VIZITA E MINISTRIT TË BRENDSHËM Z. TAULANT BALLA NË KRYEGJYSHATËN BOTËRORE BEKTASHIANE, TIRANË

Ditën e enjte, më 31 gusht 2023, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj priti në një takim të veçantë Ministrin e Brendshëm z.Taulant Balla.
Gjatë kësaj vizite, Kryegjyshi e njohu Ministrin Balla me historinë e Bektashizmit, traditën, dialogun e tolerancën fetare ndër vite në Shqipëri, punën dhe veprimtarinë e Komunitetit Bektashian në shërbesë të përmirësimit të edukimit, bashkëjetesës dhe harmonisë fetare. Njkohësisht, Kryegjyshi, bëri edhe një panoramë të gjerë të vlerave fetare për demokraci, luftë parimore ndaj radikalizmit e çdo lloj ekstremizmi, që është në kundërshtim me paqen, mirëqenien dhe vlerat demokratike të shoqërisë shqiptare.
Fokusi i bisedës kishte të bënte me bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërinstitucional, vëmendjen dhe mbështetjen e policisë së shtetit ndaj aktiviteteve e pelegrinazheve që zhvillon Kryegjyshata Botërore Bektashiane.
Kryegjyshi Botëror, Dede Edmond Brahimaj e falënderoj ministrin Balla, duke i shprehur një mirënjohje të thellë për këtë vizitë dhe vlerësimet që dha për Komunitetin Bektashi, Kryegjyshatën Botërore dhe rolin e klerikëve në vite.
Gjithashtu, ministri Balla zhvilloi edhe një vizitë në ambientet e Selisë së Shenjtë, Odeon; Muzeun e Bektashizmit, Bibliotekën, Fototekën dhe mjedise të tjera, ku Kryegjyshi dhe specialistët përkatës, i shpjeguan dhe i’u përgjigjën me detaje interesit të tij.

Përgatiti: Xh. ÇULLHAJ