VIZITA E MINISTRIT PËR EVROPËN DHE PUNËT E JASHTME Z. IGLI HASANI NË KRYEGJYSHATËN BOTËRORE BEKTASHIANE

Ditën e premte, më 3 maj 2024, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj priti në një takim të veçantë ‘ Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme’ z.Igli Hasani.
Pas përshëndetjes dhe mirënjohjes reciproke, biseda u përqendrua në vijueshmërinë e bashkëpunimit ndërinstitucional, dialogun dhe vëllazërinë fetare, rëndësinë dhe rolin që luan Qendra Botërore Bektashiane në lidhje me tolerancën dhe harmoninë fetare, jo vetëm në Shqipëri por edhe në botë. Në marrëdhëniet e saj ndërfetare, ajo bashkërendon dhe jep mesazhin e qartë për bashkëveprim dhe përpjekjet për një paqe globale.
Gjatë kësaj vizite, Kryegjyshi Botëror, Dede Edmond Brahimaj e njohu më nga afër Ministrin Hasani edhe me muzeun e bektashizmit, bibliotekën, arkivin, fototekën/ fonotekën, galerinë etj. si dhe me historinë 800 vjeçare të Bektashizmit, përmes veprave të ruajtura në muze dhe në bibliotekë.

Përgatiti: Xh. ÇULLHAJ