.
Përgatiti: Xh. ÇULLHAJ